Fermerët shqiptarë rrisin prodhimin e luleshtrydhes për në tregjet europiane
2023-03-15 17:44:35

Sera luleshtrydhesh (Foto ATSH)

Sera luleshtrydhesh (Foto ATSH)

Fermerët në Fier kanë shtuar sipërfaqet e tokave të mbjella me luleshtrydhe dhe mbi 80% të këtij prodhimi e eksportojnë në tregjet europiane. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes politikave dhe mekanizmave të financimit, po i mbështet fermerët e këtij sektori që kultivojnë luleshtrydhe kryesisht në serra, sipas teknologjive më të mira. Skema e naftës falas për bujqësinë, nga e cila kanë përfituar pothuajse të gjithë fermerët e zonës, por edhe subvencionimi për plastmasin në serra janë lehtësi që u janë kthyer në më shumë të ardhura familjeve fermere.

Marsi shënon edhe nisjen e sezonit të vjeljes së luleshtrydhes dhe fermerët në qarkun e Fierit janë në kulmin e punës. Kultivimi i luleshtrydhes është kthyer në biznes fitimprurës për fermerët e kësaj zone. Në Frakull, luleshtrydhja tregtohet me shumicë 210 deri në 240 lekë për kg, por vetëm 15% e prodhimit mbetet për tregun vendas, bën të ditur “ATSH”.

Me një prodhim prej 75 mijë kuintalësh në sezon, luleshtrydhja e Frakullës eksportohet në Itali, Rumani, Poloni e Çeki.

Vetëm në Frakull të Fierit janë mbi 280 fermerë që kultivojnë luleshtrydhen me një sipërfaqe totale prej 170 ha. Pjesa më e madhe e tyre janë mbështetur nga Ministria e Bujqësisë me subvencione si për naftën ashtu dhe për ndërtimin e serrave. (Elona)