Elbasani dhe Tirana, qytetet e Ditës së Verës
2023-03-15 16:34:50

Dita e Veres (Foto Rtsh)

Dita e Veres (Foto Rtsh)

14 marsi është Dita e Verës, një festë pagane që festohet në Shqipëri, që shënon dhe ardhjen e stinës së re. Kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm te banorët e qytetit të Elbasanit, që është dhe qyteti simbol i kësaj feste, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë, shkruan “ATSH”. 

Në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri te dreka e begatshme familjare, ku nuk mungojnë ballokumet, ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. 

Elbasani këtë vit organizoi aktivitete për pesë ditë me radhë, me evente kulturore e panaire, që kulmuan më 14 mars. 

Ndërsa Tirana organizoi rreth 100 aktivitete në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar, për të rritur e fëmijë, me koncerte e evente të shumta kulturore e panaire kulinarie e sendesh tradicionale, për të kënaqur të gjithë. 

Një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe hiqet kur të shihet dallëndyshja e parë. 

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. (Elona)