qyteti Zhuhai (Foto nga VCG)
Mëngjesin e hershëm të një dite pune, qyteti zgjohet, trafiku është i ngarkuar dhe kulmi i qarkullimit në kufirin mes qyteteve Zhuhai dhe Zhongshan në provincën Guangdong, po afron. Xiaotian, një punonjëse zyre, del me makinë nga shtëpia e saj në Zhuhai dhe pasi dërgon vajzën e saj 3-vjeçare në kopshtin e fëmijëve, niset drejt qytetit Zhongshan. Në të njëjtën kohë, edhe Lin Yu e cila jeton në Zhongshan, niset gjithashtu me makinë për të shkuar në kompaninë e saj në Zhuhai, gati për të filluar një ditë të re pune.
Pas kësaj rruge, në dukje të zakonshme udhëtimi mes dy qytetesh, qëndron historia e një anëtare të Asamblesë Popullore të Provincës Guangdong dhe këshillat e ofruara prej saj. Është gjithashtu një tregim mbi përpjekjet e dy qeverive lokale për të vënë në plan të parë interesat e njerëzve.
Siç dihet, Zona e Gjirit të Madh ka avantazhe të dukshme gjeografike dhe rreth 70 për qind e sipërfaqes së distriktit Tanzhou në qytetin Zhongshan i është ngjitur qytetit Zhuhai. Potenciali i saj zhvillimor po tërheq gjithashtu gjithnjë e më shumë të rinj që të shpëngulen aty dhe punuar në të dy qytetet. Të dhënat tregojnë se udhëtarët ditorë midis qyteteve Zhongshan dhe Zhuhai janë rritur nga 109 mijë në 2017-ën në 215 mijë në vitin 2020. Numri i udhëtarëve ndërqytetës vazhdon të rritet, por vitet e fundit rrugët që ata bëjnë për të shkuar në punë nuk kanë qenë aq të lehta. I trashëguar nga kohët e vjetra, ky segment automobilistik u bë mjaft i mërzitshëm dhe shpesh i bllokuar nga trafiku.
Hou Xuemei, një deputete e Asamblesë Kombëtare Popullore të Provincës Guangdong që punon në kompaninë Livzon Pharmaceutical, çdo ditë udhëtonte me autobus për të shkuar dhe kthyer nga puna. Por sa herë që autobusi kalonte në kufirin mes dy qyteteve, do të shfaqej “gjëja e bezdisshme”, bllokimi i trafikut. Meqenëse nuk ka linjë direkte, shumë punonjës çdo ditë duhej të merrnin fillimisht një autobus brenda qytetit deri në terminal, të zbrisnin dhe të ecnin në këmbë përtej kufirit të qytetit ku merrej autobusi për qytetin tjetër. Shumë punonjës në dy anët e qyteteve, kalonin gati dy orë nëpër rrugë.
qyteti Zhongshan (Foto nga VCG)
Por si do të bëhej më normal udhëtimi i më shumë se 200 mijë njerëzve çdo ditë? Hou Xuemei, e lindur për kërkimin shkencor, shfrytëzoi shpirtin e saj hulumtues për të zgjidhur problemin. Për të zbuluar situatën e vërtetë në kufirin mes dy qyteteve, ajo dhe stafi i Administratës së Transportit të qytetit Zhuhai dhe departamentet përkatëse të qeverisë komunale të qytetit Zhongshan inspektuan 10 rrugë në gjendje të keqe, duke kërkuar në terren dhe gjetur zgjidhjen më të mirë.
Gjatë këtij procesi, Hou Xuemei gradualisht mësoi se hapja e një segmenti të rëndësishëm rrugor kërkon veprime të përbashkëta të shumë departamenteve nga të dy qytetet dhe koordinimin e burimeve dhe forcave të ndryshme. Pas vizitave dhe hulumtimeve, Hou Xuemei paraqiti "Sugjerimet për Promovimin e Zgjidhjes së Rrugëve Ndërkufitare midis qyteteve Zhuhai dhe Zhongshan" gjatë dy sesioneve të provincës Guangdong në 2021-in, duke renditur në detaje problemet ekzistuese në 10 rrugë dhe parashtruar sugjerimet përkatëse.
Në qershor të vitit 2021, Hou Xuemei mori një përgjigje të detajuar nga Departamenti i Transportit Provincial të Guangdongut, i cili përmendte ecurinë e punës për përmirësimin e këtij problemi të trafikut. Dokumenti iu përcoll gjithashtu shumë departamente qeveritare lokale si Komisioni i Zhvillimit dhe Reformës Provinciale në Guangdong, Departamenti i Financave, i Burimeve Natyrore, i Burimeve Ujore etj.
Ishte pikërisht ky sugjerim që mjaftoi për të shtypur “butonin e shpejtësisë” dhe promovuar përpjekjet e përbashkëta të dy qyteteve për të "hapur rrugën". Nënkryetari i distriktit Tanzhou të qytetit Zhongshan të provincës Guangdong, Kuang Guangrong është i familjarizuar me projektet e ndërtimit të rrugëve ndërkufitare. Sipas tij, këto segmente ndodhen kryesisht në parqe industriale dhe zona banimi, ndaj rëndësia e ndërtimit të tyre është e qartë. "Shumë departamente në distrikt kanë krijuar një mekanizëm funksional për të promovuar projektin dhe në dy vitet e fundit kanë tejkaluar shumë probleme si mungesa e fondeve dhe vështirësitë në gjetjen e tokave dhe prishjen e ndërtimeve përgjatë gjurmës së rrugëve të reja". Përveç kësaj, qytetet Zhongshan dhe Zhuhai mbajnë takime të përbashkëta çdo vit për të koordinuar punët në lidhje me inflastrukturën e transportit në të dy qytetet. Që nga gjysma e dytë e vitit 2021, janë hapur gjashtë rrugë ndërkufitare si dhe janë përmirësuar linjat e autobusëve. Edhe tre rrugë të tjera në ndërtim pritet të hapen plotësisht për trafikun në vitin 2024.
qyteti Zhuhai (Foto nga VCG)
Pas hapjes së rrugës ndërkufitare, më shumë se 200 mijë njerëz po shkojnë në punë me shumë më pak stres dhe indeksi i lumturisë së tyre po bëhet gjithnjë e më i lartë. Kështu udhëtimi i përditshëm i Xiaotianit për dhe nga puna është reduktuar nga më shumë se një orë dy vjet më parë, në më pak se gjysmë ore dhe kohën që kursen ia kushton vajzës së saj dhe lojërave me të. “Nuk guxoj ta imagjinoj këtë lloj skene më parë dhe ndihem e lumtur”. Çifti Lin Yu që udhëton shpesh mes qytetit Zhongshan dhe Zhuhai, i ka dhënë “lamtumirën” devijimeve nëpër rrugët e ngushta dhe plot trafik. Krahasuar me kohën e kaluar, ato çdo ditë kursejnë mbi 30 minuta. Sipas tyre, tani “nuk ka më zgjim në errësirë gjatë ditëve të punës”.
Hou Xuemei është gjithashtu shumë e gëzuar. Duke parë hapjen e rrugëve ajo ndjen edhe më tej përgjegjësinë e të qenit anëtare e Asamblesë Popullore. Hou tregon se pasi u bë anëtare e Asamblesë, nga e zhytur në kërkime shkencore ajo ndryshoi për t’iu kushtuar më shumë vëmendje njerëzve dhe gjërave që e rrethojnë. Kur zhurma e një ndërtimi shqetëson banorët apo papastërtitë hidhen në rrugë, ajo do të dalë e para dhe do të bëjë ndonjë pyetje më tepër.
Është forma më e gjerë, më e vërtetë dhe më efektive e demokracisë. Hapja e rrugës ndërqytetëse është një manifestim i gjallë i të kuptuarit të opinionit publik dhe gjithashtu një praktikë e demokracisë së stilit kinez. (Çang Çuo)