Largimi i shqiptarëve. Eksperti Selami Xhepa: shkak politikat ekonomike
2023-03-15 10:41:28

Prof. Selami Xhepa (Foto Gazeta Telegraf)

Prof. Selami Xhepa (Foto Gazeta Telegraf)

Tendenca e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi duket se nuk zbehet. Në një intervistë për mediat eksperti i ekonomisë Selami Xhepa bën një analizë të asaj që po ndodh, që ai e lidh me pakënaqësinë e qytetarëve ndaj shërbimeve dhe jetesës në vend.

“Fatkeqësisht gjatë periudhës së tranzicionit, gati gjysma e forcës së punës ka emigruar nga Shqipëria gjë që ka bërë që ndryshimet demografike të prodhojnë pasoja serioze,  si për në afatin e shkurtër por në veçanti për afatin e gjatë. Problemet themelore dhe tashmë ka studime të shumta që demonstron se shkaktar kryesor që nxit emigracionin jashtë vendit lidhen në radhë të parë me shkaqe të natyrës ekonomike, me pamundësinë që kanë qytetarët shqitparë që përmes punës së ndershme të ndërtojnë një jetë të mirë në vendin e tyre dhe së dyti lidhen edhe me faktorë të tjerë që kanë të bëjnë dhe me shkallën e demokracisë, me pakënaqësinë që kanë  me shërbimet publike e kështu me radhë. Por dominojnë kryesisht faktorët ekonomikë”- tha eksperti Selami Xhepa për Revistën Monitor.

Emigrimi(Foto konica.al)

Emigrimi(Foto konica.al)

Me shqetësim Xhepa sheh nivelin e ulët të pagave.  Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë jashtëzakonisht më të ulëta sesa rritja e aktiviteti ekonomik thotë eksperti. Tjetër arsye janë kushtet e punës.

“Ajo që ka ndodhur ka të bëjë me dy dështime serioze që kanë ndodhur në sistemin tonë ekonomik, qoftë politikat publike në radhë të parë dhe së dyti edhe politikat e sektorit privat. Nuk ka diskutim që ne jemi në një ekonomi e tregut të lirë që do të thotë që edhe transaksionet në tregun e punës nuk duhet t’i nënshtrohen miqësive ekonomike. E vërteta është që këtu kemi dështime serioze pavarësisht se ekonomia ka pësuar rritje të vazhdueshme, që do të thotë se edhe vlera e shtuar në ekonomi ka ardhur gjithnjë në rritje. Ritmet e rritjes së pagave kanë qenë jashtëzakonisht më të ulëta sesa rritja e aktiviteti ekonomik. Kjo ka bërë që rritja e pagave është tek fuqia blerëse e qytetarëve të mos gëzojnë rritjen e merituar. Së dyti, përveç pagës do të referoja dhe kushtet e përgjithshme të punës. Pasiguria që kanë qytetarët në punë dhe përtej kësaj dhe kushtet e punës lënë mjaft për të dëshiruar. Kështu që dështimi i parë në këtë pikëpamje është në këtë drejtim që lidhet me politikat e sektorit të vet privat për të mos investuar në burimet njerëzore me të njëjtin interes që kanë për të investuar në teknologji.”-u shpreh Xhepa.

Krahu i pun毛s(Foto Epoka e Re)

Krahu i punës (Foto Epoka e Re)

Eksperti e lidh largimin me politikat jo të duhura.

“Patjetër që unë e konsideroj dhe dështimin e politikave publike sepse pavarësisht se jemi në kohën e ekonomisë së tregut shteti është një aktor i rëndësishëm për të mbrojtur interesat e punëmarrësve dhe nga kjo pikëpamje politikat në Shqipëri kanë qenë në reformë në tregun e punës kanë synuar liberalizimin e tregut të punës por pa marrë në konsideratë asimetrinë e madhe që ekziston mes punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe për pasojë punëmarrësi ka ngelur i pambrojtur dhe politikat publike së dyti nuk kanë njoftuar iniciativa të mjaftueshme instrumente të mjaftueshme financiare apo jo financiare, të cilat të nxisin sektorin privat të bëjnë një ndarje të të ardhurës së krijuar nga aktiviteti ekonomik. Përshembull  është taksuar më shumë puna sesa kapitali dhe kjo ka bërë që tregu i punës të bëjë atë lloj instanacioni në krijimin e të ardhurave të mira për qytetarët dhe ka sjellë pasojë dekurajimin e tyre”, theksoi ai

Ndërsa përfaqësues të qeverisë thonë se tendenca e largimit të qytetarëve drejt vendeve që ofrojnë paga dhe kushte më të mira është një tendencë që po ndodh në vende të ndryshme të botës. Largimi i të rinjëve ka vënë në vështirësi edhe sektorin privat në vend. Shumë kompani shqiptarë po vuajnë  mungesën e fuqisë punëtore dhe po marrin punonjës nga jashtë për të plotësuar vakuumin e krijuar.