A e keni përfytyruar ndonjëherë që, në të ardhmen, mund të gëzojmë përfitimet e Mjekësisë Tradicionale Kineze në një filxhan kafeje?
Mjekësia Tradicionale Kineze (MTK) është një metodë holistike e përdorur për t'i ndihmuar njerëzit që të rinormalizojnë shëndetin fizik e mendor të tyre. Ajo ka qenë një pjesë e jetës së popullit kinez prej shekujsh.
Mjekimi i sëmundjeve dhe kthimi i ekuilibrit janë ndër metodat e mjekësisë kineze për një jetë më të shëndetshme. Një metodë tipike e prodhimit të një formule të MTK-së është që të marrësh një recetë nga një praktikues i licencuar, të blesh të gjithë përbërësit mjekësorë dhe të përgatitësh çaj me ta në një enë.
Këta përbërës mjekësorë mendohet se kanë një efekt rinormalizues nëpërmjet rikthimit të ekuilibrit të energjisë natyrore, ose Qi-së së njerëzve, e cila qarkullon nëpër një varg meridianësh të padukshëm në tërë trupin. Për shembull, xhinseng mund të shtojë gjallërinë, kurse krizantema mund të ulë zjarrin e brendshëm.
Por nëse pyet brezin e ri kinez, janë të paktë ata që vizitojnë dyqanet e MTK-së, le pastaj t’i prodhojnë vetë këto çajra, vlerën e të cilave e ka treguar koha. Megjithatë, në medien shoqërore është bërë shumë e njohur një lloj kafeje me shurup të kokrrave të kuqe gogji.
"Ne dëshirojmë të zbulojmë një mënyrë që të rinjtë ta përdorin MTK-në më lehtësisht," u shpreh zonja Pi nga Ruajtja e Shëndetit "Zhima", një kafene e mbështetur në konceptin e shfrytëzimit të përfitimeve të bimëve mjekësore të MTK-së dhe gërshetimit të tyre me pijet e njohura.
"Kyçi i MTK-së është parandalimi. Ne shpresojmë që, nëpërmjet vizitës në kafenenë tonë dhe shijimit të pijeve tona, të rinjtë t'i kushtojnë vëmendje më të madhe shëndetit e mirëqenies së tyre dhe t'i zhdukin sëmundjet që në rrënjë."
Përveç kafes me kokrra gogji, ndër pijet e tjera kjo kafene shërben edhe kafe me xhinseng, si dhe biskota të pjekura me sheqer të zi. Ajo ofron edhe më produkte të tjera tipike të MTK-së, si bimë të thara mjekësore dhe çajra. Shumica e njerëzve tërhiqen më parë nga "pijet e reja të MTK-së", pastaj ata hyjnë në kafene për të mësuar më tepër mbi MTK-në.
Ndërsa Mjekësia Tradicionale Kineze po afrohet më shumë me të rinjtë, janë të shumtë ata që kanë filluar t’i integrojnë këto receta të lashta në rutinën e përditshme të ruajtjes së shëndetit të tyre. (Xu Guang)