Zhang Zhiju / foto nga VCG
Në vitin 2016, pasi kishte punuar në qytetin Hangzhou të Kinës Lindore, 23-vjeçarja Zhang Zhiju u kthye në vendlindje për t’u kujdesur për të atin adoptues, i cili ishte i sëmurë. Gjatë kësaj kohe ajo filloi të merrej dhe me rritjen e gjashtë derrave, të blera nga babai i saj me kredi.
Zhangu bëri shumë fotografi dhe video të shkurtra për gjëra interesante gjatë punës në fshat dhe i publikoi ato në internet. Këto pamje të gjalla dhe të thjeshta të jetesës rurale kishin tërhequr vëmendjen e shumë përdoruesve të internetit. Ndaj miqtë e saj i propozuan Zhang-ut: "Ke shkruar aq mirë dhe ke bërë fotografi aq të bukura, pse nuk provon t'i shesësh produktet bujqësore të vendlindjes përmes internetit?". Zhangu u intrigua nga sugjerimi dhe filloi të provonte shitjen e produkteve karakteristike të vendlindjes në internet, si mish derri i kripur, peshq lumi të vegjël, vaj kamelie, rrënjë kudzu (një lloj bari i mjekësisë tradicionale kineze) etj.
Zhang Zhiju transmeton drejtpërdrejt prodhimin e produkteve karakteristike vendëse në platformën e medias sociale/ foto nga “people.cn”
"Mbaj mend se kur dërgova për herë të parë mish derri të kripur për klientët, përdora një thes plastik që kisha në shtëpi." Zhangu i kujtohen fillesat, kur sapo kishte hapur funksionin e pagesës në "Wechat" (një aplikacion celulari i ngjashëm me "WhatsApp") dhe klienti kishte paguar sa hap e mbyll sytë. “U habita nga thjeshtësia e tregtimit. Ardhja e parave përmes medias sociale, nënkuptonte edhe përfundimin me sukses të shitjes". Zhang Zhiju pa drejtimin e të ardhmes dhe vazhdoi të ecë me këmbëngulje në këtë rrugë, shitjen përmes internetit.
Në vitin 2018, i ati adoptues i Zhangut fatkeqësisht u nda nga jeta dhe ajo u ndodh përpara dy alternativave: të linte fshatin për të punuar në qytete të mëdha apo të qëndronte në vendlindje? Zhangu zgjodhi të dytën. "U mësova me jetën në fshat dhe mendova të vazhdoja tregtinë e shitjes së produkteve bujqësore në internet".
Atëherë produktet bujqësore të vetë qytezës së saj nuk mjaftonin për shitje, kështu që Zhangu provoi ta zgjeronte burimin e produkteve nga qytezat përreth. "Kërkova një mikrokredi për rritjen e sipërmarrjes dhe qeveria na siguroi subvencionin për interesat e kredisë."
Zhang Zhiju ka hedhur hapa gjithnjë e më të mëdha në shitjen e produkteve karakteristike vendëse në internet. Më vonë ajo krijoi dhe një kooperativë profesionale të fermerëve dhe hapi një dyqan në qytezë, duke punësuar mbi 200 punonjës lokalë.
Zhang Zhiju (në mes) dhe bashkëfshatarë duke vjelur fasule/ foto nga “news.cri.cn”
Këtë vit, Zhang Zhiju u zgjodh si delegate e Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës të Legjislaturës së 14-të. Ajo tregon se si bijë e fshatarëve u gëzua për zgjedhjen si delegate dhe ndjeu se tashmë ishte e zonja e vetes. "Dua të bëhem lidhësja midis qytetit dhe fshatit, që t'i shes produktet bujqësore në qytet dhe ta sjell shpresën e begatisë në fshat."