14 marsi dhe festimet e Ditës së Verës
2023-03-14 11:33:15

Sot kalendari shënon 14 mars dhe festohet ‘Dita e Verës’.  Çdo 14 mars qytetarët shqiptarë organizohen  për të festuar ardhjen e stinës së ngrohtë. Në këtë këtë ditë kaq të veçantë zhvillohen aktivitete të ndryshme në disa qytete të vendit, por festa më e madhe, mbahet në qytetin e Elbasanit.  Kjo festë, e cila konsiderohet si festa e gjallërimit të natyrës, shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore, zanafillën e saj e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë e veçantë edhe për vetë qytetarët e Elbasanit. Kjo është një festë pagane mijëra vjeçare, e cila ka për synim t’i falet natyrës, ardhjes së stinëve të ngrohta, rigjallërimit të jetës në tokë. Duke qenë se në antikitet viti niste me muajin mars (duke ju referuar kalendarit Julian), atëhere sapo hynte marsi festohej ardhja e pranverës.

Të shumtë janë njerëzit nga qytete të ndryshme të vendit, që zgjedhin të festojnë  ardhjen e verës, në qytetin e  Elbasanit, por njëkohësisht edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, bashkë me ëmbëlsirën tradicionale siç janë, ballokumet dhe revaninë, apo palat e fikut, të cilat iu dhurohen fëmijëve, që  bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve apo fqinjëve  të tyre.

Kryeqendra e festave të Ditës së Verës është Elbasani, ku familjet përgjatë ditës mblidhen e festojnë së bashku me ushqim të mirë, verë, si dhe ballokume. Qyteti përfshihet nga festa, veshjet me maska si dhe zbukurimet që evokojnë pranverën.  Një nga traditat kryesore të festës është gatimi i ballokumeve.

Panairi “Baçja e trëndafilava” hapi këtë vit siparin e aktiviteteve të ndryshme të Ditës së Verës në Elbasan. Të pranishëm në programin festiv ishin Ministrja e Arsimit Evis Kushi si edhe kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja, të cilët ftuan qytetarët dhe miqtë t’i bashkohen festimeve tradicionale të “Ditës së Verës” në Elbasan.

Për median Gledian Llatja theksoi: ‘E keni bërë Elbasanin edhe më të bukur sot, por edhe ne përpiqemi që ta bëjmë më të bukur me dekorin e Ditës së Verës, duke filluar me një sërë aktivitetesh”.

Në hapjen e siparit të aktiviteteve për “Ditën e Verës” në qytetin e ELbasanit, Ministrja e Arsimit Evis Kushi theksoi: “ ‘Dita e Verës’ është një nga festat më të bukura për Elbasanin, por edhe për gjithë Shqipërinë dhe të gjitha trevat shqiptare. Këtu në Elbasan nuk mund ta nisnim më bukur sesa kaq. Ky ishte aktiviteti i parë që çeli festimet, e ku ka më bukur sesa këtë sipar ta hapnin nxënësit e shkollave, fëmijët dhe të rinjtë”.

Edhe Tirana feston sot ‘Ditën e verës’, sikurse është kthyer traditë. Bashkia e Tiranës ka organizuar rreth 100 aktivitete të cilat nisën që në orët e para të mëngjesit, për të përfunduar vonë, pas mesnate. Për shkak të organizimit të aktiviteteve, janë bllokuar disa akse rrugore në kryeqytet. Kjo festë pagane e shqiptarëve me qendër në Elbasan, lindi kur të parët tanë, ilirët, u faleshin perëndive. Diana Candeviensis ishte perëndia e begatisë, e gjelbërimit dhe harmonisë e festa përkon me lulëzimin e pranverës.

Tempulli i perëndeshës ka qenë në Çermenikë, por me kalimin e shekujve, festa u spostua në Elbasan dhe u pasurua me rite e tradita. ‘Dita e Verës’ është e vetmja festë që i bashkon njerëzit pa asnjë dallim racor, përkatësie fetare apo bindje politike. Studiuesit e ndajnë festën në tre faza. E para është ajo e përgatitjeve kur amvisat mbledhin zahiretë që do shpenzojnë për festën. Faza e dytë, një natë para festës kur njerëzit mblidhen në shtëpi me të afërmit apo miqtë e tyre dhe festojnë me gatime tradicionale, me këngë e valle popullore. Ndërsa faza e tretë, Dita e Verës ose pikniku, që është i mbushur me aktivitete nga më të larmishmet. Ëmbëlsira tradicionale është ballokumja, e cila ka një recetë të veçantë gatimi që është e trashëguar nga amvisat e Elbasanit brez pas brezi. Me rastin e ‘Ditës së Verës’ Bashkia e Elbasanit planifikoi me dhjetra aktivitete të shpërndara në 5 ditë. Rreth 200 mijë mysafirë e festojnë çdo vit për këtë festë në qytetin e Elbasanit, ku lokalet, baret, hotelet janë të gjitha të rezervuara.

Sava Lena