Bursa shqiptare e energjisë (Foto Konica.al)
Më 10 mars 2023, ne organizimin e Ministrise se Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqatës së Investuesve të Huaj në Shqipëri(FIAA) dhe Strategjisë së BE për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit, në Tiranë u zhvillua Konferenca rajonale “Sfidat e energjisë drejt tranzicionit dhe zhvillimit të qëndrueshem”.
Në konferencë u diskutua rreth diversifikimit të gjenerimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përspektivës së tregut rajonal, në funksion të tranzicionit dhe qendrueshmërisë në sektorin e energjisë, të nxitura nga iniciativat e shumta te Bashkimit Evropian.
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se kriza energjetike e vuri Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare përpara një sfide shumë të madhe, duke sjellë edhe kufizim të investimeve në sektorin energjitik.
“ U detyruam të kufizonim shumë nga veprimtaritë tona ashtu siç është edhe kufizimi i investimeve në sektorin energjetik që, për të thënë të drejtën, e kemi bërë me shumë dhimbje, pasi Shqipëria sot është një vend që zhvillohet në të gjitha fushat, në fushën e agrobiznesit, në fushën e turizmit dhe në çdo fushë tjetër të infrastrukturës arsimore, shëndetësore e të tjerë dhe të gjitha këto padyshim kërkojnë një nga elementët më të rëndësishëm, por më bazik, që është energjia” u shpreh Balluku ndërsa shtoi se fundi i marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX.
Bursa e energjisë (Foto Monitor)
Bursa shqiptare e energjisë është pritur prej kohësh nga ana e bizneseve prodhuese te vendit dhe investuesve të huaj të energjisë në vend. Ajo do të ndihmonte shumë sipërmarrjet prodhuese të Shqipërisë, për të gjetur energji elektrike me çmim më të lirë në Bursën e Shqipërise. Do të ulte ndjeshëm kostot e tyre dhe kohën që u duhet për të gjetur shitës të energjisë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Bursa e Shqipërisë ALPEX do të krijojë kushtet për një treg konkurrues, duke lejuar vendosjen e çmimeve të drejta dhe, sigurisht më të lira se sa çmimet që prodhuesit shqiptarë gjejnë në tregjet përtej Shqipërisë.
Bursa shqiptare do të prodhojë më shumë transparencë të kontratave të shitblerjes së energjisë elektrike, për perdoruesit e vendit. Ajo do të mundësojë një treg energjitik të orientuar drejt investimeve dhe rritjes se kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend, në perfitim të menjëhershëm të qytetarëve shqiptarë konsumatorë të energjisë, si dhe të bizneseve, në radhë të parë atyre prodhuese në Shqipëri.
ALPEX do të ofrojë fleksibilitet për integrimin e tregut shqiptar të energjisë elektrike dhe bashkimin e tregut të ditës në avancë dhe tregut brenda ditës. Sikurse dihet, çmimi i energjisë elektrike të shitur brenda një dite varion shumë dhe bursa të mundëson ta blesh më përpara, duke ulur kostot e blerjes.
Bursa shqiptare do të krijojë kushtet për kalimin transparent dhe efiçient të flukseve të fondeve dhe llogarive të blerësve dhe shitësve në Bursë, duke përdorur Bursën si garantuese për të gjitha veprimet në tregun e organizuar shqiptar të energjisë elektrike.
ALPEX do të krijoje një strukturë, brenda së cilës do të zhvillohet konkurrenca si në tregun me shumicë ashtu edhe me pakicë, duke promovuar dhe siguruar ndryshimin e shpejtë të furnizuesit.
Bursa shqiptare do të përmiresojë imazhin e Shqipërisë si një treg i mirë-rregulluar dhe i organizuar i energjisë elektrike, duke krijuar mundësitë për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare(KESH), që të gjejë partnerë më të pershtatshëm dhe më me leverdi, për importet që Shqipëria do të jetë e detyruar të sigurojë për periudha të ndryshme të vitit, por edhe për eksportet e KESH, të cilat, me përmirësimin e operimit të kaskadës së Drinit dhe me rezervat energjitike të krijuara në Liqenin e Fierzës nga shirat e kohëve të fundit, urojmë të gjithë që të jenë të rëndësishme për ekonominë tonë.
Zvkryeministrja B. Balluku (Foto MIE)
Në konferencë, ZvKryeministrja Balluku cilësoi se:
“Ky është një vit i shënuar, pasi unë duhet të them që marsi është muaji kur ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, Bursën Energjetike Shqiptare. E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problematika pasi ne nuk punojmë vetëm, punojmë me partnerë dhe partnerët padyshim ndikohen nga krizat, nga problematikat dhe gjithçka tjetër, kështu që na është dashur ta shtyjmë disa herë afatin e dorëzimit , por të gjitha palët tashmë deklarojmë se fundi i Marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX, e cila padyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, sidomos sot më shumë se kurrë kur sektori privat po investon fuqishëm në kapacitetet fotovoltaike.” përfundoi Balluku.