Piramida e Tiranës, së shpejti qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan
2023-03-14 14:56:11

Piramida (Foto Koha.net)

Piramida (Foto Koha.net)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga kantieri i punimeve për transformimin e Piramidës së Tiranës.

Ai njofton se së shpejti ajo do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan.

Qendra Tumo po transformohet në një qendër multifunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese, shkruan “ATSH”.

Ndërtimi po financohet nga qeveria shqiptare, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Amerikan i Zhvillimit.

Tumo do të ketë 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera që janë konceptuar në natyrë.

Risi është riciklimi i gjithë materialit të mbetur në piramidë, i cili do të përdoret për krijimin e ndërtesës së re, ndërsa pjesa e jashtme rrëshqitëse do të jetë me shkallë si vendpushim për studentët. (Fatosi)