
Fukushima (Foto Cgtn)
Qeveria japoneze dhe “Tokyo Electric Power” po përballen me një reagim të zemëruar nga publiku për planin e tyre të shkarkimit të ujërave radioaktive, ndërsa mijëra persona protestuan në Tokio, shkruan “CGTN”.
Më 11 mars 2011, një tërmet në brigjet verilindore të Japonisë shkaktoi një cunami që u përplas në centralin bërthamor “Fukushima Daiichi” dhe shkatërroi tre nga gjashtë reaktorët e tij bërthamorë. Si fatkeqësia më e keqe bërthamore që nga incidenti i Çernobilit të vitit 1986, ajo detyroi më shumë se 160.000 persona të evakuoheshin nga rajoni dhe rreth 33.000 prej tyre ende nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpi.
Qeveria japoneze njoftoi në janar se do të lëshonte ujërat radioaktive nga termocentrali i shkatërruar në Oqeanin Paqësor në pranverë ose verë të këtij viti.
Në Tokio, njerëzit u mblodhën përpara “Tokyo Electric Power Company” për të protestuar kundër planit të çlirimit të ujërave nga termocentrali bërthamor “Fukushima Daiichi”.
Në protestë morën pjesë edhe banorë nga prefektura e Fukushimës, të cilët besojnë se arsyeja e dhënë nga qeveria japoneze për shkarkimin e ujërave bërthamore në det është e paqëndrueshme dhe se çështja duhet të trajtohet me kujdes.
Në ditët e fundit, protesta janë zhvilluar edhe në prefekturën e Fukushimës, prefekturën e Saitama dhe shumë vende të tjera. (Fatosi)
