Shtohen vizitorët në muzeun “Onufri” në Berat
2023-03-14 15:34:37

Muzeu Onufri (Foto Atsh)

Muzeu Onufri (Foto Atsh)

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka shënuar këtë fillim viti një fluks të lartë vizitorësh vendas e të huaj, njofton “ATSH”.

Në dy muajt e parë të vitit, muzeu është vizituar nga afro 1800 vizitorë, gati dy herë më shumë se në njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vizitorët janë vendas, por dhe të huaj, kryesisht spanjollë, italianë, francezë etj.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797, në lagjen “Kala”.

Muzeu ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Beratit dhe Myzeqesë. (Fatosi)