Një fitore diplomatike e Kinës dhe një hap më afër stabilitetit në Lindjen e Mesme
2023-03-14 11:52:40

Më 10 mars 2023, dy rivalë të fuqishëm në lindjen e mesme vendosën t'i japin fund armiqësive shumëvjeçare. Irani dhe Arabia Saudite kanë rënë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike pas vitesh armiqësie (me marrëdhënie të ndërprera që prej 2016), dhe e gjitha kjo e ndërmjetësuar nga Kina. Të dy vendet ranë dakord të rihapin ambasadat e tyre dhe bashkëpunimi midis Riadit dhe Teheranit mund të ndryshojë peizazhin gjeopolitik të Lindjes së Mesme. Ky lajm ka shkaktuar sensacion mbarëbotëror duke përfshirë vendet arabe, Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe të tjerë. Të gjithë e kanë mirëpritur këtë rezultat dhe kanë përshëndetur perspektivat e paqes në Lindjen e Mesme që kjo marrëveshje sjell.

Mungesa e lidhjeve midis dy vendeve ka kërcënuar prej dekadash stabilitetin dhe sigurinë në Gjirin Persik dhe në mbarë Lindjen e mesme duke pasur si pasojë nxitjen e konflikteve në Azinë perëndimore, nga Jemeni në Siri. Për më tepër ky zhvillim ka potencialin të ndikojë pozitivisht në rajon, pasi Arabia Saudite dhe Irani janë dy nga vendet më të mëdha prodhuese të naftës në botë dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes tyre mund të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike. Një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive mes tyre mund të ketë rezultate pozitive të gjera për mbarë botën.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Kina, u njoftua pas disa raunde bisedimesh midis zyrtarëve të lartë nga të dy vendet. Mediat raportojnë se bisedimet u zhvilluan në Pekin nga 6-10 mars 2023, dhe u bazuan në një marrëveshje midis Presidentit Xi dhe liderëve të Arabisë Saudite e Iranit, sipas të cilës Kina do të priste dhe sponsorizonte bisedimet midis të dyve.  Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike dhe  Drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-se zhvilloi dialog të veçantë me të dy delegacionet dhe kryesoi ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së bisedimeve. Pavarësisht se sa të komplikuara janë çështjet dhe sa të mprehta janë sfidat “me siguri mund të gjendet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht, për sa kohë që dialogu në baza të barabarta zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë” u tha Wang gazetarëve pas bisedimeve. Sipas deklaratës së përbashkët të lëshuar nga Irani, Arabia Saudite dhe Kina, Teherani e Riadi ranë dakord të rifillojnë marrëdhëniet diplomatike dhe të rihapin ambasadat brenda dy muajve.

Marrëdhëniet e tensionuara midis Iranit dhe Arabisë Saudite kanë kontribuar ndjeshëm në paqëndrueshmërinë rajonale në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ndërmjetësimi i Kinës për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis dy kombeve ka ngritur perspektivat për një të ardhme më paqësore. Pavarësisht tensioneve të larta dhe përpjekjeve të vazhdueshme nga lojtarët e tjerë rajonalë dhe globalë për të zgjidhur konfliktin, përfshirja e Kinës mund të ketë implikime të rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe politikën globale. Lidhjet e forta ekonomike të Kinës me të dy vendet dhe prezenca e saj në Lindjen e Mesme, e bëjnë atë një aktor vendimtar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kina ka mbajtur prej kohësh një qasje balancuese në marrëdhëniet e saj, si me Iranin ashtu dhe Arabinë Saudite, duke pranuar botërisht rëndësinë e mbajtjes së lidhjeve të forta me të dy vendet. Prandaj, Kina bëhet vendi i duhur  për të lehtësuar dialogun midis dy rivalëve dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve të tyre. Por jo vetëm kaq, Ministri i Jashtëm i Pakistanit u shpreh se kjo tregon rolin e lidershipit që Kina po luan në skenën botërore, një rol udhëheqës që është i përqëndruar në bashkimin dhe jo në ndarjen, e një roli udhëheqës që është i përqëndruar në formimin, bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella dhe inkurajimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Në mbarë botën është rënë dakord se kjo është qartazi një fitore për diplomacinë kineze, dhe Kina po pozicionohet gjithmonë e më shumë si paqebërëse.  Fakti që kinezët po e shpalosin veten si ndërmjetës të një marrëveshjeje historike në një rajon që nuk ka pasur shumë paqe ndër breza, është shumë pozitive, jo vetëm për Kinën, por edhe mjaft pozitive për rajonin dhe për mbarë kontinentin Aziatik.

Një studiues në Universitetin e Shandong shprehet se potenciali për përmirësimin e marrëdhënieve midis Iranit dhe Arabisë Saudite mund të sjellë efekte pozitive në të ardhmen e Lindjes së Mesme. Marrëdhëniet më të mira dypalëshe mund të ndihmojnë në reduktimin e tensioneve rajonale duke minimizuar konfliktet ndërmjetëse dhe duke ndihmuar përpjekjet diplomatike për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Për më tepër, stabiliteti i arritur përmes përmirësimit të marrëdhënieve mund të shërbejë për të pakësuar mundësinë e konflikteve të ardhshme dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal.

Perspektiva e marrëdhënieve më të mira midis Iranit dhe Arabisë Saudite është inkurajuese, pasi situata në Lindjen e Mesme është komplekse dhe e paqëndrueshme. Ndërkohë, konflikte dhe tensione të tjera, si kriza e vazhdueshme në Siri dhe tensionet midis Izraelit dhe Palestinës, mund të vazhdojnë të kenë ndikim duke penguar zhvillimin. Variablat e huaj, si ndryshimet në rrethanat ekonomike globale ose ngjarjet politike në rajone të tjera, mund të kenë potencialisht një ndikim në Lindjen e Mesme, duke kontribuar në paparashikueshmërinë e ardhshme të rajonit.

Paqja dhe zhvillimi janë dëshiruar prej kohësh në Lindjen e Mesme nga vendet e rajonit dhe kjo është pikërisht në përputhje me Iniciativën e Sigurisë Globale dhe Iniciativën e Zhvillimit Global të Kinës. Si një fuqi e madhe e përgjegjshme, Kina është trajtuar në një mënyrë miqësore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe respektohet nga të gjithë aktorët e rëndësishëm. Gjatë viteve, Kina ka bërë përpjekje të vazhdueshme për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ka folur hapur për çështjet e nxehta politike.

Vullneti i mirë i Kinës i treguar ndër vite  ka fituar besimin e të gjitha palëve të interesuara. Nga cilido këndvështrim, shtrëngimi i duarve dhe pajtimi midis Arabisë Saudite dhe Iranit në Pekin janë një moment historik dhe ato gjithashtu ofrojnë një model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komplekse. Në Kinë besojnë se arritja e pajtimit përmes dialogut dhe zhvillimi përmes paqes do të ketë një ndikim të thellë dhe do të fitojë popullaritet të madh në këtë epokë, ku vetëm fitorja për paqen është një fitore e vërtetë.

Së fundmi, me ndërmjetësimin e Kinës, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve i jep fund konfrontimit të tensionuar prej vitesh dhe ofron mundësi të reja për bashkëpunim në të ardhmen. Është pragmatizmi që mundësoi këtë ndërmjetësim të suksesshëm, së bashku me durimin dhe mençurinë diplomatike kineze. Kjo ngjarje pasqyron ndryshimin e marrëdhënieve midis rajonit dhe fuqive të mëdha dhe një lëvizje tektonike drejt krijimit të një lloji të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare.

Dr. Marsela Musabelliu