Më rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Qendra Kombëtare e Librit organizoi takimin tematik “Gratë në letersine boterore”.
E ftuar në këtë takim, profesorja e gjyhëve të huaja e universitetit të pekinit Beijing Foreing Studiues University, Rui Y mbajti ligjeratën “Shpirti feminist në romanin “Ëndërr në pallatin e kuq””, të autorit të njohur kinez Cao Xueqin, i cili ka ardhur në gjuhën shqipe me dy vëllimet e tij, nën përkthimin e Diana Çulit dhe Venera Domit, nga botimet “Dituria”.
Ky aktivitet mblodhi në një auditor profesorë, autorë dhe studentë shqiptarë.
Libri, që konsiderohet si më i rëndësishmi i autorit dhe i tërë letërsisë kineze, u diksutua dhe komentua gjerësisht në takim, për frymën e tij, artin, mesazhet, por mbi të gjitha për trajtimin e personazheve femërore, si pasqyrë e jetës kineze të viteve kur u shkruar romani.
“Ëndrrat në pallatin e kuq”, përqendrohet në jetën e një familjeje të madhe dhe të pasur në Pekin të ndarë në dy degë. Pallati perandorak me bukuritë e tij mahnitëse, traditat ceremoniale, tempujt budistë, murgjit taoistë, gjykatat e shumta dhe me peshën e rëndë të kryeqytetit zyrtar administrativ, janë disa prej stacioneve letrare të këtij rrëfimi, përmes të cilit zë vend jeta e personazheve femërore të librit.
Nisur nga karakteret dhe ngjarjet e romanit “Ëndërr në pallatin e kuq”, Rui Y solli një vështrim mbi rrugëtimin e feminizmit në skenën letrare kineze dhe rolit që letërsia ka pasur në emancipimin e shoqërisë njerëzore.
Sa i takon autorit të librit, Cao Xueqin, që prej 3 shekujsh vijon të mahnisë me librin e tij, ai e shkroi librin në kohën kur humbi cdo pasuri, meqë gjithcka iu konfiskua me urdhër të perandorit, ndonëse vinte nga një familje shumë e pasur. Me humbjen e pasurisë, ai u tërhoq dhe shkroi romanin e famshëm “Ëndërr në Pallatin e Kuq”, një ndër librat më të rëndësishëm të letërsisë kineze.
Në roman lexojmë se si personalitetet historike fshihen pas personazheve, ndeshim rrugëtime për shpëtimin te besimi fetar, autobiografi, histori psikologjike të adoleshentëve, dashuri të palumtura, kontekstin e Kinës së kohës, denoncimin e shtrembërimeve të hierarkisë sociale dhe të shtypjes së të rinjve dhe grave… Përmes historisë së adoleshentëve të një familjeje të madhe në rrënim e sipër, lexuesit i hapet rruga për të depërtuar në universin e botës kineze, jo vetëm të shekullit XVIII.
Romani është një përshkrim i hollësishëm i jetës në dy degët e klanit të pasur aristokratik, Shtëpisë Rong-guo dhe Shtëpisë Ning-guo, vendosur në dy komplekse të mëdha familjare, ngjitur, në kryeqytet. Në libër flitet për pasurinë dhe ndikimin e tyre në jetën e qytetit, deri në dekadencën e tyre, përmes fatit të rreth tridhjetë personazheve kryesore dhe mbi katërqind personazheve dytësore, që mbushin faqet e këtij libri me vlerë. Rivaliteti, miqësia romantike midis tre personazheve, në sfondin e fatit në rënie të familjes, formojnë historinë kryesore në roman.
Një komunitet i madh matriarkal endet në këtë libër, ku shohim vajza fatlume ose të pafata, shërbëtore ose zonja, gra ose konkubina. Një atmosferë e rrallë në të cilën luhaten personazhe të lumtura ose të trishtuara, mes shfaqjesh dhe gjëegjëzash, vizitash te perandori dhe në kultet e rafinuara fetare.
Kjo vepër është e përkthyer në mbi 30 gjuhë në Evropë e më gjerë. Është një nga ato vepra që edhe vetë specialistët e letërsisë në Kinë e cilësojnë si një nga gurthemelet e letërsisë klasike kineze.
Por, nëse në fjaën e saj, profesorja e Beijing Foreing Studiues University, Rui Y, foli për shpirtin feminist te personazhet e romanit, ky aktivitet shërbeu edhe si një kujtesë për gratë shkrimtare, për ata që e krijojnë vetë letërsinë. Në takim u diskutua në lidhje me feministet si Eileen Chang, Lu Yin, Ding Ling, deri tek autoret moderne të kësaj letërsie që erdhën përmes një diskutimi me panelistë të ftuar.
Zëri femëror në letërsinë kineze ka sjellë ide të reja dhe ka ndihmuar në zhvillimin e rrymave të reja letrare. Është interesant fakti se në Kinë letërsia e shkruar nga gratë mori formë falë lëvizjes "Letërsia e Re", e lindur në vitin 1917 nën ndikimin e shfaqjes së Henrik Ibsen "Shtëpia e një kukulle", botuar në 1879. Që atëherë deri më sot, kjo letërsi ka kaluar në disa etapa, në të cilat gratë kanë qenë protagoniste, duke trajtuar tema të tilla si: të drejtat e grave, gratë dhe revolucioni, gratë dhe burrat, gratë dhe dashuria, etj. Letërsia aktuale e shkruar nga gratë, është tejet interesante, realiste, subjektive dhe shumë e dobishme për të kuptuar më mirë Kinën e sotme. Ajo tregon progresin e një vendi në rrugën e rritjes dhe emancipimit shoqëror.
Neritana Kraja