Neptun Gjata është një artist shqiptar që jeton prej 30 vitesh në Trieste, Itali. Ai ka realizuar mjaft këngë të hiteve të muzikës botërore, të cilat i ka publikuar në kanalin YouTube. Para pak kohësh Neptuni u rikthye në Shqipëri në një event artistik në kuadër të festave të 7-8 marsit, organizuar nga Bashkia e Tiranës, me një formacion orkestral profesionist në drejtimin e dirigjentit të njohur Oleg Arapi. Neptun Gjata po realizon disa produksione muzikore në studion e Andrea Boçelit, falë njohjes me producentin e artistit të njohur italian. Në një intervistë për Radio Ejani Neptun Gjata tregon për aktivitetet artistike në Itali dhe Shqipëri, si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Jeni rikthyer në Shqipëri për të marrë pjesë në një aktivitet artistik me rastin e festave të 7-8 marsit. Si erdhi kjo ftesë dhe si u ndjetë në këtë koncert?
Neptun Gjata: Ftesa më erdhi papritur nga maestro Oleg Arapi kur ai ishte i ftuar nga unë për të marrë pjesë në Sanremo, ku kaluam një eksperiencë shumë të bukur. Atje më bëri ftesën për të ardhur në një festë titulluar “Aromë gruaje” për festat e 7-8 marsit, që u organizua në Shqipëri. Unë e pranova menjëherë ftesën dhe fillova punën për programin e koncertit, plus që ishte dhe ftesë nga Bashkia e Tiranës që organizonte këtë koncert.
CMG: Në këtë koncert ju interpretuat disa këngë të përzgjedhura nga hitet botërore dhe ato shqiptare.
Nepttun Gjata: Në program u përfshinë këngë italiane, franceze por dhe repertor shqiptar të kompozitorit Kujtim Laro, perlat e bukura të muzikës shqiptare. Gjithashtu interpretova dhe një këngë duet me sopranon me famë botërore Nina Muho. Kjo ishte kënaqësia ime më e madhe që mora pjesë në një event me Ninën, përkrah dhe me Olegun, një mjeshtër dhe maestro perfekt.
CMG: Cili ishte emocioni që përjetuat gjatë interpretimit live të këngëve me një orkestër profesionale?
Neptun Gjata: Ky koncert ishte organizuar me orkestrën sinfonike të RTSH-së, me orkestrantë profesionistë të shkëlqyer, ku ndjeva kënaqësinë më të madhe të debutoj me një orkestër sepse sot është e vështirë të këndosh me një orkestër se ka kosto shumë të lartë. Prandaj kjo ishte një rastësi e veçantë dhe një fat për mua që të këndoja me një orkestër profesioniste në drejtimin e maestro Oleg Arapi.
CMG: Si u ndjetë përkrah sopranos Nina Muho kur interpretuat një nga perlat e muzikës popullore shqiptare “Kur perëndon dielli”?
Neptun Gjata: Unë doja t’i përshtatesha Ninës sepse ajo është soprano, kurse unë jam një këngëtar liriko-modern dhe më shumë këndoj këngë të muzikës së lehtë dhe pop. Unë u mundova që t’i afrohesha një sopranoje me famë botërore, dhe mendoj se doli mirë sepse dhe njerëzit e pëlqyen. Kjo ishte një kënaqësi e madhe që të këndoja në shqip.
CMG: Vitet e fundit karriera juaj muzikore është përqëndruar në Itali sepse ju jetoni atje prej shumë vitesh, por e vizitoni shpesh Shqipërinë në evente të ndryshme. Çfarë emocioni përjetoni në skenën shqiptare sa herë vini në Shqipëri?
Neptun Gjata: Në Shqipëri vij më shumë për miqtë dhe shokët, pastaj për evente artistike dhe kjo më jep kënaqësinë më të madhe sepse kam shumë miq të mirë artistë. Gjithashtu dhe jeta artistike bëhet më e larmishme se kur ke miqësi dhe afrimitet me njerëzit, krijohet një atmosferë më festive dhe e këndshme ku këndon edhe më mirë.
CMG: Ju këndoni këngë të njohura të muzikës botërore, por edhe këngë shqiptare. Ju pëlqen të interpretoni këngët e huaja apo ato shqiptare?
Neptun Gjata: Në muzikën e huaj më pëlqen shumë zhanri liriko-modern sepse jam më i impostuar, por edhe muzika pop. Përsa i përket muzikës shqiptare më pëlqen muzika e lehtë, ajo muzikë që ka qenë dikur dhe që është më e bukur dhe e mirëfilltë. Gjithashtu më pëlqen të interpretoj edhe këngë popullore shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe ato vlonjate, sepse unë jam nga Vlora.
CMG: Keni kënduar më përpara këngë poullore qytetare vlonjate?
Neptun Gjata: Po, kam kënduar me ansamblin “Labëria”, por kanë ndryshuar shumë shijet e mia muzikore kohët e fundit dhe ndonjëherë nuk arrij dot t’i këndoj si dikur. Megjithatë këngët popullore më pëlqejnë sepse jemi formuar nga kjo lloj muzike, që sot kemi hapur dhe horizonte jashtë shtetit.
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj në Festivalin e Sanremos, ku ishit me maestro Oleg Arapin. Besoj se krijuat shumë kontakte me artistë të njohur në këtë event?
Neptun Gjata: Për mua ishte fat i madh të merrja pjesë në një festival “Rumore Bim Festival” që u organizua në Rimini, dedikuar Rafaela Karasë. Aty ishin mbi 2500 veta dhe unë dola nga 50 më të mirët në finale. Pas koncertit u njoha me producentin dhe menaxherin e Boçelit, që më ofroi një bashkëpunim në studion e Boçelit ku kam realizuar dhe coverin e parë të Minës dhe do të bëjmë dhe një tjetër këngë. Kështu që 50 këngëtarët më të mirë shkuam në Sanremo, ku unë ftova dhe Olegun sepse kërkohet që “Rumore Bim Festival” në edicionin e dytë ta sjellin dhe në Shqipëri. Do të jetë Olegu ai që do të përgjigjet për Shqipërinë nëpërmjet ndihmës së Mauricio Martelinit dhe stafit të “Rumore Bim Festival”. Në Sanremo kemi takuar të gjithë artistët pjesëmarrës dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur, festa e muzikës italiane dhe botërore sepse Sanremon e shikon e gjithë bota.
CMG: Si erdhi oferta nga producenti i Boçelit që ju të regjistroni këngë në studion e tij?
Neptun Gjata: Ishte fat dhe tani do të shikojmë se si do jenë shikimet në kanalin YouTube dhe nëse do kem sukses. Mendoj se jo kushdo mund të shkojë në studion e Boçelit sepse aty shkojnë artistët më mirë të muzikës botërore. Për mua është një fat i madh dhe privilegj që shkoj të regjistroj këngë atje dhe punoj me menaxherin e tij.
CMG: Keni shumë vite që jetoni në Trieste të Italisë, Si është një ditë e zakonshme e juaja në këtë qytet?
Neptun Gjata: Zakonisht unë bëj një jetë normale dhe kërkoj të jem gjithmonë me këmbët në tokë duke bërë një jetë si gjithë njerëzit e tjerë me thjeshtësi. Unë merrem me një të sëmurë që quhet Paolo dhe e përshëndes. Për mua puna është nder, çfarëdolloj pune të jetë sepse duhet të jetojmë. Pastaj kur merem me artin jam tjetër njeri, pra i kushtohem muzikës dhe kërkoj që t’i lidh të dyja punën dhe artin bashkë, duke u bazuar te puna për të jetuar dhe për të investuar në art. Kjo është diçka për të ecuar përpara dhe këto mendoj që i kam organizuar mirë deri tani dhe të shikojmë më vonë se ku do arrij.
CMG: Përveç muzikës keni ndonjë pasion tjetër në jetë?
Neptun Gjata: Pasion kam udhëtimet dhe nëpërmjet muzikës më pëlqen gjithmonë të lëviz, por duke pasur dhe punën janë pak të kufizuara lëvizjet. Gjithashtu më pëlqen edhe sporti, por arti dhe muzika janë pasionet e mia.
CMG: Jeni i lumtur që ju kanë mbështetur edhe artistët italianë?
Neptun Gjata: Kur marr pjesë në Itali në koncerte dhe konkurse të ndryshme ka plot artistë italianë dhe kur shikojnë që ka talent një artist të mbështesin dhe të japin mundësinë. Unë për këtë jam shumë i lumtur dhe me fat.
CMG: Cilët janë këngëtarët italianë që ju preferoni më tepër të këndoni dhe këngët e tyre?
Neptun Gjata: Ka plot artistë italianë që janë shumë të mirë, por mua më pëlqen me Xhorxhian të bëj një duet, por nuk e di nëse do ta arrij dot, meqenëse ajo bën regjistime tek studio e Boçelit. Unë preferoj Xhorxhian, Elizën që janë këngëtaret më të mira sot në Itali për mendimin tim.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Neptun Gjata: Projekti që kam tani është me menaxherin e studios së Boçelit ku po pregatisim coverin e dytë dhe po pregatitem të rikthehem në sezonin e dytë të “Rumore Bim Festival” si finalist.
Intervistoi: Gazmend Agaj