Paga minimale 40 mijë lekë, nga 1 prilli në fuqi
2023-03-13 10:36:25

Paga(Foto Buletini ekonomik)

Paga(Foto Buletini ekonomik)

Nga 1 prilli i këtij viti, në Shqipëri do të rritet niveli i pagës minimale. Nga 34 mijë lekë që është aktualisht, paga minimale do të arrijë në 40 mijë lekë, sipas vendimit që qeveria mori këtë të mërkurë edhe për të lehtësuar pasojat e inflacionit. Eksperti kontabël Armand Mala thotë në një intervistë për mediat se kjo është rritja më e madhe e bërë.

“Është hera e parë në fakt që bëhet kapërcim në këtë nivel prej 6 mijë lekësh, por kur them kapërcim i madh aktualisht them prej 4 mijë lekësh. Ky kapërcim prej 6 mijë lekësh do të sjellë një kosto për bizneset për secilin pronar të tyre, kur kjo kosto do të përbehet prej 6 mijë lekësh që është rritja e pagës dhe sigurimet pjesa e punëdhënësit që shoqëron këtë rritje page. Pra në total për çdo punonjës biznesit do t’i kushtojë 7 mijë lekë ndryshim në pagën minimale. “- thotë Mala.

Ky ndryshim sjell kosto shtesë për bizneset që kanë kategori punonjësish me këtë nivel page. Po ashtu ndryshimi do të reflektohet edhe tek pagat e larta ku do të rriten kostot.

“Bizneseve do t’u kushtojë paga e rritur 6 mijë lekë për 1 mijë lekë sigurime shtesë nga pjesa e punëdhënësit. Për dy të punësuarit, duke qenë ky kapërcimi nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë do të mbartet me kosto të shtuara për sa i përket sigurimeve. Këto llogaritje të jenë 1800 lekë të reja në muaj. Duhet treguar kujdes, ose më saktë kosto do shoqërohet dhe me kufirin e sipërm të sigurimeve që do të thotë dhe tavani i sipërm i sigurimeve shoqërore do të rritet tashmë, pasi dihet që sa herë ndryshon kufiri poshtë me sigurimet ndryshon dhe kufiri i sipërm dhe kjo shoqërohet me rritje kostosh për bizneset dhe për pagat e larta, jo vetëm për pagat minimale. Nga ana tjetër, kjo zhbën edhe atë ndryshim që qeveria bëri për ndryshimin e kufirit nga 150 në 200 mijë për pagat e larta në zërin e tatimit. Pothuajse ky ndryshim do të eliminohet sepse do të kompensohet ajo çfarë ne do kursejmë në tatime dhe paga do të mbulohet me shpenzime shtesë në sigurimet”- thotë eksperti.

Armand Mala (Foto Gazeta shqip)

Armand Mala (Foto Gazeta shqip)

Ekspertët e lidhin këtë ndryshim të pagës minimale me nevojën për shkak të rritjes së çmimeve dhe ndryshimeve ekonomike në botë.

“Kanë qenë shumë të shpeshta dinamikat, po të kujtojmë ndryshimet e fundit janë shumë të shpeshta. Nuk ishte praktikë e qeverive që të ketë ndryshime kaq të shpeshta në pagat minimale, por duke iu përgjigjur dhe praktikave botërore të ndryshimeve ekonomike, po merren këto masa. Nëse kthehemi në 2018 kjo pagë ka qenë 24 mijë lekë dhe tani po flasim për 40 mijë lekë, kur vetëm vitin e kaluar paga ndryshoi dy herë, një në prill dhe në shtator, pra duke kapërcyer në nivelet që është aktualisht. Po të krahasojmë me rajonin realisht në Shqipëri paga minimale është më e ulët. Por a janë gati bizneset? Kjo nuk është diçka e lehtë pasi kujtojmë që vijmë nga periudha të vështira, qoftë nga pandemia që ndikoi masivisht bizneset apo qoftë nga situata aktuale ekonomike që preku bizneset gjithsesi.”,u shpreh ai

Ekspertët thonë se rritja e pagës minimale duhet të shoqërohet edhe me studime nësë ndikon në rritjen e konsumit final.

“ Normalisht kjo rritje duhet të jetë e shoqëruar me studime, pasi në rast se arrihet të përkthehet në rritje të konsumit në nivel makro ekonomik, atëherë duhet parë si diçka pozitive. Por në rast se kjo rritje thjesht ngarkon bizneset me një kosto të shtuar dhe akoma më keq vazhdon fenomeni kthejnë paratë mbrapsht, është për të ardhur keq. pNe ndeshim shpeshherë në zonat rurale këtë fenomen. Kjo është një pjesë ku ndoshta duhet të behët një fokus i madh, sepse nuk ka kuptim ndryshimi i pagave minimale nëse punonjësit vijojnë të kthejnë paratë në kompani. Madje edhe një fenomen shumë i shëmtuar. Në rast se vazhdon kjo praktikë atëherë është thjesht që kemi ngarkuar biznesin me kosto ekstra për sigurimet, por në fakt ai për të cilin po bëhet gjithë ky ndryshim, punonjësit nuk po përfitojnë. Kujtojmë që kjo është vërtet shtresa që ka më shumë nevojë për tu mbështetur. “- shprehet eksperti.

Shtesë page(Foto lajme.al)

Shtesë page(Foto lajme.al)

Eksperti Mala ngre shqetësimin e politikave fiskale shtrënguese ndër vite.

“Vitin e fundit politikat fiskale kanë qenë vetëm shtrënguese, është shumë e vështirë të kujtojmë diçka që ka lehtësuar biznesin, pra çdo gjë, çdo ndryshim pakete ka sjellë vetëm shtrëngim apo rritje të tatimeve apo të këtyre elementeve që do të shoqërohet me kosto të biznesit. Ka qenë praktikë dhe normalisht ka logjikë ku çdo masë shtrënguese që bëhet për një mijë arsye por kryesorja është që të formalizohet tregu, të shoqërohet me lehtësira nga ana tjetër parimet si fiskale që të stimulojë dhe bizneset. Për të ardhur keq që nuk ka ndodhur diçka e tillë. Ne kujtojmë nismën dhe ndryshimin rrënjësor që është fiskalizimi, që u trumbetua me të madhe dhe gjithë thelbi i kësaj ishte që të formalizohet me shumë ekonomia dhe të rritet baza e tatimpaguesit, të cilët kontribuojnë në ekonomi. Në këtë formë do rriteshin të ardhurat dhe të kishte mundësi që ndoshta të bëhen dhe politika fiskale, por pa ndërmarrë frytet e kësaj, ndodhemi në kushtet shtrënguese. Pa marrë frytet e fiskalizimit ne nuk presim por vazhdojmë të shtrëngohemi. Ndoshta duhet të shoqërohet me disa politika lehtësuese fiskale që biznesi të mos mbyllet.”- shprehet Mala

Qeveria ka miratuar edhe një tjetër vendim për subvencionimin e rritjes së kostos së kontributeve shoqërore duke filluar nga muaji dhjetor, që shkon në ndihmë të sektorit të bujqësisë, pyjeve e peshkimit, si dhe të industrisë përpunuese