Kryeministri Li Qiang në konferencë shtypi/ Xinhua
Pas mbylljes së sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës të hënën, kryeministri kinez Li Qiang dha një konferencë shtypi në Pekin për gazetarët vendës dhe të huaj. Kur iu përgjigj pyetjeve rreth zhvillimit ekonomik të Kinës, Li Qiang shprehu besim të plotë në perspektivat ekonomike të Kinës, duke thënë se ato janë premtuese, me gjithë sfidat e vështirësitë.
Foto: VCG
Kreu i qeverisë kineze tha se gjendja e tanishme ekonomike botërore në përgjithësi nuk është optimiste dhe ka shumë faktorë të paqëndrueshëm, të pasigurt dhe të paparashikueshëm. Stabilizimi i rritjes është një test për të gjitha vendet e botës. "Këtë vit, objektivi i rritjes ekonomike të Kinës është vendosur në rreth 5 %, pas marrjes parasysh të të gjithë faktorëve të ndryshëm. Arritja e këtij objektivi nuk është e lehtë dhe ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona, duhet të bëjmë një kombinim të mirë të makropolitikave, të zgjerojmë kërkesën, reformën e inovacionin, të parandalojmë e të zbutim rreziqet dhe të vazhdojmë të përshtatemi e përmirësohemi sipas nevojave praktike," tha ai.
Foto: VCG
Li shtoi se qeveria e re duhet të zbatojë siç duhet në punën e saj vendimet e Komitetit Qendror dhe t'i kthejë planet e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së në skica ndërtimi e t'i realizojë ato me përpjekjet e popullit. Puna e qeverisë duhet të planifikohet e të nxitet që të jetë më afër me ndjenjat e popullit, duhet të promovohet fort zhvillimi me cilësi të lartë dhe të forcohen në mënyrë të vazhdueshme vrulli dhe gjallëria e zhvillimit gjatë thellimit të reformës.