Olsa Spata, pas suksesit tek “Ethet” dhe “The Voice” së shpejt me projekte të reja
2023-03-12 16:28:59

Olsa Spata

Olsa Spata

Olsa Spata Bollguri ka lindur në qytetin  e Beratit, ku edhe është aktivizuar në koncerte me shkollën e më gjerë. Ka marë pjesë që në klasë të parë në konkurse të ndryshme ku ka fituar çmime të para. Në Lushnje në një koncert për Vaçe Zelën duke u ndarë me çmimin e parë, si edhe pjesëmarrëse në këtë periudhë në Festivalin për Fëmijë në Shkodër, etj. Në një skenë të madhe ajo spikati në spektaklin “Ethet e së Premtes” kur stafi i këtij spektakli muzikor ndaloi në qytetin e  Beratit, në shkollës e mesme të muzikës ku Olsa studionte për kanto. Aty e përzgjodhën për të vazhduar këtë rrugëtim artistik deri në finale. Menjëherë atë vit ajo konkurroi në Festivalin e 43-të të Këngës në RTSh me këngën “Pritje”, ndërsa vazhdonte që të interpretonte live në ambiente të ndryshme, i erdhi një ftesë për të marrë pjesë në “The Voice off Albania”, një eksperiencë e bukur që përsëri e çoi deri në finalen e madhe. Edhe pse s’ka qenë prezente nëpër festivale, ajo është pjesë e interpretimeve live ku këndon me këngëtarin Land Kadëmi, gjithashtu e shoqëron në kitarë bashkëshorti i saj dhe banda e saj muzikore. Në intervistë për Radio Ejani ajo rrëfen për karrierën e saj artistike, si dhe për një rikthimin e fuqishëm së shpejti me materiale të reja muzikore, por gjithashtu edhe me një projekt shumë të veçantë.

 

CMG: Ti je njohur tek "Ethe-t" ku ke qenë deri në finale, më pas tek "The Voice". E  ke nisur muzikën që e vogël, u bë një jetë me muzikën edhe pse nuk të kemi parë në shumë festival, ke sjellë një bashkëpunim me këngëtarin Land Kadëmi. Si erdhi ky bashkëpunim?

Olsa Spata: Në periudhën  pas pandemisë ku sidomos për ne artistët nuk ishte një kohë e mirë, menduam që të realizonim diçka në studio, një këngë shumë të njohur nga Toto "Afrika", që është një nga këngët më të famshme në botë. Punuam gjatë pandemisë për këtë cover dhe  pasi e konsoliduam, menduam t’i bashkëngjisnim një videoklip dhe kështu e publikuam si një cover të plotë.

CMG: Ke kohë që njihesh me Landin?

Olsa  Spata në intervistë  për CMG

Olsa  Spata në intervistë  për CMG

Olsa Spata:  Me Landin njihem që në periudhën kur kam qenë në spektaklin "The Voice", rreth 8 vite më parë. Ne kemi gjithashtu një bandë muzikore së bashku prej 3-4 vitesh, e cila është e përbërë nga unë, Landi, Davidi bashkëshorti im dhe bateristi Gledi.

 

CMG: Në këtë cover pamë se vokalet tuaja kombinonin shumë mirë. Por a keni menduar që të realizoni një këngë të re tuajën në duet?

Olsa Spata: Në fakt unë me bashkëshortin tim Davidin, kemi shumë plane së bashku, sepse Davidi është edhe tip që krijon këngë, kemi plane që nisin për duete, këngë solo, por nuk kemi vendosur ende. Muzikantët janë persona pak të rrëmujshëm në këtë aspekt, por kemi disa ide, le të shpresojmë të shkojnë mrië. Unë në vazhdim dua që të fokusohem edhe tek karriera ime solo, kemi shumë këngë të pa publikuara  nga e  kaluara, por edhe në të ardhmen nuk i dihen.  Ky është fokusi im,  që të kaloj si soliste.

CMG: Cila është rryma muzikore që i përshtatet vokalit tënd?

Olsa Spata: Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Kryesisht jam tek pop- rrok, por kaloj edhe nga jazzi, kam qejf të eksperimentoj si me rrymat ashtu edhe me vokalin. Dikur kam eksperimentuar me rrok- alternative, për në vazhdim po e lë surprizë.

CMG: Nëse një artist ka të preferuar rrymën muzikore rrok, domosdoshmërisht duhet t’i shkojë vetëm kjo rrymë muzikore vokalit?

Olsa Spata: Nuk është e thënë se nëse e pëlqen një rrymë muzikore,  duhet të këndosh  patjetër rrok, sepse ka vokale që i përshtaten çdo lloj rryme. Ka këngëtarë që mund t’i shohësh në profilin rrok, por edhe në xhaz, në bluz, etj.

CMG: Ku fle më shumë vokali yt?

Olsa Spata:  Vokali im, tek pop, rrok, por edhe xhazi nuk mbetet prapa, sepse unë këndoj  shumë këngët e Emy Winehouse, që e kam edhe të preferuarën time. Është një pyetje e vështirë, sepse tek muzika nuk zgjedh dot.

Olsa SPata në interpretimet live me bandën e saj muzikore

Olsa SPata në interpretimet live me bandën e saj muzikore

CMG: Olsa, ti që e vogël merresh me muzikë, por kush e zbuloi talentin tënd?

Olsa Spata:  Personi që e kuptoi që kisha një vesh muzikor ishte nëna ime e para që e konstatoi këtë gjë. Kur ndiqnim festivalin e fëmijëve, por edhe festivalin e RTSh-së , i këndoja këngët e preferuara për dy javë rresht. Më pas mora çmim të parë në rang rrethi, kur isha e vogël në klasë të pare. Kam marrë pjesë në festivalin e fëmijëve në Shkodër me një këngë në duet ku u vlerësuam me çmimin e tretë.  Dikur i angazhonin fëmijët e talentuar, bëheshin koncerte dhe të mund të identifikoshin talentet. Pas shkollës 8-vjeçare, për mua nisi një rrugëtim tjetër në qytetin e Beratit, ku u regjistrova në shkollën e muzikës "Ajet Xhindole",  ku pranohen pa konkurs në degën e Kantos,duke studiuar me profesorin tim Dhimitër Dushi, vëllai i këngëtarin Kozma Dushi. Shkolla ka patur aktivitetet e veta në atë kohë dhe duhej një repertor vetëm klasik, nuk më lejohej që të shkoja në koncerte e të këndoja këngë të zhanreve të ndryshme. Në atë kohë erdhi stafi i spektaklit "Ethet e së premtes", ku kërkoheshin talente nga  dega e Kantos. Të gjithë talentët u mblodhën në Pallatin e Kulturës "Margarita Tutulani" në Berat. Mbaj mend që ka qenë një ditë shumë e ftohtë, por u përzgjodha në atë audicion dhe erdha në Tiranë. Kjo ka qenë dalja ime  e parë në rang kombëtar.

CMG: Si ishte kjo eksperiencë për ty?

Olsa Spata: Ishte super eksperiencë sepse ishte talent show i parë që mbahej në Shqipëri dhe shumica e këngëtarëve që kemi sot kanë dalë nga këto audicione, Elvana Gjata, Rona Nishliu, etj.

CMG: Ti pas “Etheve”  more pjesë në Festivalin e RTSh-së.

Olsa Spata: Po ka qenë ai vit që sapo mbarova “Ethet”, mora pjesë aty. Kompozitori Shpëtim Saraçi më prezantoi këngën  nga Spartak Tilin, të cilën e realizuam në studion e Saraçit. Mbaj mend që atë vit në 2004 kanë qenë edhe konkurrentë të tjerë të “Etheve”, ishte si një lloj afirmimi të arristëve të rinj.

CMG: Si e kujton sot atë konkurrim mes  këngëtarëve big?

Olsa Spata

Olsa Spata

Olsa Spata: Ajo faza e provave të festivalit ka qenë interesante, aty mëson çdo gjë sheh si këndohet, teknikat etj, një eksperiencë shumë e bukur.

CMG: Duket sikur kompeticionet kanë qenë më të dashura për ty se vetë festivalet?

Olsa Spata:  Kanë qenë “Ethet” e më pas ‘Voice”, ku shkova me ftesë nga stafi. E konsiderova si ftesë, hyra në audiocione, kisha  ndërkohë edhe eksperiencën nga këndimet live. Dola shumë mirë dhe më pëlqeu si eksperiencë.

CMG: Unë të mbaj mend që në momentin e parë kur u prezantove në “Voice”, si një artiste e kompletuar me një eksperiencë në interpretimet live.

Olsa Spata: Unë shkova për garë, njëkohësisht edhe për ta shijuar . Por edhe aty ishte një platformë për të zgjuar emrin që kisha, mbi të gjitha jam kënaqur shumë.

 

CMG:Me cilët nga konkurrentët kishe raporte më të mira .

Olsa Spata: Me Kejsin, Aslaidon etj.

CMG: Olsa a do të të shohim në  skenat e festivaleve?

Olsa Spata: Në momentin e parë që do kem këngën e duhur do të marr pjesë në festivale. Në të kundërt mund të më ndiqni në ambient të ndryshme ‘live’ në Tiranë ku unë performoj.

CMG: Sa vite ke që interpreton me bashkëshortin live?

Olsa Spata: Kemi mbi 15 vjet që interpretojmë bashkë live.

CMG: Cili është repertori juaj?

Olsa Spata: Kemi në repertor këngë shqiptare, por edhe këngë të njohura të huaja janë pjesë e repertorit tonë, ku interpretoj momentalisht në duet edhe me Landin. Për më shumë na ndiqni në instagramin tim.

CMG: Unë kam ardhur sot në studion tënde ku ishe duke punuar. Do më tregosh më tepër rreth këtyre materialeve?

Olsa SPata në netët live

Olsa SPata në netët live

Olsa Spata: Jam duke punuar për disa projekte, ku shumë shpejt do më shihni. Nuk dua t’i flas gjërat para kohe. Por do jetë një projekt shumë i këndshëm , le t’ja lemë kohës.

CMG: Përpos materialeve dhe projekteve të  ndryshme muzikore, ti po punon edhe për një projekt të krishterë. Më trego më tepër për këtë gjë

Olsa Spata: Jemi duke punuar për një koncert me këngë të krishtera, kemi zgjedhur sfatin më profesional të mundshëm në Shqipëri, ata më të mirët do jenë pjesë e këtij projekti shumë shpejt.

CMG: Olsa si është një marrëdhënie bashkëshortore, kur bashkë i lidh edhe arti?

Olsa Spata: Sa mirë duket aq edhe sfiduese është. Ato mosmarrëveshjet e karaktereve, megjithatë merremi vesh dhe luftojmë për të mirën e përbashkët.

CMG:Cili bën më shumë kritika?

Olsa Spata: Që të dy, por unë jam më shumë kërkuese. Bashkëshorti im Davidi, është kitarist shumë i talentuar, ka studio muzikore ku punon krijimet e veta ku e zotëron shumë mirë , orkestron, masterizon, etj.

CMG: A kanë talent fëmijët tuaj?

Olsa Spata: Vajza është violiniste, djali është pianist, pra janë të profilizuar si prindërit e tyre dhe kanë talent.

Intervistoi: Sava Lena