Suedia dhe Finlanda diskutojnë anëtarësimin në NATO me Turqinë
2023-03-12 18:05:36

Foto:VCG

Foto:VCG

Përfaqësuesit e Suedisë, Finlandës dhe Turqisë zhvilluan bisedime në Bruksel për të diskutuar përparimin në përmbushjen e kushteve të Turqisë për të rënë dakord për pranimin e vendeve nordike në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), njoftoi Aleanca në një deklaratë, citon “Xinhua”.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t'u bashkuar me NATO-n, por u përballën me kundërshtime nga Turqia, anëtare e NATO-s, me arsyetimin se të dy vendet strehojnë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të konsideruar si një grup terrorist nga Ankaraja zyrtare.

Foto:VCG

Foto:VCG

Pranimi ka nevojë për një marrëveshje unanime nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

Sipas deklaratës së NATO-s, pjesëmarrësit mirëpritën përparimin që ishte bërë në një marrëveshje trepalëshe të quajtur Memorandumi Trilateral, i arritur vitin e kaluar në Madrid, që synonte të kënaqte ankesat e Turqisë.

Pjesëmarrësit ranë dakord gjithashtu se ratifikimi i shpejtë për Finlandën dhe Suedinë do të ishte në interesin e NATO-s dhe se anëtarësimi i tyre do të forconte bllokun, thuhet në deklaratë.

“Finlanda dhe Suedia kanë ndërmarrë hapa të paprecedentë për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë turke. Tani është koha që të gjithë aleatët të përfundojnë procesin e ratifikimit dhe të mirëpresin Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të plotë të aleancës përpara Samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius”,- deklaroi shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Të tre vendet ranë dakord të takohen përsëri në të njëjtin format përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në korrik. (Irma)