Hysni Zela (Facebook)
Hysni Zela është një këngëtar i tonaliteteve të larta, që identifikohet më shumë me muzikën e lehtë dhe popullore folklorike. Falë zërit dhe fuqisë së tij ai arriti të depërtonte e t’ja dilte të fuqizohej. Hysni Zela mbetet një interpretues i timbrikës së këngës së mirëfilltë popullore, duke qenë se nuk del jashtë vijës melodike origjinale. Përsa i përket qëndrimit të tij në skenë, vlerësohet mjaft fakti, që pavarësisht që ai ia doli të mbijetonte me muzikën e tij dhe qëndroi pa u larguar jo vetëm nga vendi, por edhe nga skena. Hysniu ka qenë pjesë e trupave artistike dhe ka dhënë shfaqje në skenat e mbi 35 shteteve, duke përfshirë edhe Kinën, Indinë, Kanadanë dhe Australinë. Mbështetur në kontributin e madh në fushën e këngës popullore, Hysni Zela mban titullin “Mjeshtër i Madh”. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e karrierës së tij artistike si dhe aktivitetet e shumta brenda dhe jashtë vendit.
CMG: Çfarë do të kujtoni nga gjithë karriera juaj e gjatë artistike dhe emocionet që keni përjetuar në gjithë këto vite në skenë?
Hysni Zela: Unë kur e kam filluar artin kam qenë shumë i ri, në moshën 15-16 vjeçare. Fillimet e mia kanë qenë në pallatin e kulturës ku ishte kompozitori Enver Shëngjergji, me të cilin i kam fillimet e para, por natyrisht unë këndoja muzikë të lehtë. Me thënë të vërtetën unë punoja si elektriçist në ndërtimet ushtarake dhe të dielave kisha dëshirë për të kënduar, aq më tepër që motra ime ishte këngëtare e famshme. Aty kam interpretuar shumë këngë të kënduara nga këngëtarët e festivalit. Më vonë shkova ushtar dhe krijova një grup në Dardhë të Korçës me vajzat dhe djemtë e fshatit, që ishte një gjë shumë e bukur me rininë e fshatit. Atje unë mësova si ta shpalos artin, pastaj kur erdha këtu hyra në punëtorinë ushtarake, ku kishte shumë simpatizantë që më donin. Aty ishte Petraq Bako nga Durrësi, i cili më tha që të shkoja te qendra e zërit dhe të këndoja. Prej aty lindi dëshira që të merrja pjesë në festivale, meqë dhe Vaçja ishte këngëtare e muzikës së lehtë edhe unë kisha shumë dëshirë të këndoja.
Hysni Zela gjatë një performance në skenë (facebook)
Unë kam dalë në tre komisione dhe pasi fitova donin të më çonin në Konservator, por nuk shkova. Unë hyra në ansambël edhe pse babai im nuk donte. Fillova të gjurmoja këngën popullore sepse më pëlqente shumë polifonia dhe u detyrova që të fusja polifoninë në ansambël. Unë kam kënduar me Sali Brarin, Agim Konçin që ishin zëra shumë të bukur.
CMG: Si e kujtoni kohën kur ishit pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe koncertet që keni mbajtur këtu dhe jashtë shtetit?
Hysni Zela: Unë kam shkuar në rreth 34 shtete të botës, nga Australia dhe deri në Indi. Angli, Kinë dhe Holandë. Nuk kam qenë vetëm në Japoni, Rusi dhe Egjipt. Kujtoj që kur kemi shkuar në Indi, thoja që mirë nga Europa e pëlqejnë polifoninë, por a do të kisha sukses me këngët e mia sepse unë bëja pjesë me “Fanfara Tirana” pasi në moshën 60 vjeç dola në pension nga ansambli. Unë doja të gërmoja sepse kisha hyrë në shpirtin e popullit dhe të gjeja se çfarë i pëlqen popullit, jo vetëm polifonia që e kishim të parën kur shkonim me grupin, por këndoja dhe këngë solo. Kur këndoja “Xhixhilenë” në Indi e gjithë salla kërcente, pra edhe atje e gjeta vetveten. Koncerti në New Delhi kishte një sukses të jashtëzakonshëm, ku dhe gazetat kanë shkruar për suksesin e tij.
CMG: Si ka qenë eksperienca juaj kur keni shkuar në Kinë për koncert?
Hysni Zela: Në Kinë të ikte mendja dhe ne kemi pasur shumë sukses, ku gjithë rinia që ishte aty fillonin e qanin sepse ne ishim dhe me një grup anglez ku një këngëtar amerikan bënte recitative, kurse unë bëja folklorin dhe ndonjë gjë të përpunuar të bukur. Në Shangai kemi qëndruar 10 ditë dhe kemi pasur shumë sukses. Ne ishim dhe në Pekin, por pas disa ditëve kemi shkuar dhe në një fshat me avion. Kur shkuam atje zbritëm në një qytet madhështor me 13 milion banorë. Në Kinë më kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe unë ruaj nga ai udhëtim një poster të bukur me kostum popullor sepse isha i vetmi këngëtar bashkë me një këngëtar tjetër amerikan.
Hysni Zela në intervistë për CMG
CMG: Si jeni ndjerë në skenë me veshjen popullore, fustanellën e bukur të trevës së Myzeqesë?
Hysni Zela: Unë jam myzeqar dhe prindërit e mi nuk kanë veshur takije. Takijet i mbanin zonat e Krutjes dhe të tjera zona. Kurse ne jemi të Darcisë ku e mbajnë qeleshen si Elbasani. Të them të vërtetën kostumin nuk e vendosja unë, por kishte një komision që vendoste dhe unë këndoja kryesisht polifoninë në atë kohë. Pra kostumi i bukur i imi ishte i caktuar nga komisioni dhe ata thonin që Hysniu gjithë ky trup i madh që mbush sallën i duhet fustanella. Ne kemi dalë me fustanella kur kemi kënduar “Janinës ç’i panë sytë”. Unë kurrë nuk këndoj me veshje civile sepse nuk këndon dot. Kostumi popullor sikur plotëson të përgjithshmen dhe unë e kam timin kostumin, madje bashkëshortja ime e lante këmishën dhe fustanellën. Që të hekurosësh një fustanellë zonjës së shtëpisë i duhet më tepër se një orë që ta hekurosë palë palë. Unë kur dilja në skënë e shikoja vetën në pasqyrë, dhe më thoshte Vaçja që kur të dalësh do t’i thuash vetes që unë jam më i miri. Në atë kohë unë isha i ri, por fjalët e saj më udhëhiqnin përpara. Kur hyja në skenë salla duartrokiste dhe në shumë vende të botës fustanella ishte kryesorja. Kur shkoja me ansamblin ose privatisht me grup polifonik, gjithmonë vishesha me fustanellë.
CMG: Ruani ndonjë kujtim në skenë bashkë me motrën tuaj, artisten e madhe Vaçe Zela?
Hysni Zela: Unë kam kënduar disa duete me Vaçen, por emocioni ishte shumë i madh. Unë më tepër kisha emocion që këndoja me Vaçen sesa që këndoja përpara publikut. Kur këndoja me Vaçen ishte shumë e vështirë sepse kur të dilja ajo do të më bënte vërejtje. Kur ishim në sallë më thotë dikush që hajde Hysni tunde tani dhe mos ki emocion, dhe bëj kujdes mos të harrosh fjalët. Ne kishim tre muaj që bënim prova, por unë isha i ri dhe kisha emocion se këndoja me të madhen Vaçe Zela. Kur kam dalë në skenë me duet myzeqar e filloja këngën me iso, kur ajo e mbaronte merrja unë pjesën time. Kam kafshuar gjuhën nga emocioni dhe në vend që të bëja strofën e parë bëra strofën e dytë dhe pashë një dorë të motrës sime që më kap kurrizin dhe më shtërngon fort. Kur dal duartrokitjet ishin të mëdha sepse këndonin motër e vëlla, qoftë kur hynim në skenë. Kur dola më tha Vaçja “sa mirë të priti publiku, por ç’pate ti ashtu?” Unë i thashë “po ti ç’pate që më vure mua dorën edhe pse isha prapë i hutuar”, por ajo filloi duke qeshur.
Hysni Zela me veshje popullore (Facebook)
Kam kënduar jo vetëm polifoninë, por me Vaçen kemi kënduar dhe një këngë e titulluar “Pushkë e zemër”, e Tonin Arapit shumë e bukur. Këtë këngë e kam kënduar me Ansamblin e Ushtrisë me Kujtim Laron. Unë kam kënduar disa këngë dhe me Ansamblin e Ushtrisë si dhe kam marrë pjesë në disa filma që kam kënduar. Kam kënduar në kolonën zanore të filmit “Guna përmbi tela”, dhe e kam kënduar aq bukur atë këngë në film.
CMG: Ju përveçse një këngëtar me zë të veçantë luani dhe në instrumente popullore. Si i mësuat këto instrumente?
Hysni Zela: Vaçja më thonte që lala jonë i ka pas rënë fyellit kur ajo ka qenë e vogël. Unë vetë nuk e kam dëgjuar, mirëpo fillon dhe të hyn vetë në qejf sepse është një lloj trashëgimie që vjen pa e kuptuar. Unë kam shkuar në të gjithë fshatrat e Shqipërisë për të mbledhur këngë. Kam qenë tek shtëpia e fylltarëve dhe ata ishin qiellorë, duke krijuar zërat e bukur brenda tyre, plus shpirtmadhësia e tyre, mikëpritja shumë vëllazërore. Ata e kishin për nder që unë kisha shkuar atje. Unë i bija dhe dyjares, zumareve e pipzave. Po t’i dëgjosh unë kam disa ndërhyrje me instrumente me fyej të Gramshit. Me kompozitorin e madh Edmond Zhulali kam realizuar albumin dhe ai më thonte se ku do t’i gjejmë fyejt e Gramshit sepse ka shpenzime udhëtimi. Unë i thashë që i bie vetë fyellit dhe kur arriti që unë i çova fyejt dhe arrija të krijoja tingujt, jo ato që shiteshin nga gjithë bota por të krijoja një gjë shumë interesante me kungujt e gardhit që shkoja i mblidhja në Gramsh dhe në Lushnjë nëpër fshatra. Gjithmonë unë kam pasur merak se çfarë mund të bëjmë ne me polifoninë, qoftë dhe me këngët e tjera në përpunim. Fakti është se ne kemi pasur kompozitorë shumë të mirë, që e përpunuan dhe krijuan shumë gjëra të bukura në atë kohë. Mirëpo nuk arritën që ta transformonin jo në kuptimin e keq këngën polifonike se polifonia pëlqehej shumë.
Polifonia ishte qiellore kur këndohej. Unë kur kam krijuar grupin në fillim këndonim këngë të ndryshme polifonike dhe ishin zëra të lindur të nënave të tyre, kurse ne e kishim marrë nga ata, por natyrisht edhe me një përpunim. Ne kur e këndonin polifoninë në atë kohë në Tropojë, Lushnje, Berat apo dhe në Tiranë thonin që në fillim po bie shi kur këndonim polifoni. Mirëpo ne arritëm me punën tonë krijuese, që bënte dhe dirigjenti që nuk jeton më Xhemal Laçi, i cili ishte jashtëzakonisht punëtor dhe njeri i mirë.
Hysni Zela në skenë (facebook)
CMG: A kishte në atë kohë zëra polifonikë nëpër rrethe?
Hysni Zela: Natyrisht që kishte, polifonia kishte zëra brilantë siç ishte Arian Shehu i Gjirokastrës një zë shumë i bukur që dridhej mali, zë i bukur ishte dhe miku im Nazif Çela. Mirëpo nuk mund të rri pa përmendur mikun dhe nxënësin tim që nuk jeton më, Hyso Xhaferri i cili kishte një zë brilant. Kam punuar kaq shumë me atë saqë thoja se ky tani mund të iki dhe të flututojë vetë, kaq zë i bukur ishte. Më vjen keq që ai u largua nga jeta dhe e la artin e tij përgjysmë sepse ishte një zë shumë i bukur.
CMG: Ju keni sjellë dhe krijimtari të re popullore me këngë të përpunuara, duke e pasuruar folklorin.
Hysni Zela: Unë kam vetëm një fatkeqësi, sikur të kisha një kompozitor që të merrej vetëm me mua. Ishte vetëm Aleksandër Peçi, një korife i artit shqiptar që po bën mrekullira. Ai ka shkuar në Përmet dhe për disa vjet ka jetuar atje dhe vetëm ai mund ta bënte sepse ai e ka krijuar dhe këngën “Fryn moj erë” me orkestër sinfonike. Vetëm ai mund t’i sillte të gjitha këto këngë.
Intervistoi: Gazmend Agaj