ISSH: Me rritjen e pagës minimale nga 1 prilli, rritet edhe kuota e sigurimit vullnetar
2023-03-11 17:11:19

 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëri të ditur se me rritjen e pagës minimale nga data 1 prill do të rritet edhe kuota e sigurimit vullnetar.

“Të gjithë qytetarët, të cilët kanë periudha të pasiguruara në historikun e tyre të kontributeve ftohen t’i paguajnë, pasi me fillimin e muajit të ardhshëm kuota e sigurimit vullnetar do të rritet. Duke paguar këto kontribute ju do të keni mundësi që të shtoni vitet e punës dhe të merrni një pension sa më të lartë”, bëri të ditur ISSH-ja, përcjell “RTSH”.

Ligji parashikon që masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar nga VKM në periudhën kur bëhet pagesa.

Kuota mujore e sigurimit vullnetar aktualisht është 7344 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 34,000 lekë x 21.6%.

Foto:VCG

Foto:VCG

Masa e kontributit për sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale, e cila është 7344 lekë në muaj.

Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të paguajnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korrent, në kufijtë e pagave minimale 34.000 lekë deri në 4-fishin e saj (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri).

Foto:VCG

Foto:VCG

Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 34.000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në 4-fishin e saj. (Irma)