Deklarata e publikuar në sitin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës zbuloi të shtunën më shumë detaje rreth bisedimeve mes Arabisë Saudite dhe Iranit në Pekin, duke thënë se dialogu dhe marrëveshja e firmosur mes këtyre dy vendeve të Lindjes së Mesme përbën një shembull të mirë se vendet e këtij rajoni mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe realizojnë marrëdhënie të mira fqinjësore e miqësore përmes dialogut dhe konsultimeve.
Kina, Irani dhe Arabia Saudite publikuan një deklaratë të përbashkët të premten, sipas të së cilës Irani dhe Arabia Saudite kishin rënë dakord të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike dhe të rihapnin ambasadat brenda dy muajve pas negociatave në Pekin.
Sipas një deklarate të publikuar në faqen elektronike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, delegacioni i Arabisë Saudite, i kryesuar nga Dr. Musaad bin Mohammed Al-Aiban, Ministër Shteti, anëtar i Këshillit të Ministrave dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe delegacioni i Iranit, i kryesuar nga Admirali Ali Shamkhani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Republikës Islamike të Iranit, zhvilluan bisedime në Pekin nga 6 deri më 10 mars.
Anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtori i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme të PKK-së, Wang Yi zhvilloi bisedime përkatësisht me të dy delegacionet dhe kryesoi ceremonitë e hapjes dhe mbylljes të bisedimeve, thuhet në deklaratë.
Foto:MPJ
Rezultatet e bisedimeve
Me përpjekjet e përbashkëta të të gjitha palëve, bisedimet mes Arabisë Saudite dhe Iranit në Pekin dhanë rezultate të rëndësishme, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.
“Arabia Saudite dhe Irani kanë qartësuar hartën e rrugës dhe afatin për përmirësimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që siguron një bazë të shëndoshë për bashkëpunimin e tyre në vijim dhe hap një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe”, - thuhet në deklaratë.
Kjo do t'i ndihmojë vendet e rajonit të heqin qafe ndërhyrjet e jashtme dhe të marrin të ardhmen e vendit në duart e tyre. Arabia Saudite dhe Irani rikonfirmuan zbatimin e tyre ndaj synimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së si dhe normave bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përfshirë mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve të tjera, thotë deklarata. Duke theksuar se bisedimet janë në përputhje me prirjen e kohës, Ministria deklaroi se Kina e përshëndeti këtë dhe përgëzoi të dyja palët.
"Kina nuk synon interesa egoiste në Lindjen e Mesme"
(Foto:MPJ)
Ministria e Jashtme e Kinës gjithashtu vuri në dukje se Kina nuk synon asnjë interes egoist në Lindjen e Mesme. "Ne respektojmë statusin e vendeve të Lindjes së Mesme si zotër të këtij rajoni dhe kundërshtojmë konkurrencën gjeopolitike në këtë rajon." - thuhet në deklaratë, duke shtuar se Kina nuk ka ndërmend dhe nuk do të kërkojë të mbushë një të ashtuquajtur hapësirë boshe ose të krijojë qarqe të vogla ekskluzive atje.
Kina beson gjithmonë se e ardhmja e Lindjes së Mesme duhet të jetë në duart e vendeve të rajonit dhe mbështet njerëzit e këtyre vendeve të eksplorojnë në mënyrë të pavarur rrugët e tyre të zhvillimit dhe mbështet vendet e këtij rajoni të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe konsultimit, për t’u bashkuar, për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale. “Kina do të jetë promovuese e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, partnere për zhvillim dhe prosperitet si dhe mbështetëse e solidaritetit të Lindjes së Mesme. Kina do të vazhdojë të kontribuojë propozimet e saj për realizimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe do të luajë rolin e saj si një vend i madh përgjegjës gjatë këtij procesi”, - thuhet në deklaratën e publikuar të shtunën nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.(Zhang Yan)