UNHCR: Projektligji britanik për emigrantët e paligjshëm shkel të drejtën ndërkombëtare
2023-03-11 17:47:52

 Foto:VCG

Foto:VCG

Projektligji i ri i Britanisë së Madhe kundër emigrantëve të paligjshëm shkel traktatin ndërkombëtar për refugjatët dhe për këtë arsye është një shkelje e të drejtës ndërkombëtare, deklaroi zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Matthew Saltmarsh, gjatë një interviste për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu”, përcjell “RTSH”.

“Ligji i propozuar shkel konventën ndërkombëtare dhe për rrjedhojë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar humanitar”,- theksoi Saltmarsh.

Sipas UNHCR-së, Britania e Madhe aktualisht ka rreth 230 mijë refugjatë. Numri i azilkërkuesve gjithashtu është në rritje. Vitin e kaluar kishte rreth 75 mijë kërkesa për azil në vend.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Nëse projektligji miratohet, do të ketë një ndalim për azilkërkuesit në Britani dhe vendi do të mbyllte sistemin e tij të azilit. E drejta për azil është universale dhe themelore. Kjo është rënë dakord ndërkombëtarisht dhe në të drejtën ndërkombëtare dhe ky është parimi themelor mbi të cilin mbështetet Konventa për Refugjatët”, tha Saltmarsh.

Ai tha se ndërsa numri i refugjatëve po rritet në Britani të Madhe, situata nuk është shpresëdhënëse, duke theksuar se shumë vende kanë strehuar refugjatë prej vitesh dhe në një numër të madh.

Lidhur me ndalimin e pritshëm të personave që shkojnë ilegalisht në Britani të Madhe, Saltmarsh tha se ka çështje në lidhje me kushtet në të cilat ata do të mbahen.

“Ndalimi i azilkërkuesve dhe refugjatëve është jashtëzakonisht problematik. Ka pasur shumë probleme për sa i përket kushteve në të cilat mbahen njerëzit, për sa i përket ndikimit që ka në shëndetin mendor të njerëzve”, tha ai.

Foto:VCG

Foto:VCG

Për njerëzit që kërkojnë azil në Britani, ka shumë pak kanale të sigurta dhe ligjore, me procedura dhe skema të gjata dhe të ndërlikuara.

“Mjerisht, ka shumë pak rrugë të sigurta dhe ligjore për në Britani. Britania e Madhe ka qenë në të kaluarën një vend bujar për shpërnguljen e refugjatëve. Për momentin, ajo ka një numër shumë të kufizuar vendesh për shpërngulje”, tha Saltmarsh. (Irma)