Kristiana Sterio ( Facebook)
Kristiana Sterjo, vajza e guximshme nga Tirana ishte ende fëmijë kur u diagnostikua me leucemi akute dhe pasojat e kimioterapisë pasi ajo mbeti në karrige me rrota. Gjymtyrët e saj u dëmtuan, por asgjë nuk e pengoi për të jetuar. Pas diplomimit në Fakultetin Juridik të Tiranës, Kristiana sot punon në Bashkinë e Tiranës dhe ka sjellë në jetë fëmijën e saj. Kristiana thotë se tani i është shtuar përgjegjësia dhe e ndjen se çfarë do të thotë të jesh nënë. Kristiana tregon për Radio Ejani çastet më të rëndësishme të jetës së saj, shoqëruar me guxim dhe dashuri.
CMG: Sa vite keni që jetoni në një karrige me rrota?
Kristiana Sterjo: Kam tashmë 20 vite që ndodhem në një karrige me rrota. Gjithçka nisi si rezultat i sëmundjes sime, pasi kam vuajtur nga leucemia akute dhe gjatë kurimit një prej mjekimeve nuk shkoi siç duhet, pasi një pjesë e kimioterapisë më shkaktoi efekte anësore, që ishte paraliza e gjymtyrëve të poshtme dhe tani ndodhem në karrige me rrota.
CMG: Cilët kanë qenë njerëzit që ju kanë mbështetur më tepër?
Kristiana Sterjo: Unë kam kaluar një jetë shumë të vështirë. Ajo që kujtoj tashmë me veten është se rreth meje kanë qenë njerëz shumë të mirë dhe shumë të dashur, të cilët në asnjë moment nuk hoqën dorë prej meje, por më mbështesin në çdo hap dhe kanë treguar durim bashkë me sëmundjen time. Prindërit dhe veçanërisht gjyshja ime nuk ma lëshoi kurrë dorën në momentet që kisha shumë nevojë për ta.
Kristiana Sterio me familjen e saj ( Facebook)
E shoh jetën me ngjyra falë tyre sepse nuk kanë ndaluar së kujdesuri për mua dhe duke më treguar që ata janë aty për mua në çdo moment që unë do të kem nevojë gjatë jetës sime. Nuk është e thjeshtë të jetosh në karrige me rrota, jeta jote dyfishohet në përgjegjësi dhe bëhet shumë e vështirë çdo gjë, por ajo që kam kuptuar është që duhet të kesh durim dhe ta duash jetën, pasi në çdo formë ajo është e bukur.
Sigurisht është në këtë mes edhe vëllai im. Një ndër gjërat e tjera që dua të theksoj në historinë time është se prindërit e mi kanë insistuar shumë tek arsimimi im i rregullt dhe korrekt, kanë dashur gjithmonë që edukimi im të jetë primar. Unë kam studiuar për drejtësi dhe jam diplomuar me sukses dhe pas një viti jam punësuar pranë Bashkisë Tiranë.
Më duhet të them që të gjithë bashkëpunëtorët e mi në Bashki kanë qenë shumë suportues, ata kanë hapur një derë shumë të rëndësishme për jetën time dhe nuk mund të qëndroj pa i falënderuar dhe ju treguar se sa shumë i dua.
CMG: Çfarë i thua vetes që ke arritur këtu ku je sot?
Kristiana Sterjo: Unë deri në momentin që u rrita nuk arrija të kuptoja se çfarë kisha dhe çfarë isha duke kaluar. Por më kalimin e kohës nisa të kuptoj se çfarë kam të kufizuar në jetën time. Pavarësisht problemeve të mëdha dhe çfarë historie kam i them shpesh vetes: “Kemi vetëm një jetë dhe ajo duhet jetuar”. Nuk është aspak e lehtë, pasi unë jam martuar dhe kam sjellë në jetë një fëmijë. Kam një djalë i cili fatmirësisht ka shëndet të plotë, por përgjegjësia tani është shtuar sepse unë e kam marrë përsipër këtë hap dhe duhet të kujdesem për të deri në fund. Jam e lumtur dyfish për jetën time dhe jam duke u përpjekur në maksimum pasi nuk është e lehtë të jesh një nënë më karrige me rrota. Por, bashkëshorti im jugkorean më ka mbështetur shumë në çdo hap timin tani që kemi fëmijën por edhe më parë. Gjithësesi, jetës duhet t’i themi forca dhe të ecim përpara sidomos kur një fëmijë varet nga ty.
Kristiana Sterio me familjen e saj ( Facebook)
CMG: Si e ka ndryshuar fëmija jetën tuaj?
Kristiana Sterjo: As nuk e imagjinoj dot jetën pa djalin tim dhe mendoj që jeta ime më parë ka qenë shumë më ndryshe dhe nuk e mendoj aspak jetën si mund të ishte pa të. Për mua është mrekullia e zbritur në jetë, por duhet të mendohen edhe sfidat që një fëmijë sjell në jetë. Tani për mua kjo është një sfidë.
CMG: A është aftësia e kufizuar, kufizim për jetën?
Kristiana Sterjo: Po është në fakt sepse jeta në karrige me rrota është tepër e vështirë. Por gjithashtu të bën edhe shumë të fortë sepse ti fillon të mendosh që mund të zgjidhësh çdo gjë dhe çdo pengesë sepse merr forcë. Unë kam shumë ëndrra për jetën, familjen time të madhe. Nga vetë emri “kufizuar” është diçka që të kufizon në jetën e përditshme. Unë dhe bashkëshorti im kemi shumë dëshirë për të udhëtuar, por është shumë e vështirë. Por gjithmonë duhet të jemi të përgatitur për të zgjidhur çdo gjë me qetësi.
CMG: Ju keni edhe një blog me bashkëshortin tuaj në youtube, si e krijuat atë?
CMG: Unë atë blog e kam krijuar sepse kam dashur t’i tregoj jetën time kujtdo që mendon se jeta e kufizuar të kufizon lumturinë. Aty ndajmë jetën tonë të përditshme, dhe gjithçka që bëjmë nga udhëtimet.
CMG: A keni ju një mesazh drejtuar edhe vajzave të tjera, të cilat përjetojnë stres për qëndrimin në karrige me rrota?
Kristiana Sterio në një intervistë për televizionin Ora (Foto Ora tv)
Kristiana Sterjo: Në Tiranë ka shumë vajza që e kufizojnë jetën më tepër se i kufizon vetë jeta. Ato heqin dorë nga jeta e tyre dhe dua t’iu them: “Ju lutem mos e bëni”. Përtej aftësisë së kufizuar ka jetë. Një pjesë të mirë të jetës e kam menduar që nuk do jetoj, pra për të qenë e lumtur por ndodhem siç mund ta shihni e diplomuar, në punë, me një familje dhe tani me një fëmijë të shëndetshëm. Pavarësisht aftësisë së kufizuar që kam më duhet të jem mirënjohëse trupit tim dhe jetës sime. Jam shumë e habitur se sa gjëra ka përballuar trupi im duke kaluar kaq shumë vështirësi.
Ndaj ju lutem mos e kufizoni jetën më shumë se ju ka kufizuar jeta juaj.
Intervistoi: Megi Latifi