Mundësitë e zhvillimit bujqësor 2023 në Shqipëri
2023-03-10 11:35:37

Puna në bujqësi (Foto KASH)

Puna në bujqësi (Foto KASH)

Zhvillimin rural dhe bujqësinë shqiptare e goditi fort kriza e çmimeve të lëndëve të para dhe mallrave ushqimore, pas pandemisë së Covid-19, e përkeqësuar edhe më tej nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Gjatë vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve në nivel botëror u rritën me 14.3%, ndërsa në Shqipëri, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT), me 16.2%.

Megjithë vështirësitë e shumta, eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore e blegtorale, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ia dolën të rrisnin eksportet bujqësore në sasi 15.6% dhe në vlerë 18.1%,. U shtua edhe harta e vendeve ku eksportojmë, duke shkuar në 75 shtete të botës.

Kjo situatë, sipas ekspertit të zhvillimit rural dhe zinxhirit ushqimor Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. kërkon marrjen e masave energjike, për të zhvilluar më tej prodhimin bujqësor dhe blegtoral të vendit, pavarësisht pranisë së inflacionit të lartë për produktet bujqësore edhe gjatë vitit 2023.

Kreu i KASH Rrapaj në intervistë për CMG

Kreu i KASH Rrapaj në intervistë për CMG

CMG: Si u hap ky vit për prodhimin tonë bujqësor, për zinxhirin ushqimor, prodhimin rural dhe për eksportet bujqësore shqiptare?

Agim Rrapaj: Pyetja është komplekse dhe përgjigjja po kështu është. Ky vit erdhi si rezultat i shumë problematikave që janë akumuluar në vitet e kaluara, për disa arësye objektive, që tashmë dihen nga të gjithë. Të tilla arësye janë: koniuktura ndërkombëtare e çmimeve, që ka ndikuar negativisht tek fermerët në Shqipëri; vjen pastaj lufta në Ukrainë dhe Rusi, që edhe kjo ndikoi negativisht. Pra, në tërësi, sfida ishte rritja e inflacionit. Këto arësye krijuan problemet e tyre. Po kështu, kushtet e vështira të motit sollën ndikime. Ne patëm përmbytje në zonën e Veriut, patëm dëme nga breshëri në zonën e Jugut.

Bujqësia dhe të gjithë sektorët e zinxhirit ushqimor i përjetojnë këto gjatë gjithë periudhës. Këta faktorë na kanë shoqëruar dhe do të vazhdojnë të na shoqërojnë edhe në vijim. Ky vit filloi me një aktivitet të zakonshëm të prodhimit rural, duke patur parasysh të gjithë sektorët. Bujqësia pati një rritje të prodhimit në drithra, si rezultat i koniukturës ndërkombëtare. Blegtoria, pas një rënie të numrit të krerëve dhe të prodhimit, ka një tendencë për ta frenuar këtë rënie të mëtejshme.

Aktualisht, ne jemi në një moment të mirë nga pikëpamja financiare, për arësye se sapo është hapur Skema Kombëtare e Subvencionimit Shtetëror. Ka pak ditë. Shpresojmë që me Skemën Kombëtare, e cila ka një mbështetje po aq sa viti i kaluar, duke bashkëpunuar me fermerët dhe duke i udhëzuar ata që të disbursojnë sa më shumë fonde nga kjo Skemë, të arrijmë që qeveria të detyrohet në vijim të rrisë sasinë e fondit për Skemën, në mbështetje të fermerëve në të gjithë sektorin.

Po kështu, për pak ditë, ne presim të hapet edhe Programi IPARD III, një fond që mbështetet dhe financohet nga Bashkimi Evropian, në kuadrin e procesit të para-anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo bën që fermerët të jenë përpara dy mundësive, për të realizuar sa më mire objektivat e tyre dhe për të ulur koston e prodhimit. Kjo e fundit natyrisht është një proces, por edhe një nga problemet që aktualisht ne kemi në vendin tonë.

Kreu i KASH Rrapaj (Foto CMG)

Kreu i KASH Rrapaj (Foto CMG)

CMG: Përmendët koston e prodhimit dhe keni shumë të drejtë, pse ajo është sfida kryesore e të gjithë zhinxhirit ushqimor dhe zhvillimit rural tek ne. Ju si Këshill i Agrobiznesit, keni një propozim për skemën e re të ndryshuar të subvencionit shtetëtor. Ku konsiston ky propozim?

Agim Rrapaj: Skema e subvencionit ka ardhur vazhdimisht duke u përmirësuar në strukturën e saj, por edhe në sasinë e fondeve. Megjithatë, ka vend akoma për përmirësim, për të rritur dobinë e Skemës, në favor të fermerëve, për të qenë më transparentë, si dhe për të mundësuar të disbursojë më shumë fonde dhe të ndikojë akoma dhe më pozitivisht tek kosto e prodhimit.

Sot ne kemi një Skemë, e cila mbështet me nëndë masa. Ajo mbështet disa sektorë, por kjo Skemë ka limitet e veta. Kufizime nga kufiri i sipërm i sasisë së fondit dhe nga kufiri i poshtëm. Këto limite diferencojnë një pjesë të mirë të fermerëve dhe nuk u mundësojnë marrjen dhe përfitimin nga Skema. Për këtë arësye, ne kemi propozuar që të ndryshojë skema, sepse, nga përvoja që kanë vendet e zhvilluara, vendet e Bashkimit Evropian, subvencionimi për njësi është më rentabël, më i dobishëm, më i shpejtë dhe më transparent, përsa i përket të gjithë sektorëve të ekonomisë së ushqimit.

Prandaj ne themi që ka ardhur koha që të studjohet kjo mënyrë subvencionimi. Ndoshta nuk janë kushtet për ta zbatuar 100 përqind që në fillim, por ne kemi propozuar që të fillojë nga blegtoria, me qumështin dhe mishin, dhe pastaj të vazhdojë dhe me produktet e tjera. Mënyra se si ne e kemi propozuar është bazuar në eksperiencën që kanë vendet e përparuara në këtë fushë, por edhe në eksperiencën e vendeve të rajonit.

Njëkohësisht, na krijohet mundësia për t’u krahasuar me vendet e rajonit, drejt te cilave ne kemi një synim për të përafruar masën e subvencionit. Mënyra që ne kemi sot nuk e bën të krahasueshme Skemën që ne kemi me skemën që zbatojnë vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë prizëm, kemi propozuar që të fillojë studimi, si një model për ta provuar këtë skemë. Kemi pasur një eksperiencë njëvjeçare më parë. Do të ishte shumë mirë të vazhdohej kjo eksperiencë me qumështin, për subvencion për njësi, pasi mendojmë, dhe praktika e ka provuar, se si skemë është më dobiprurëse.

CMG: Nga Ministria e Bujqësisë kemi të dhëna për eksportet bujqesore për vitin 2022, që janë rritur në sasi dhe në vlerë. Si gjykoni se do të jenë eksportet tona bujqësore gjatë këtij viti ?

Agim Rrapaj: Shqipëria ka një pozicion mjaft të favorshëm për prodhimet bujqesore. Veçanërisht për lëndët e para, për shumëllojshmërinë e tyre. Po të shikosh kohët e fundit, ka një aktivitet të intensifikuar, përsa i përket rritjes së prodhimit në ambjente të mbrojtura, veçanërisht për prodhimet në sera, për rrushin në serë, por njëkohësisht edhe për perimet në fushë, për prodhimin e ullirit dhe të vajit të ullirit. Për ullirin, është rritur ndjeshëm numri i rrënjëve që kemi kultivuar gjatë viteve të fundit.

Prandaj dhe është e domosdoshme që ne t’i kushtojmë rëndësi prodhimit bujqësor, veçanërisht në pikun e tij. Në Shqipëri krijohet gjithmonë një situatë jo normale, përsa i përket kërkesë-ofertës. Duke qenë se Shqipëria është një vend që prodhon një shumëllojshmëri produktesh, shpesh herë fermerët prodhojnë të njëjtën sasi perimesh në të njëjtën kohë, në një varietet te caktuar. Kjo krijon një mbingarkesë, një mbiprodhim në treg, duke prishur raportin kërkesë-ofertë.

Në këtë moment, fermerët shqiptarë, subjektet prodhuese në Shqipëri kanë nevojë të eksportojnë. Kjo duhet koordinuar me importuesit nga vendet e tjera, me tregjet e tjera, në mënyrë që prodhimet që kanë tepricë të mund të eksportohen, siç janë perimet, bostanorët, frutat, qershitë veçanërisht, por edhe agrumet. Ne kemi një varietet shumë të mirë tek agrumet, që është mandarina me varietetin Clementine. Ky varietet është mjaft i kërkuar nga konsumatorët. Njëkohësisht, ne kemi një aktivitet të zhvilluar mjaft kohët e fundit për bletarinë. Është ndër sektorët që ka ecur shumë mirë. Ne kemi një tepricë mjalti në një periudhë të gjatë kohe, që kërkon treg për eksport. Ky produkt është me kosto të ulët dhe me cilësi shumë të mirë.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) (Foto KASH)

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) (Foto KASH)

Tek cilësia duhet të qëndroj, pasi kemi rezerva shumë të mëdha. E njëjta cilësi, për shembull perimesh, domatesh, që tregtohet në Evropë, nga Shqipëria vjen me një çmim gati gjysëm për gjysëm, në krahasim me vendet e tjera.         

CMG: Shumë konkurrues.

Agim Rrapaj: Kjo tregon që ne kemi rezerva akoma të mëdha, për të rritur cilësinë e perimeve. Realisht, Shqipëria nuk ka një industri që të ndotë tokën, që ta keqpërdorë atë. Shqipëria ka gjithmonë një klimë mesdhetare shumë të mirë, që e lejon këtë shumëllojshmëri produktesh. Për këtë arësye, fermerët shqiptarë janë të interesuar, veçanërisht në periudha pik, që të eksportojnë mjaltë, të eksportojnë perime të konservuara. Të eksportojnë njëkohësisht edhe bimë mjekësore të ndryshme. Jane mbi 300 e ca lloje bimësh mjekësorë që Shqipëria i prodhon dhe kultivon. Ajo eksporton në pothuajse të gjitha vendet e botës, me një xhiro vjetore mbi 60 milionë euro. Kjo tregon që ne kemi mundësi për të rritur eksportin dhe kjo ka ndodhur.

Ka ndodhur një rritje e vazhdueshme e eksportit dhe Shqipëria është një vend i qëndrueshëm. Në dhjetëvjeçarin e fundit, ne kemi patur vetëm rritje të eksporteve. Kjo na bind n që rezervat tona janë shumë më të medha.

Mbetet që ne të kemi një bashkëpunim më të mirë me tregjet ndërkombëtare. Veçanërisht me tregun e Kinës, sidomos për vajin e ullirit, për verën, për mjaltin dhe për shumë produkte të tjera. Por njëkohësisht, kemi nevojë të importojmë nga Kina makineri e pajisje bujqësore. Ne kemi një bashkëpunim të hershëm dhe të vazhdueshëm. Fermerët shqiptarë e njohin teknologjinë kineze të mekanikës bujqësore. Ne kemi patur një eksperiencë të mirë bashkëpunimi deri tani. Këshilli i Agrobiznesit ka bashkëpunuar edhe me Ambasadën e Republikës së Kinës, për një grant për të mbështetur mekanikën bujqësore në Shqipëri, në rajonin e Cërrikut. Këtu janë krijuar disa modele, që ne mund t’i ndjekim. Jemi të hapur të vazhdojmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në vijim. Ne kemi mundësi të bashkëpunojmë me subjekte të Republikës së Kinës, duke patur parasysh që kemi edhe një komunitet kinez në Shqipëri, i cili prej vitesh është integruar tashmë dhe punon në biznesin e vogël dhe të mesëm. Kjo shërbën për ne si një urë lidhëse ekonomike midis të dyja palëve, edhe fermerëve, edhe subjekteve të industrisë ushqimore. Na shërben ne për të performuar sa më mirë.   

Intervistoi Fatos Çoçoli