INSTAT-i: Inflacioni në shkurt ishte 7.1%
2023-03-10 11:14:58

Foto nga ATSH

Inflacioni, i cili mat ndryshimin vjetor të çmimit të mallrave, shfaqi shenja ngadalësimi, edhe në muajin shkurt të këtij viti.

Instituti i Statistikave publikoi Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin shkurt, ishte 7.1%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.9%. Ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2023, krahasuar me janar 2023 është 1.1%, shkruan “ATSH”.

Nivelin më të lartë inflacioni e shënoi në tetor 2022, kur arriti 8.3%, ndërsa në nëntor, dhjetor dhe janar shfaqi tendencë rënie.

Krahasuar me muajin shkurt 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 13.5%, pasuar nga grupet “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.9%, “hotele, kafene dhe restorante” me 5.5%, “pije alkoolike dhe duhan” me 5.1%, “veshje dhe këpucë” me 4.4%, “argëtim dhe kulturë” me 3.4%, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.2%, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3.1%, “shërbimi arsimor” me 2.3%, “transporti” me 1.7%, “komunikimi” me 1.2% dhe “shëndeti” me 1%. (Irma)