Rama në Gjermani: Në vitin 2030, Shqipëria synon të jetë kampione e turizmit
2023-03-10 10:30:45

Foto nga RTSH

Në një takim me përfaqësues të agjencive të njohura turistike në Gjermani, kryeministri Edi Rama deklaroi se në vitin 2030 Shqipëria synon të jetë kampionia e Ballkanit në turizëm.

“Nuk është e lehtë, por po përpiqemi. Shpresojmë dhe objektivi ynë për 2030-n është të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm. Sigurisht kur themi në Ballkan nuk e kemi fjalën për Greqinë dhe Kroacinë, që të jemi të qartë, as për Turqinë. Por duam shumë që të jemi kampionë dhe të tejkalojmë vende të tjera. Në vitin 2029 ne synojmë të jemi eksportues neto të energjisë, pra do të plotësojmë vetë nevojat tona”,- u shpreh Rama, citon “RTSH”.

Rama vuri në dukje gjithashtu se është bërë një analizë e legjislacionit të vendeve fqinje dhe po përgatitet një ligj që do të jetë shumë më tërheqës për investuesit.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se lumi Vjosa do të shpallet Park Kombëtar, duke theksuar se Vjosa është një potencial shumë i madh për turizmin shqiptar. 

Në takimin me përfaqësues të agjencive të njohura turistike në Gjermani, mikpritësi i eventit u shpreh se Shqipëria ka zgjuar ndjeshëm interesin e turistëve gjermanë, i cili vitin e kaluar u rrit me 60%, krahasuar me periudhën e para Covidit, duke theksuar se Shqipëria është një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë. (Irma)