
Foto nga RTSH
Gjatë vizitës në Berlin, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, vizitoi panairin më të madh të turizmit në botë, ku stenda e Shqipërisë përfaqësohet edhe nga Shoqata e Agroturizmit, si sektori më potencial që i ka dhënë rivitalizim zonave rurale në vend.
Në një intervistë për “RTSH”, ministrja Krifca tha se në këtë event ndërkombëtar agroturizmi shqiptar vjen si një ofertë e hapur për turistët nga e gjithë bota.
“Është derë e hapur dhe për vizitorët ndërkombëtarë të interesuar për vlerat autoktone të traditës e mikpritjes”,- deklaroi ministrja.
Numri një i Bujqësisë vuri në dukje interesin e madh të vizitorëve të shumtë për stendën shqiptare. Numri mesatar i turizmit është më shumë se 7600 për njësi në vit.
“Stenda shqiptare ka ngjallur plot interes. Gjatë një dreke pune me një sërë gazetarësh dhe operatorësh turistikë na pyetën se çfarë magjie kemi bërë ndërkombëtarisht që po tërhiqet kaq shumë interes ndaj Shqipërisë dhe kjo më bën shumë të lumtur”,- tha ajo.
Ministrja Krifca ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama që zhvilloi një vizitë zyrtare në Berlin në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin ajo e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022. (Irma)
