Kryeparlamentarja Nikolla në Itali: Shqipëria, partnere model që gjeneron stabilitet e siguri në rajon
2023-03-10 16:38:52

Foto nga ATSH

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në Romë, u takuan me presidentin e Senatit të Italisë, Ignazio La Russa.

Kryetarja Nikolla e falënderoi presidentin e Senatit italian për mbështetjen e gjithanshme të Italisë për Shqipërinë, partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, sidomos për mbështetjen e fuqishme të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit, shkruan “ATSH”.

“Vizitat dhe shkëmbimet dypalëshe të nivelit të lartë dëshmojnë klimën e marrëdhënieve të shkëlqyera politike, të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe miqësisë mes popujve. Bashkëpunimi ekonomik është intensiv dhe mund të mbështetet në përdorimin më mirë të pozicionit dhe afërsisë gjeografike të vendeve tona, duke gjeneruar programe të reja zhvillimi e bashkëpunimi. Shqipëria vlerëson politikat për ruajtjen e traditave arbëreshe dhe mësimin e gjuhës shqipe në Itali dhe ka krijuar kushtet për mësimin e gjuhës italiane në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri. Bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh mund ta thellojmë edhe në fusha të tjera”, theksoi kryeparlamentarja Nikolla.

Presidenti i Senatit italian, Ignazio La Russa, pasi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve nënvizoi se, miqësia mes italianëve dhe shqiptarëve është e natyrshme dhe fqinjësia kulturore është një urë miqësie mes dy vendeve. “Italia bashkëpunon me Shqipërinë si një partner që gjeneron stabilitet dhe kontribut për paqen e sigurinë. Italia është gjithashtu krenare për marrëdhëniet e shëndosha, raportet e larmishme mes dy vendeve dhe miqësinë e fortë me Shqipërinë dhe shqiptarët”,- tha La Russa. (Irma)