Komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin
2023-03-10 14:36:52

Më 23 mars 2013, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, ku shtjelloi për herë të parë për publikun ndërkombëtar konceptin e "komunitetit të fateve të përbashkëta": "Në këtë botë, vendet e ndryshme  janë të ndërlidhur dhe të ndërvarur nga njëri-tjetri në një nivel më të thellë. Njerëzit jetojnë në të njëjtin fshat global, jetojnë në të njëjtën hapësirë e në të njëjtën kohë në kryqëzimin ndërmjet historisë dhe realitetit. Ne jemi bërë si një komunitet me fate të përbashkëta."

10 vjet më pas  si paraqitet i ashtuquajturi “projekti kinez” i "komunitetit të fateve të përbashkëta" ?

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës sjell opinionin e saj dr.Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit.

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

Dr. Marsela Musabelliu në intervistë për CMG

CMG: Si lindi dhe çfarë është “Komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin” ?

Dr.Marsela Musabelliu: Në mars të vitit 2013, Kina paraqiti konceptin e ndërtimit të “Komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin”  nga vetë presidenti Xi Jinping në një vizitë jashtë Kinës.

Bazuar në një vlerësim të tendencave globale dhe duke marrë frymëzim nga urtësia tradicionale kineze, ky koncept përfaqëson vizionin e Kinës për një botë më të drejtë, më të sigurt dhe më të begatë, një zotim për rolin e saj në botë, një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.

Kina e sheh veten si kontribuese e rëndësishme në zhvillimin global dhe një mbrojtëse e vendosur e rendit ndërkombëtar.

Por, “komuniteti” është më shumë se një doktrinë e re e politikës së jashtme të Kinës, ai është kodifikuar si një pjesë integrale e mendimit të Presidentit Xi Jinping mbi socializmin me karakteristika kineze për epokën e re.

Është një analizë intelektuale koherente prej lidershipit kinez mbi çështjet globale dhe përfaqëson përpjekjen e Kinës për t'iu përgjigjur pyetjes më themelore se ku po shkon njerëzimi në kohët e ndërvarësisë më të madhe ekonomike dhe divergjencave politike në rritje.

Dhe një tjetër aspekt që tregon rëndësinë politike të tij është se ky koncept është inkorporuar si në Kushtetutën e Kinës, ashtu edhe në atë të PKK-së.

CMG: Cilat janë fushat që mbulon “komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin” në praktikë?

Dr, Marsela Musabelliu: Angazhimi i Kinës për të punuar me pjesën tjetër të botës, drejt këtij komuniteti të së ardhmes së përbashkët ripohon politikën e saj të jashtme afatgjatë për paqe dhe prosperitet. Ky vizion kinez nuk është një skemë gjeopolitike për të gdhendur sfera influence, por përfaqëson ndjekjen e aspiratave të shumë popujve në botë për bashkëpunim dhe jo vartësi.

Krijimi i një komuniteti të së ardhmes së përbashkët për njerëzimin buron nga kultura tradicionale kineze dhe filozofia e saj disashekullore e harmonisë dhe unitetit.

Presidenti Xi këtë vizion të Kinës e përshkroi me pesë drejtime “politike, sigurie, ekonomike, kulturore dhe ekologjike” në raportin e punës në Kongresin e 19-të Kombëtar të PKK-së. Atje ai bëri thirrje për krijimin e “komunitetit, që është i hapur, gjithëpërfshirës, për një botë të pastër dhe të bukur që gëzon paqe të qëndrueshme, siguri universale dhe prosperitet të përbashkët.”

Presidenti Xi Jinping (Foto CMG)

Presidenti Xi Jinping (Foto CMG)

Ajo që Kina mbron në dimensionin gjeopolitik është një botë sovrane e orientuar në barazi, ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes dialogut dhe paqja ndërtohet mbi partneritete në vend që të zbatohet përmes aleancave ushtarake apo forcës politike.

Ky vizion ofron edhe një perspektivë të ndryshme për modernizimin, hap rrugë të reja për vendet në zhvillim dhe ofron një qasje kineze për të ndërtuar një strukturë më humane dhe ndërkombëtare,  pasi bazohet në një kuptim më të thellë të kohërave dhe historisë.

CMG: Çfarë do të thotë në praktikë kjo qasje kineze në skenën ndërkombëtare?

Dr.Marsela Musabelliu: Shumë shpesh dëgjohet nga politikëbërësit kinezë shprehja “konsultime të gjera, kontribut të përbashkët dhe përfitime të përbashkëta”.   Kina po u drejtohet vendeve të tjera duke thënë se së bashku ndërtojmë rregullat e lojës, së bashku punojmë dhe po bashkë ndajmë frytet e bashkëpunimit. Dhe kjo nuk ka ngelur vetëm në fjalë por është materializuar në vepra.  Më së miri mund të vërehet në iniciativat e ndryshme që Kina ka nisur dhe po nis globalisht. disa platforma aktive të multilateralizmit, ndërveprim të intensifikuar midis institucioneve, qytetarëve dhe qeverive.

Për shembull, Nisma “një Brez, një Rrugë”  është tashmë me një dekadë jetë dhe është bërë një motor i fuqishëm i rritjes dhe përmirësimit të infrastrukturës duke u shërbyer vendeve që janë pjesë e saj për të arritur zhvillim të mëtejshëm.

Dy nisma të tjera të shpallura nga Kina duket se u përgjigjen në mënyrë të përsosur nevojave të kohës sonë. Iniciativa për Zhvillim Global (GDI) ku çrrënjosja e varfërisë është një nga fushat kryesore të fokusit dhe prioritetit.

Një tjetër nismë që përmbledh angazhimin e Kinës për një arkitekturë të balancuar të sigurisë përmes Iniciativës së Sigurisë Globale (GSI), e cila është një premtim për vizionin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese.

Në një komunitet të së ardhmes së përbashkët parashikohet gjithashtu si një botë e globalizuar e paqes së qëndrueshme dhe universale, ku konceptet e reja të sigurisë mbizotërojnë mbi mentalitetin e Luftës së Ftohtë.

Komuniteti me fate të përbashkëta (CMG)

Komuniteti me fate të përbashkëta (CMG)

CMG: Sa e përbashkët është e ardhmja njërzore dhe si po kontribuon Kina me këtë koncept?

Dr.Marsela Musabelliu: Gjatë shekujve një sërë normash të pranuara botërisht janë vendosur si parime bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Si një vend socialist i përgjegjshëm, Kina mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë  Me vizionin e komunitetit të përbashkët Kina ofron një tjetër alternativë bashkëpunimi dhe aksioni.

Në një raport të PKK-së thuhet se “asnjë vend nuk mund të trajtojë i vetëm sfidat e shumta me të cilat përballet njerëzimi; asnjë vend nuk mund të përballojë të tërhiqet në izolim.”

Këto fjalë tregojnë faktin se një komunitet i tillë është njëkohësisht ëndrra dhe vizioni i Kinës dhe një domosdoshmëri për vendet që të bashkojnë forcat për t'iu kundërvënë sfidave të ndryshme me të cilat përballet njerëzimi. Sado komplekse të jenë sfidat, Kina nuk do të dorëzohet.

Analogjia e barkës, zgjidhje kineze për sfidat kryesore me të cilat përballet bota sot, tregon drejtimin e duhur në të cilin komuniteti njerëzor të ecë, një komunitet ku nuk ka rëndësi nëse një vend është i vogël ose i madh, i fuqishëm ose jo, i zhvilluar ose në zhvllim.

Një e ardhme e përbashkët duhet të ndërtohet mbi prosperitetin e përbashkët dhe bashkëpunim të favorshëm që sjell zhvillim, dhe zhvillimi ka kuptim vetëm kur është gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.

Sa më herët dhe më mirë të kuptohet kjo qasje e Kinës, aq më kthjellët dhe objektivisht do të vlerësohet angazhimi dhe diskursi i saj në nivel ndërkombëtar.

Intervistoi Eda Merepeza