Foto nga VCG
Kina do të rrisë investimet në shkencë dhe teknologji nëpërmjet kanaleve të ndryshme dhe do të promovojë bashkëpunim më të ngushtë të udhëhequr nga sipërmarrjet midis industrive, universiteteve dhe instituteve kërkimore, duke nxitur aplikimet industriale të përparimeve shkencore dhe teknologjike. Në raportin e punës së qeverisë të dorëzuar në hapjen e sesionit të parë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore theksohet se Kina do të bëjë përpjekje më të mëdha për të ndihmuar njerëzit të mësojnë më shumë rreth shkencës dhe të përmirësojnë arsimimin shkencor të të gjithë vendit.
Kina do të vazhdojë të përpiqet të mbështetet te vetja në shkencë dhe teknologji, të përmirësojë sistemin e saj për të mobilizuar burimet në mbarë vendin dhe të përdorë rolin e qeverisë në mbledhjen e burimeve për të bërë përparime të rëndësishme shkencore dhe teknologjike, deklaroi kryeministri Li Keqiang.
Gjatë pesë viteve të fundit, Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në shkencë dhe teknologji, sipas raportin e punës së qeverisë të dorëzuar nga kryeministri Li në hapjen e sesionit të parë të Asamblesë së 14-të Kombëtare Popullore.
Vendi ka bërë përparime të mëdha në fusha kyçe si fluturimet hapësinore me njerëz, eksplorimet e Hënës dhe Marsit, superkompjuterët, komunikimi satelitor, teknologjia kuantike e informacionit, energjia bërthamore, prodhimi i avionëve dhe inteligjenca artificiale, thuhet në raport.
Sipas raportit, politikat e ardhshme që lidhen me shkencën dhe teknologjinë duhet të fokusohen te vetëmjaftueshmëria. “Kina do të rrisë mbështetjen për shkencat bazë, do të forcojë rolin e ndërmarrjeve private si pikë novatore kryesore në shkencë dhe teknologji dhe do të lehtësojë reformat për të trajnuar dhe përdorur më mirë talentet shkencore”,- thuhet në raport.
Sipas raportit mbi zhvillimin ekonomik dhe social të publikuar nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës, Kina është ngjitur në vendin e 11-të në Indeksin Global të Inovacionit 2022. Industria e saj dhe zinxhirët e furnizimit janë bërë gjithnjë e më të qëndrueshme dhe elastike. Shpenzimet e Kinës për kërkimin dhe zhvillimin tejkaluan 3 trilionë juanë (434 miliardë dollarë) për herë të parë vitin e kaluar, duke përbërë 2.55 për qind të PBB-së së vendit.
“Ne kemi ecur më shpejt në rritjen e fuqisë së Kinës në fushën e shkencës dhe teknologjisë strategjike, kemi bërë përparim të fortë në krijimin e një sistemi laboratorësh kombëtarë, kemi përshpejtuar zhvillimin e qendrave ndërkombëtare dhe rajonale për inovacionin shkencor dhe teknologjik dhe janë zgjidhur pengesat duke arritur përparime në disa teknologji thelbësore në fushat kryesore”,- thuhet në raport.
Në dokument theksohet se Kina do të përshpejtojë avancimin e projekteve të mëdha dhe do të nisë një sërë projektesh kombëtare të shkencës dhe teknologjisë që janë me rëndësi strategjike, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë në fushat kryesore.
Për më tepër, vendi do të rrisë investimet në shkencë dhe teknologji nëpërmjet kanaleve të ndryshme dhe do të promovojë bashkëpunim më të ngushtë të udhëhequr nga sipërmarrjet midis industrive, universiteteve dhe instituteve kërkimore, duke nxitur aplikimet industriale të përparimeve shkencore dhe teknologjike.
Në të njëjtën kohë, theksohet në raport, Kina do të bëjë përpjekje më të mëdha për të ndihmuar njerëzit të mësojnë më shumë rreth shkencës dhe të përmirësojnë arsimimin shkencor të të gjithë vendit.
Sipas projektbuxhetit të këtij viti nga Ministria e Financave, Kina do të investojë në mënyrë më efikase në shkencë dhe teknologji, duke mos kursyer asnjë përpjekje për të siguruar financimin e nevojshëm për kërkimin mbi teknologjitë bazë dhe sigurinë kombëtare.
Kina do të përmirësojë sistemin e financimit për Fondin Kombëtar të Shkencave të Natyrës dhe do të kryejë programe pilot për trajnimin e personelit kërkimor bazë. Kina do të vërë në dispozicion fondet për çdo projekt të madh të theksuar në Axhendën e Inovacionit të Shkencës dhe Teknologjisë 2030, sapo ato të jenë gati për të filluar, bëri të ditur ministria.
“Ne do të përmirësojmë strukturën e shpenzimeve të shkencës dhe teknologjisë dhe do të bëjmë plane të përgjithshme për financimin e projekteve për të shmangur shpenzimet e tepërta. Do të punojmë për të reformuar më tej mekanizmat për shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve të kërkimit qeveritar, si dhe do të mbështesim shkencëtarët kur bëhet fjalë për përcaktimin e udhërrëfyesve teknologjikë dhe shpenzimin e fondeve kërkimore”,- thuhet në raportin mbi projektbuxhetin.
Kina do të ndajë 6.5 miliardë juanë për përparimin shkencor dhe teknologjik në nivel lokal nën drejtimin e autoriteteve qendrore, një rritje prej 2 miliardë juanë, duke mbështetur kështu zhvillimin e qendrave rajonale për inovacion. Po ashtu, vendi synon të eksplorojë mekanizmat e menaxhimit të financimit për nisjen e projekteve shkencore globale në përpjekje për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar.