“Vajza dhe mure” është ekspozita shëtitëse që ka nisur rrugëtimin më 2 mars në qytetin e Durrësit. Erisa Proko, drejtore ekzekutive e Institutit për Zhvillim Strategjik duke folur për ekspozitën shprehet se “Është një bashkim i mozaikëve të vegjël të punës me grep. Secila prej tyre simbolizon të gjitha problematikat dhe pengesat që hasin gratë në jetën e tyre të përditshme.”
Pjesët janë të punuara me grep nga gra të ndryshme, të cilat përfaqësojnë nga një problematikë. “Një pjesë e tyre përfaqëson pabarazinë gjinore, një pjesë përfaqëson dhunën ndaj grave dhe një pjesë tjetër punën e papaguar, i cili është fokusi ynë kryesor”, shprehet ajo.
Proko e vë theksin te puna e papaguar e grave, që sipas saj nuk ka marrë vëmendjen e duhur. “Puna e papaguar e grave sot nuk ka një diskurs publik ashtu siç duhet të kishte. Diskutohet shumë pak dhe anashkalohet” vëren ajo.
Duke u diskutuar gjithmonë për të drejta të barabarta mes burrave dhe grave, Proko shprehet se harrohet që njerëzit lindin si individë, pavarësisht gjinisë. “Nuk ka të drejta të barabarta midis burrave dhe grave, por të drejta të barabarta të njerëzve. Diskutimi duhet orientuar drejt mundësive të barabarta, krijimit të kushteve të barabarta dhe pagës së barabartë për të dy gjinitë.”
Ekspozita shëtitëse “Vajza dhe Mure” do të udhëtojë drejt Tiranës dhe mbyllet në qytetin e Pogradecit më 15 mars.Në një intervistë për Radio Ejani Erisa Proko na njeh gjerësisht me këtë ekspozitë
CMG: Si lindi ideja për këtë ekspozitë?
Erisa Proko: Ideja për këtë ekspozitë lindi si një nevojë për të treguar se gratë munden dhe do t’ia dalin përballë një sfide kaq të madhe. Është e dedikuar për gratë dhe vajzat dhe mendoj që kjo gjë duhet të ngrejë edhe një debat publik, por duhet të jetë konstruktiv. Ekszpozita jonë nuk ishte vetëm e tillë. Ajo ishte një hapësirë, e cila shërbeu edhe për ndarjen e historive të jetës së tyre. Pra një “Mozaik jete”, e cila ka histroinë e vet brenda. Thelbi është të tregojmë punën e cila nuk paguhet tek gratë dhe ta ndërthurim atë me emocion. Kishte shumë histori në këtë ekspozitë dhe nuk dua të veçoj askënd. Histori që qëndronin aty, absolutisht të gjitha gratë e gjetën veten tek “Puna pas pune” dhe shumë të ngarkuara për të parë jetën e tyre sociale. Puna që nuk paguhet i ndalon gratë që të jenë pjesë e jetës sociale apo kulturore.
CMG:Nëse mund të ndalemi tek thelbi i ekspozitës, çfarë ju lidh me punët artizanale?
Erisa Proko: Me punët artizanale më lidh fëmijëria ime. Unë bashkë me motrën dhe nënën time kemi qenë të përkushtuara për punë dore. Kemi qenë të edukuara nga nëna jonë, por si ne ka shumë vajza të tjera që përtej përditshmërisë sonë duhet të kemi edhe një pjesë të dedikimit tek jeta personale. Në atë kohë kujtoj që këtë gjë ja dedikoja punës me grep dhe jo vetëm. Jam e lumtur që kjo gjë mbeti trashëgimi nga nëna ime. Ka qenë një pjesë e jona e pandarë dhe ka qenë edhe për shkak të faktorit ekonomik. E gjitha kjo na lidh me fëmijërinë, por na rikujton se sa e vështirë është që një grua përtej punës që e ka të paguar, duhet të rikthehet nga puna dhe merr turnin e dytë në shtëpi. Duhet të kujdeset për njerëzit, familjen dhe çdo gjë tjetër.
CMG: Çfarë i thotë një grua vetes në fund të ditës?
Erisa Proko: Në fund të ditës një grua që duhet të punojë përveç punës së saj por edhe dedikimin për familjen, ndihet e mbingarkuar dhe e pavlerësuar. Ajo ka nevojë për suportin e familjarëve të tjerë apo të bashkëshortit të saj. Presupozohet që ndihen të detyruara për të punuar më shumë se duhet. Vajzat nuk duhet të lejojnë burrat të vijojnë me të njëjtin mentalitet, për të mos i lejuar gratë të avancojnë në karrierën e tyre. Ato duhet të kenë shanse të barabarta.
CMG: A je ndjerë ndonjëherë e paragjykuar ?
Erisa Proko: Po patjetër që jam ndjerë, e kam thënë edhe gjithmonë. Jam nënë vetë, bashkëshorte dhe vajzë. Kjo vjen sepse kështu është ndërtuar familja jonë. Burri është gjithmonë ai që duhet të krijojë të ardhura për familjen ndërsa gruaja të menaxhojë shtëpinë, Por, nuk duhet të jetë kështu, në një marëdhënie duhet të ketë më tepër mbështetje dhe bashkëpunim.
CMG: A duhet të jenë gratë dhe burrat të barabartë?
Erisa Proko: Jo kjo nuk është e saktë gratë dhe burrat duhet të kenë shanse të barabarta, por jo të jenë të tillë. Ne jemi koshientë që ndërmjet gjinive do ketë pabarazi pasi nuk kemi lindur dhe s’do jemi të njejtë. Duhet të kenë kushte të barabarta, të paguhen njësoj etj. Nuk jemi këtu për të luftuar burrat, por kemi një qëllim tjetër. Të ndërgjegjësojmë burra dhe gra për të qenë bashkëudhëtarë. Ka qenë një sondazh, i cili maste perceptimin ne lidhje me punën e papaguar të grave dhe rezultoi që të gjithë burrat kishin rënë dakord se absolutisht duhet të merrnin pjesë tek punët e shtëpisë, por kishte një element që duhet të ishte vënë re. Ata dëshironin të ndihmonin gratë, suportonin ato, por nuk e shihnin veten pjesë të saj.
CMG: A bëjnë gratë punë burrash?
Erisa Proko: Ne gratë jemi marrë me çdo gjë. Jemi rritur me një frymë që çdo gjë në familje bëhet njësoj. Unë kujtoj babain tim, i cili kur nuk ishte nëna ime bënte çdo gjë për ne si të ishte ajo vetë. Ai e ndjen këtë gjë dhe nuk e ka me detyrim. Ky është një fenomen i gjerë. Gratë dhe burrat duhet të jenë njësoj të përkushtuar për familjen.
CMG: A keni një mesazh për gratë?
Erisa Proko: Në çdo rrethanë ato duhet ta duan jetën!
Intervistoi: Megi Latifi