Dita Ndërkombëtare e Gruas festohet në pothuajse mbarë botën, ku femrat protestojnë e disa edhe festojnë arritjet e tyre sociale, politike, kulturore, ekonomike dhe të pranojnë kontributet e tyre të rëndësishme në shoqëri. Miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1977, çdo vit, 8 Marsi festohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kjo ditë ka marrë dimension global si në vendet e zhvilluara gjithashtu edhe ato në zhvillim. Gratë e sukseshmë janë të tilla për një arsye: Ato i kanë bërë gjërat ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe e dinë çfarë duhet bërë për të arritur atje ku ato duan të arrijnë në jetën e tyre. Kur bisedon me to të bie në sy vetëbesimi, lirshmëria e mendimit, qëllimi i qartë për atë që do arrijnë, guximi për të bërë pikërisht atë gjë që ato i frikëson, kurimi i pamjes së jashtme dhe mbi të gjitha forca e tyre. Jo forcë burri, por forcë femre që pasqyrohet në ecje, në gjeste, në të folur, në marrjen e vendimeve.
Shqipëria përgjithësisht përshfaqet si një ambient ende paragjykues ndaj grave, por ato kanë treguar se vlejnë. Siç thotë Margaret Thatcher, “Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë; nëse kërkon vepra, pyet një femër”.
Disa nga zonjat që kanë bërë vepra ëndrrat e tyre janë të shumta si, humanistja me origjinë shqiptare, që ja kushtoi jetën e saj të varfërve, strehimit të fëmijëve të braktisur nëpër botë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si grua e vendosur, e guximshme, dhe e mençur. Nënë Tereza e Kalkutës, është nëna e botës, por origjina e saj shqiptare, do të na bëjë krenarë përjetë.
Një tjetër femër e suksesshme është Sevasti Qiriazi, e cila luajti një rol të madh në arsimin e grave. Ajo ishte nismëtarja e organizimit të arsimit shqiptar për femra dhe mori pjesë në ngritjen e shkollës së vajzave. Sevasti Qiriazi ishte gruaja e parë shqiptare që studioi në institucionin amerikan “Robert College”.
Këngëtarja Vaçe Zela, ikona e muzikës shqiptare është ndër femrat e rralla shqiptare që është nderuar sa ishte gjallë me urdhrin “Nderi i Kombit”, për vlerat e saj si artiste e shquar.
Gjithashtu artistja Margarita Xhepa “Nderi i Kombit” që e gëzon këtë titull sot. Femër e suksesshme është edhe sopranoja Inva Mula, artiste me famë ndërkombëtare, ku në mesin e shumë çmimeve që ajo ka fituar, është edhe çmimin “Chevalier des Arts et des Lettres” nga qeveria franceze në vitin 2005.
Këngëtarja Rita Ora, me origjinë shqiptare ka depërtuar në skenën muzikore pas publikimit të këngës “Hot Right Now” (2012), si dhe suksesi i menjëhershëm me albumin e parë më 27 gusht të vitit 2012, duke ngjitur vit pas viti shkallët e larta të karrierës muzikore.
Vilma Nushi me kompaninë e saj Marketing & Distribution M&D, e krijuar në vitin 1997, duke patur një prej distributorëve më të mëdhenj në vend cilësohet si një femër e suksesshme shqiptare.
Janë të shumta femrat shqiptare të suksesshme në fusha të ndryshme. Një ndër to e sjellim permes intervistës për Radio Ejani. Ajo është Prof. Dr. Anila Kalleshi, Dietologe Klinike, drejtuese e suksesshme prej 25 vjetësh e “Anila Kalleshi Center AKC”, si edhe President of Albanian Lifestyle Medicine Association, një nga femrat shqiptare me shumë çmime ndërkombëtare.
CMG: Isha e ftuar në 25 vjetorin e “Anila Kalleshi Center”, ku ishin të pranishëm miq, por edhe personazhe të njohur të ekranit. Si ndjehesh tani kur sheh suksesin tënd në këto 25 vite?
Prof.dr Anila Kalleshi: Për mua këto vite më duken sikur kanë kaluar sa hap e mbyll sytë. E kam filluar me një shumë modeste 25 vite më parë, kur isha një vajzë e vogël, që sapo kisha mbaruar studimet dhe i kisha idetë e qarta për atë çfarë doja të isha në jetë. Sot jam shumë e lumtur që pas 25 vitesh ndjehem tërësisht e kompletuar, ja kam arritur që “Anila Kalleshi Center” të jetë një brand ndërkombëtar. Kjo është falë një pune të jashtëzakonshme dhe një sacrifice, duke harruar anën time jetësore. Kam jetuar për të ecur përpara dhe që ky brand të njihet në të gjithë botën.
CMG: I ke patur idetë e qarta që në fillim, por a ke arritur gjithçka ke dashur? Dhe a kërkon për më tej?
Prof.dr Anila Kalleshi: Besoj që ja kam arritur. Sapo jam kthyer nga Unioni Akademik i Oksfordit, ku më nderuan me dy çmime mjaft prestigjoze, që shumë pak persona në Europë i kanë “The Knight Order of Grand Master La Valete” në dhjetor të vitit 2022, si dhe “Queen Victoria”, duke i shtuar një vlerë tjetër çmimeve dhe CV-së time. Besoj se ja kam arritur dhe i kam thyer pritshmëritë, prandaj do doja të qëndroja në këtë stad që jam, sepse nuk besoj se do kishte diçka më të madhe, më të lart. Për dikë që nuk e njeh mund të duket e tepruar, por sakrificat, mundi, orët e tëra me studime, me përqëndrime në zyrë, në një kohë kur moshataret e mia ishin kafeneve të Tiranës, unë fatkeqësisht këtë gjë ja kam mohuar vetes. Kam mohuar festat, kam mohuar organizimet e ndryshme, drekat dhe darkat jashtë me miqtë, ja kam mohuar gjithçka vetes, për të arritur këtu ku jam. Mendoj se ja kam arritur, sepse të marrësh titullin Profesor Doktor nuk është pak dhe të gjitha janë frut i një pune të jashtëzakonshme për vite e vite të tëra.
CMG: E ndjen veten si një ndër femrat më të suksseshme në Shqipëri?
Prof. dr Anila Kalleshi: Të thuash femra më e suksesshme në biznes, nuk e them dot, sepse ka patur femra që kanë arritur, por ndoshta e kanë patur të trashëguar, apo si rezultat i bashkëshortit apo i ortakërive etj. Unë nuk jam femra më e pasur e Tiranës, absolutisht jo, por në karrierë mendoj se jam ndër femrat më të suksesshme. Nuk është se kam bërë thjesht biznes, bashkë me të unë jam rritur profesionalisht, kam mbaruar fakultete, kam marrë titullin Profesor, kam mbaruar Doktoraturën, kam marë pjesë në certifikime të ndryshme dhe kam qenë tre herë studente në “Harvard Medical School”, që në Shqipëri janë të rrallë personat që kanë arritur ta bëjnë këtë gjë. Gjithashtu kam qenë në Universitetin e Arizonës, në Universitetin e Mjekësisë në Lituani, kam mbaruar Master 1 vjeçar në Bari, në Universitetin “Aldo Moro”, gjithashtu në Romë, pra kam studiuar gjithandej, madje para gjashtë muajsh kam mbaruar një kurs online për “Intolerancën ushqimore” në Londër dhe të gjitha këto janë pjesë e certifikimeve dhe e rritjes profesionale, bashkuar me çmimet dhe rezultatet që “Anila Kalleshi Center” ka pasur në vite. Them që suksesi im ka qenë i garantuar dhe është në top listë, por sa i përket përfitimeve e të ardhurave, nuk e quaj veten milionere apo një grua e pasur, por e quaj veten ekstremisht të pasur në shpirt dhe në profesion.
CMG: Sa vite shkollë t’u bënë Anila?
Prof.dr Anila Kalleshi: Shumë. Unë në Korrik i bëj 51 vjeç dhe mendoj se edhe një universitet tjetër do e kryej (qesh).
CMG: Studimet e para i ke kryer në Shqipëri në degën ekonomi. Besoj se ja ka vlejtur, sepse ke ditur të menaxhosh mirë veten. Madje ne njihemi bashkë prej më shumë se 20 vitesh, kur ti ishe ekonomiste në një media, ndërsa sapo kishe nisur dhe sipërmarrjen tënde. Por si ecin paralel menaxhimi i punës dhe ai i familjes?
Prof.dr Anila Kalleshi: Unë them gjithmonë se Fakulteti Ekonomik më ka ndihmuar shumë për të hedhur bazat për një biznes të shëndetshëm, që ka filluar me një investim shumë modest, me 3-4 mijë euro investimin e pare, në qendrën time të parë dhe duke u rritur gradualisht, duke u përmirësuar. Sa i përket menaxhimit të kohës me familjen, të them të drejtën nuk i jam përkushtuar shumë vetes, e harroj shpesh që Anila ekziston, duke ju përkushtuar shumë punës, studimeve, etj. Familja ka qenë një ndër pikat kyçe të familjes time, ka qenë një familje e vogël, disi e menaxhueshme, duke patur gjithmonë mirëkuptimin e familjarëve të mi, të bashkëshortit dhe djalit tim. Me Franklin jam shumë e lidhur, në pjesë më të madhe të ditës e kam rreth vetes, në pjesë tjetër të ditës më telefonon në çdo moment, por në pjesën më të madhe të ditës përpiqem ta kem afër, pse jo edhe për t’i trashëguar profesionin tim.
CMG: Mendon se ka premisa për të ndjekur rrugën tënde?
Prof.dr Anila Kalleshi: Le të themi që ende është në ndjesitë e adoleshentëve për të konsumuar ushqime të shëndetshme, por edhe të abuzojë pak. Ai ka një fat shumë të madh, për të patur një profesioniste si mentore të tijën. Shumë shpejt shpresoj se ai do jetë student në Universitetin e Vjenës, e më pas me Master në Harvard. Le të shpresojmë, se këto janë ëndrrat e një nëne. Gjithmonë me dëshirën time për të studiuar dhe për të ecur përpara. Unë shoh profesorët e mi në Harvard janë në një moshë shumë të madhe dhe janë mentorë të jashtëzakonshëm për një pjesë të mirë të mjekëve botërorë. Ky profesion nuk ka moshë, por duhet të jesh në kontakt me të rejat dhe studimet më të fundit.
CMG: Anila,nëse ushqehemi shëndetshëm, mund të kemi edhe jetëgjatësi?
Prof.dr. Anila Kalleshi: Natyrisht që ushqyerja e shëndetshme është hapi kryesor i një jete të shëndetshme. Unë jam presidente e “Albanian Lifestyle Medicine Association” dhe jam në vëzhgim të shumë nutricionisteve të reja, që janë munduar ta kopjojnë si term, e të bëjnë emisione, pa e ditur fare se çfarë studion kjo shkencë. Shkenca “Lifestyle Medicine” është një shkencë ndërdisiplinore ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë, ndërmjet ushqyerjes korrekte “Nutricionit”, aktivitetit fizik, pra trajnerëve personalë, të cilët janë të certifikuar dhe psikologëve të cilët menaxhojnë stresin. Pra janë katër faktor që shkaktojnë probleme shëndetësore në jetën tonë, por edhe probleme shëndetësore të trashëguara gjenetikisht. Këto 4 hallka shoqërohen dhe kurohen vetëm nëpërmjet një stili jetese të shëndetshëm. “Lifestyle Medicine” është një shkencë që ka ndërthurur profesionistë mbarëbotërorë dhe është Aleanca Globale me qendër në Amerikë, ku unë jam anëtare e Shoqatës “Global Aleance”, e “Lifestyle Medicine” dhe kjo ka mbledhur profesionistët më të mirë në botë të Mjekësisë, të fushës së Nutricionit, trajnerëve personalë, gjithashtu edhe të psikologëve, duke dhënë rekomandime të detajuara. Natyrisht për t’u bërë ekspert i stilit të jetësës së “Lifestyle Medicine” duhet të certifikohesh.
Provimet që bëhen kanë bazë katër lëndë kryesore, ku janë shumë pyetje mbi mjekësinë dhe në këtë mënyrë njeh Patologjinë, Psikologjinë, ku duhet të njohësh shumë mirë psikologjinë e personit për të menaxhuar stresin. Gjithashtu nuk është krijuar si mënyrë jetese e shëndetshme dhe as në mentalitet në Shqipëri apo dhe në vende të tjera të botës, që doktori nuk ka të drejtë t’i thotë pacientit se sa minuta duhet të bëj vrap, apo sa minuta aktivitet fizik, apo sa duhet të ushqehet dhe si duhet të ushqehet një person. Për këtë gjë nuk ka të drejtë mjeku, ashtu si unë që jam dietologe klinike pavarësisht se i njoh patologjitë, nuk kam të drejtë që t’i them pacientit që do marësh një ilaç të caktuar, sepse kjo gjë i përket mjekut. Të gjitha këto hallka duhen ndërthurur në mënyrë që të mos gabohet me pacientin. “Lifestyle Medicine” është një mjekësi parandaluese. Ne në përgjithësi kujtohemi në momentin e fundit, përballemi me sëmundjen dhe nuk dimë si ta menaxhojmë, por kjo gjë duhet menaxhuar përpara se të fillojë problemi, është gjëja më e rëndësishme për të parandaluar një sëmundje.
CMG: Anila, çfarë do i sugjeroje vajzave që duan të arrijnë suksesin. Si mund të bëhesh një femër e suksesshme?
Prof. dr Anila Kalleshi: Kjo pyetje mu bë një ditë më parë në zyrën time. Një vajzë nga Kosova me shumë ambicje për jetën, ishte e ftuar në festën time dhe kur pa zyrën time të mbushur plot me trofe, më thotë: “Do më japësh tre pika kyçe për të qenë e suksesshme”. Fjala “egoiste” është shumë e rëndë për mua, por kur bëhesh ‘egoiste’ për të ecur, për të punuar dhe për të patur rezultate, kjo është në të mirën dhe në favorin e një profesionisteje, e një individi që do të ecë përpara.
Unë kam patur një qëllim në jetë, që me një investim modest në jetë mund të isha dikur që të bëhesha një lider, një person që do luftonte shumë për të ecur dhe për t’u bërë dikushi në jetë. Unë jam fëmija e dy prindërve shumë të famshëm në Shqipëri. Babai im është “Nderi i kombit”, kampion në sportin e peshëngritjes, ndërsa mamaja ime është po ashtu me tituj të lartë, një profesioniste 35 vjet në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Kur unë kisha nevojë për t’i folur ndonjë profesori, i cili nuk më jepje notën e merituar, sepse në klasën ku studioja ishin të gjithë fëmijë drejtorësh, njerëzish të njohur, ata e merrnin më lehtësisht se unë notën dhe mua nuk më vinin notën e merituar. Unë ndonjëherë shkojë në shtëpi e nervozuar e i thoja babait që t’i fliste profesorit për këtë gjë, por ai më tha: ‘Unë në jetë kam çarë vetë. Nëse do çash vetë në jetë vazhdo, në të kundërt mund të punosh çfarë të duash’. Kjo ka qenë një shtysë shumë e fortë, që unë nuk mund të ecë në jetë nga emri i prindërve, por nga meritat e mia. Kjo më ka bërë shumë të fortë dhe më ka bërë kjo që jam sot. Një person që ka një ego dhe ka dëshirë mund të ketë sukses. Përderisa unë kam arritur deri në Harvard të studioja dhe të takoja profesorët më të famshëm në Amerikë, që shumë i kanë ëndërr t’i takojnë e sot i kam miq shumë të mirë, do të thotë se unë jam një person që kam kërkuar nga vetja dhe atë çfarë e kam kërkuar, unë e kam arritur.
Natyrisht që vullneti është baza kryesore për të arritur këtë ego që personi ka, gjithashtu përkushtimi, por edhe studimet që janë një pjesë tjetër për t’u rritur. Sado që të kesh dëshira për të bërë diçka, nëse nuk kompletohesh dhe nuk je vërtetë 100 % e aftë për ta bërë atë gjë, ti nuk e arrin dot. Kështu pas 25 viteve karrierë, fshihet një punë e jashtëzakonshme, një sakrificë dhe luftë shumë e madhe.
Prof.dr. Anila Kalleshi studimet e para i ka kryer në Universitetin e Tiranës në Degën Ekonomi, më pas Master, për të vazhduar në Beograd studimet për Fizioterapi për 3 vite. Më pas ka studiuar për Dietologji në Romë, për të vijuar studimet në Universitetin e Harvardit, në Universitetin e Arizonës, Universitetin e Mjekësisë në Lituani, Universiteti ‘Aldo Moro’ në Bari, Master mbi stilin e jetesës, etj. Ajo është nderuar ndër vite me çmime ndërkombëtare në fushën e mjekësisë si “Name of Science” si dietologia më e mirë në Konferencën e Ekselencës të Cilësisë Korrik 2017 në Lucernë të Zvicrës, në po të njëjtin vit në Francë në European Awards Night me çmimin më të lartë Ndërkombëtar në fushën e mjekësisë “The Socrates Award”, çmimin ‘Queen Victoria Avvard’ Oxford 2022, etj.
Prof. dr Anila Kalleshi është autore e botimeve ”Si të dobësohemi”, “Dieta?! Jo vetëm”, ”Dieta sfidë”, e shumë të tjera. Në këto 25 vite pune, interesi i saj parësor është shëndeti i pacientëve dhe jo vetëm humbja e peshës, por mbi të gjitha edukimi për një ushqyerje të shëndetshme, që është baza kryesore e një shëndeti afatgjatë dhe më pak rrezik për t’u prekur nga sëmundjet kronike, sepse nëse nuk i kushtohet rëndësia e duhur, pasojat më vonë do të jenë të paevitueshme.
Intervistoi: Sava Lena