Irani zotohet të vazhdojë përpjekjet për përfundimin e bisedimeve bërthamore
2023-03-09 16:50:09

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Irani u zotua se do t'i përmbahet rrugës së diplomacisë dhe negociatave ndërsa vazhdon të kërkojë një përfundim për bisedimet e ngecura bërthamore. Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, gjatë një aktiviteti, tha se arritja e një marrëveshjeje në përputhje me interesat kombëtare është ndër përgjegjësitë e qenësishme të diplomacisë iraniane, citon “Xinhua” deklaratën në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme.

Ai shtoi se Irani u ka thënë në mënyrë eksplicite Shteteve të Bashkuara dhe palëve të tjera perëndimore se në krye të agjendës së tij janë respektimi i vijave të kuqe, mbrojtja e interesave kombëtare dhe arritja e një marrëveshjeje për të cilën të gjitha palët do të angazhoheshin.

Amir-Abdollahian tha se Irani nuk do të largohet kurrë nga tryeza e bisedimeve dhe as nuk do të tërhiqet nga vijat e kuqe edhe në rrethanat më të vështira.

Irani nënshkroi marrëveshjen bërthamore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), me fuqitë botërore në korrik 2015, duke rënë dakord të vendosë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndaj vendit. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, u tërhoqën nga marrëveshja në maj 2018 dhe rivendosën sanksione të njëanshme ndaj Iranit, duke e shtyrë këtë të fundit të reduktojë disa nga angazhimet e tij bërthamore sipas marrëveshjes. (Elona)