Kina jep dhurime për të ndihmuar në mbrojtjen e centraleve bërthamore të dëmtuara të Ukrainës
2023-03-09 19:04:21

Kina do t’i japë 200 000 euro (210 000 dollarë) Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të ndihmuar në mbrojtjen e objekteve bërthamore të Ukrainës, një ndër dhurimet e saj të para të tilla gjatë krizës.

Fondi ndihmës për mbrojtjen e infrastrukturës bërthamore në vendin e goditur nga konflikti u njoftua nga ambasadori kinez në Vjenë në një mbledhje të IAEA-së këtë javë.

Vendimi i palës kineze pason paralajmërimet e përsëritura nga agjencitë ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të ndryshme për të parandaluar me çdo kusht ndodhjen e një fatkeqësie bërthamore.

Pavarësisht se shqetësimet për një katastrofë bërthamore në shkallë të plotë janë ulur gjatë muajve të fundit, IAEA ka vazhduar të raportojë në vitin 2023 shpërthime të fuqishme pranë centralit të Zaporizhzhya-s në Ukrainë, një ndër strukturat më të mëdha bërthamore në Evropë.

Foto nga Reuters

Dhurimi jepet për të ndihmuar mbrojtjen e objekteve bërthamore në Ukrainë, të tilla si centrali i Zaporizhzhya-s, struktura më e madhe bërthamore në Evropë. / Alexander Ermochenko/Reuters

Një shpërthim në këtë central, tha presidenti Volodymr Zelenskyy, do të jetë sa "gjashtë Çernobila," një referim ndaj shkrirjes së reaktorit ukrainas në vitin 1986, që shihet si katastrofa më e madhe bërthamore në histori.

"Kina u ka dhënë gjithmonë rëndësi të madhe çështjeve të sigurisë," tha Ministria e Jashtme kineze në përgjigje të lajmeve të dhurimit.

Pozicioni paqësor i Pekinit mbi krizën e Ukrainës, i shpallur në dokumentin e tij të publikuar kohët e fundit me 12 pika, thekson gjithmonë rëndësinë e kundërshtimit të sulmeve të armatosura ndaj objekteve bërthamore, vuri në dukje kjo ministri, duke shtuar më tej: "Kina mbështet rolin konstruktiv të IAEA-së për nxitjen e sigurisë së së strukturave bërthamore paqësore ".

Vendimi për të dhënë fondet, tha ministria, është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të punuar me bashkësinë ndërkombëtare për të nxitur ngritjen e një "sistemi ndërkombëtar të sigurisë të drejtë, bashkëpunues dhe me dobi të ndërsjellë."

"Ne gjithashtu do të vazhdojmë të nxisim bisedimet e paqes, të mbështesim një zgjidhje politike për krizën e Ukrainës dhe të zhdukim shkaqet bazë të rreziqeve të sigurisë bërthamore," shtoi ministria.

Njoftimi i palës kineze pasoi vendosmërinë e shprehur nga drejtori i përgjithshëm i IAEA-s Rafael Mariano Grossi këtë muaj për të ndihmuar në mbrojtjen e centralit të Zaporizhzhya-s duke krijuar një zonë të mbrojtur bërthamore atje. Ai njoftoi që po diskutonte si me zyrtarët ukrainas, ashtu dhe me ata rusë, rreth kësaj çështjeje.

Ekipe të veçanta të IAEA-së kanë qenë gjithashtu në tre struktura të tjera bërthamore në Ukrainë, ndërsa kjo agjenci po përpiqet të krijojë një prani të vazhdueshme në kushtet e konfliktit.