Shqipëria, hua 50 milionë euro për reformimin e sektorit energjetik
2023-03-09 16:53:21

Shqipëria do të marrë një hua prej 50 milionë eurosh nga “KFV Bank” për reformimin e sektorit të energjisë në vend. Me vendim të Këshillit të Ministrave u miratua në parim marrja e huasë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se kjo hua do të shërbejë për zhvillimin e sektorit energjetik dhe zhvillimin e planeve të Shqipërisë për diversifikimin e tij deri në 2029-n, bën të ditur “RTSH”.

Edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se kjo hua do të shërbejë në funksion të investimeve në fushën e energjisë.

Një tjetër marrëveshje huaje e lidhur me “KFV Bank” do të jetë edhe për zhvillimin e zonave rurale, ku investimi do të fokusohet në zonën e Pogradecit dhe Pustecit. Ibrahimaj tha se “KFV” do të japë një financim prej 20 milionë eurosh dhe një grant prej 1 milion eurosh për zhvillimin rural që do të rrisë edhe punësimin në zonë. (Elona)