Numër rekord njerëzish kundër planit francez të reformës së pensioneve
2023-03-09 17:12:26

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Rreth 1.28 milionë njerëz protestuan në të gjithë Francën të martën kundër planit të reformës së pensioneve të qeverisë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, përcjell “Xinhua”. Megjithatë, sipas sindikatës më të madhe të Francës, Konfederatës së Përgjithshme të Punës, numri i vlerësuar i njerëzve që kanë marshuar në shkallë kombëtare kundër reformave ishte shumë më i lartë: në 3.5 milionë.

Të martën punoi vetëm një në pesë trena me shpejtësi të lartë. Dërgesat e karburantit u pezulluan gjithashtu në të gjitha rafineritë në të gjithë Francën, por furnizuesit e karburantit thanë se nuk do të kishte një ndikim të rëndë në stacionet e shërbimit.

Sindikatat e mëdha franceze zhvilluan një takim urgjent në Paris të martën në mbrëmje, ku ranë dakord për dy demonstrata të reja më 11 dhe 15 mars. Ata kërkuan gjithashtu një takim me presidentin francez Emmanuel Macron. Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, paraqiti detaje të planit të reformës së pensioneve në janar, sipas të cilit mosha ligjore e pensionit do të rritet në mënyrë progresive me tre muaj në vit nga 62 në 64 vjeç deri në vitin 2030 dhe do të futet një pension minimal i garantuar. Sipas planit, që nga viti 2027 do të kërkohen të paktën 43 vjet punë për të pasur të drejtën për një pension të plotë. (Elona)