Dita Ndërkombëtare e Gruas, kreu i OKB-së: Barazia gjinore, 300 vite larg
2023-03-09 14:36:41

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Përparimi drejt barazisë gjinore po zhduket para syve tanë”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.  

Duke folur me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Guterres tha se barazia gjinore është 300 vjet larg sipas vlerësimeve më të fundit nga “UN Women”, organizata e OKB-së e dedikuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, përcjell “RTSH”.  

Guterres përmendi numrin e lartë të vajzave që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe atyre që rrëmbehen dhe sulmohen për ndjekjen e shkollës si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore po bëhet gjithnjë e më e largët.  

“Të drejtat e grave po kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën”,- tha Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, duke përfshirë Afganistanin, ku tha se gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike.  

Raporti i paraqitur në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë të hënën vuri në dukje gjithashtu shtimin e martesave të detyruara dhe të fëmijëve dhe masa të tjera që kufizojnë aftësinë e grave për të punuar dhe udhëtuar të pavarura në Afganistan.

Për të arritur barazinë gjinore, Guterres bëri thirrje për veprime kolektive dhe urgjente, nga rritja e arsimit, të ardhurave dhe punësimit për gratë dhe vajzat, veçanërisht në vendet në zhvillim. (Elona)