Energjia elektrike në 2022, importet rriutje 35%
2023-03-09 09:12:57

Foto nga VCG

Energji (monitor)

Bilanci energjetik i 2022-it publikuar nga Instituti i Statistikave nuk solli asnjë surprizë sa i takon zhvillimeve që përkufizuan sektorin. Ashtu sikurse pritej dhe ishte nënvizuar edhe më herët, prodhimi rezultoi më i ulët sesa në vitin paraardhës kurse importet me një rritje dyshifrore në përqindje.

Gjatë vitit 2022, energjia elektrike në dispozicion u ul me 5,8 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.003 Gëh nga 8.963 GWh energji të prodhuar në vitin 2021, duke shënuar një rënie të prodhimit me 21,9 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 55,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 44,2 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaikë) në masën 0,7 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 3.044 GWh nga 2.253 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 35,1 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.123 GWh nga 2.800 GWh duke shënuar një rënie me 24,2 %” thuhet në publikimin e INSTAT.

Hidrocentralet publike, në vitin 2022, prodhuan 3.859 GËh nga 5.344 GWh të prodhuar në vitin 2021, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 27,8 %. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 3.093 GWh nga 3.578 GWh të prodhuar një vit më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 13,6 %. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2022, ka arritur vlerën negative prej 921 GWh krahasuar me vitin 2021 ku kishte nje vlerë pozitive prej 548 GWh – thuhet nga Instat.

Energjia (instat)

Energjia (instat)

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në vitin 2022, arriti vlerën 6.266 GWh nga 6.630 GWh që ishte në vitin 2021.  Në raport thuhet se përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u ul me 0,5 %, duke arritur vlerën 3.075 GWh nga 3.090 GWh që ishte në vitin 2021, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u ul me 9,9 % duke arritur vlerën 3.191 GWh nga 3.540 GWh që ishte një vit më pare.

Sa i takon menaxhimit të situatës të energjisë elektrike qeveria po merr masa duke hartuar edhe një projektligj të ri për burimet e rinovueshme ku vijojnë diskutimet në parlament dhe ka qëndrime të ndryshme. Për ekspertin e energjisë Azmer Duleviç  ajo çfarë sjell ndryshe ky ligj ka përafruar ligjet e Bashkimit Evropian.

“Ligji i energjisë së rinovueshme për miratim në Kuvend është në fazën e diskutimit, dhe normalisht do të ketë disa ndryshime që do bëhen dhe nuk bën gjë tjetër veç kërkesa të vazhdueshme nga ana e qytetarëve dhe e bizneseve, por janë edhe disa pika të tjera që përfshihen në ligj dhe mendoj se duhen riparë dhe ndryshuar apo përmirësuar. Ajo çfarë sjell ndryshe ky ligj ka përafruar ligjet e Bashkimit Evropian, i ka përshtatur me vendin tone. Për shembull një ndër pikat që ka qenë e kërkuar nga familjarët, bizneset por edhe nga faktorë apo aktorë të tjerë të tregut në vendin tonë ka qenë edhe tarifimi në bilanc mujor. Pritet të kalojë me bilancet vjetore në përfundim të çdo viti në datën që bëhet bilanci, por nuk është përcaktuar konkretisht sa do të jetë tarifa apo aktet e tjera nënligjore që do miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Gjithashtu një e re që sjell ky ligj është se do të krijojë edhe një ent që do jetë apostafat për energjitë e rinovueshme për projekt drejtpërdrejt në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës”- thotë Duleviç.

Konsumi (instat)

Konsumi (instat)

Me shqetësim shihet pjesa e subvencioneve të energjisë që nuk është marrë parasysh në ligjin e ri.

“Gjithashtu janë edhe disa pika të tjera të përfshira për disa banorë në ambiente të përbashkëta. Për shembull në pallate mund të instalojnë panele fotovoltaike dhe të bëjnë ndarjen e tyre, por teknikisht kjo mund të hasë në disa vështirësi për pjesën e implementimit dhe kam dhënë dhe sugjerimet e mia për këtë. Mirë do ishte se duhej të saktësohet dhe të vendoset për pjesën e ambienteve të përbashkëta në pallate dhe të gjendej një konsensus nga ana e banorëve. Gjithashtu ligji parashikon edhe shumë lehtësira për pjesën që duhet ose të shmangen burokracitë. Një kërkesë që ka qenë e vazhdueshme për sa i përket avancimit në sektorin e burimeve të energjisë së rinovueshme, është edhe pjesa e subvencioneve, që nuk është parashikuar asnjë subvencion direkt për ato familje që duan t’i implementojnë panelet fotovoltaike për prodhimin e energjisë, njëlloj siç është marrë nisma dhe është vënë në praktikë në panele diellore, pra 70% për ngrohjen e ujit të paneleve subvencionohet nga shteti. E njëjta gjë të ndodhte për sa i përket paneleve fotovoltaike dhe patjetër që duhet marrë parasysh përsa i përket sektorëve” shprehet Duleviç.

Një kërkesë e vetëprodhuesve ka qenë edhe për shtimin e kapaciteteve të lejuara të instalimit të paneleve.

“Për sa i përket pikave të tjera të instaluara të paktën nga bizneset është përsëritur në kuotat e 500 kilovat, pra ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e bizneseve që kjo të arrihet për instalimin e fuqisë në ambientet e tyre që nuk është dyfishuar dhe ka ngelur siç ka qenë. Gjithashtu edhe për abonentët familjarë duhet thënë që fuqia e instaluar e paneleve në banesën e gjithsecilit nuk e lejon ligji që të instalohet më shumë se 10.8 kilovat. Nëse një familje ka nevojë për më tepër panele të instalojë në ambientet e shtëpisë nuk mundet pasi kaq është kufizimi që lejohet të kenë nga ligji.”