Modernizimi i stilit kinez është një rrugë modernizimi me begati të përbashkët për të gjithë popullin, që thyen mitin se "modernizimi është baras me perëndimorizimin" dhe zgjidh shumë probleme gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore, duke ndriçuar vendet e tjera të botës, veçanërisht vendet në zhvillim.
Zimbabviani Tungamirai Eric Mupona në një kopsht çaji në provincën Zhejiang të Kinës Lindore/ foto nga "hangzhou.com.cn"
Tungamirai Eric Mupona është një student nga Zimbabvet në Kinë. Gjatë një emisioni të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), ai e pyeti drejtuesin: "Si mund të çohen banorët e varfër në rrugën e begatisë së përbashkët ndërmjet rigjallërimit rural?"
Para ardhjes në Pekin për të marrë pjesë në sesionin e parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, delegati Li Shiyao ishte shumë i zënë. Si delegat, ai bëri hetime e inspektime në fshat për të njohur mendimet e nevojat e banorëve, e ndërkohë, u kujdes për luleshtrydhet në kooperativën e vet në përgatitje për vjeljet muajin tjetër. Njëkohësisht, Li Shiyao drejtoi edhe mbjelljen e misrit prej fermerëve të tjerë në fshat.
Li Shiyao është nga fshati Zhongjing i qytetit Liupanshui të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore. Ai jo vetëm njihet për rritjen e luleshtrydheve, por është edhe i aftë në pasurim. Nën drejtimin e tij, fermerët e fshatit të tij kanë mbjellë bimë fitimprurëse, si shalqi, misri që mund të hahet i gjallë etj., dhe kanë kërkuar një model modern e efektiv të kultivimit, në vend të modelit tradicional, duke realizuar shtimin e të ardhurave dhe pasurimin.
Deputeti Li Shiyao në serrën e luleshtrydheve/ foto nga "gog.cn"
Në të kaluarën, fermerët e fshatit Zhongjing mbështeteshin vetëm te mbjellja e patateve dhe prodhimi varej nga moti, ndërsa sot ata janë bërë anëtarë të kooperativës dhe të ardhura vjetore për frymë të arrijnë mbi 30 mijë juanë (afro 4 300 dollarë amerikanë). Edhe jetesa e tyre është bërë gjithnjë e më e mirë.
“Duke folur për modernizimin e stilit kinez, kemi një shprehje: bujqësia ka objektiva, në fshat ka mundësi dhe fshatarët kanë shpresë," tha Li Shiyao. "Epërsia jonë më e madhe është që, ndërmjet zhvillimit të sektorëve karakteristikë, duke shfrytëzuar burimet natyrore, mund të nxiten shtimi i të ardhurave dhe punësimi i fermerëve, duke siguruar zhvillimin më cilësor të fshatit e të bujqësisë dhe duke realizuar më në fund begatinë e përbashkët.”
Begatia e përbashkët nuk kufizohet vetëm në begatinë e banorëve të një fshati. Fshati Yu në kontenë Anji të provincës Zhejiang të Kinës Lindore ua ka transmetuar më shumë fshatrave përvojën e vet të begatisë. Nga njëra anë, Yu lidhi 17 fshatrat përreth, duke formuar “mbarëfshatin Yu” të modernizuar, të ndërkombëtarizuar dhe të nivelit të lartë. Nga ana tjetër, ky fshat ka lidhje binjakëzimi me nëntë fshatra të krahinave perëndimore, si Sichuan, Xinjiang etj., duke kërkuar zhvillimin e përbashkët.
Deputeti Wang Yucheng, njëherësh kryetar i fshatit Yu, rrëfen: "Sot fshati ynë është i fuqishëm, i begatë, i bukur dhe harmonik. Vitin e kaluar, ekonomia kolektive e fshatit Yu i kaloi 13 milionë juanët (afro 1.8 milionë dollarë amerikanë) dhe të ardhurat për frymë ishin rreth 65 mijë juanë (afro 9 305 dollarë amerikanë). Ashtu si një pikë uji reflekton rrezet e diellit, edhe zhvillimi i fshatit Yu pasqyron zhvillimin e vrullshëm të mbarë vendit.”
Fshati Yu në kontenë Anji të provincës Zhejiang të Kinës Lindore / foto nga VCG
Modernizimi i stilit kinez synon jo vetëm "begatinë", por "begatinë e përbashkët për të gjithë popullin". Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang u shpreh në një konferencë shtypi disa ditë më parë: "Modernizimi i stilit kinez është modernizim me begati të përbashkët për të gjithë popullin, që i bën njerëzit jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht të pasur. Modernizimi nuk u shërben vetëm një pjese të vogël vendesh dhe njerëzish, nuk i bën të pasurit më të pasur dhe të varfrit më të varfër, nuk shkakton zbrazëti shpirtërore dhe mungesë morali e rendi. Popujt e të gjitha vendeve kanë të drejtën për zhvillim të barabartë dhe për kërkimin e lumturisë.”
Martin Jacques, dijetar i njohur britanik, analizoi se modernizimi i stilit kinez me "begati të përbashkët për të gjithë popullin" jo vetëm ofron shumë mundësi të reja për zhvillimin e ardhshëm të Kinës, por do të shërbejë si një mënyrë e re për zgjidhjen e problemeve të botës.
“Modernizimi perëndimor ka shkaktuar acarimin e mëtejshëm të pabarazisë në shumë vende, që është një nga problemet e mëdha në kohën tonë. Nëse Kina do të gjejë një mënyrë për kapërcimin e pabarazisë dhe për zgjidhjen e varfërisë ekstreme, ky lloj më i barabartë dhe më përfshirës modernizimi do të ushtrojë një ndikim të madh në mbarë globin.”
I riu zimbabvian e gjeti në Kinë përgjigjen mbi zhvillimin. Edhe dëshirat e deputetëve nga fshati do të realizohen. Sipas planifikimit, deri më 2035, PBB-ja për frymë në Kinë do të arrijë në nivelin e vendeve me zhvillim të mesëm, të ardhurat e të punësuarve do të shtohen më tej, ndërsa numri i njerëzve me të ardhura të mesme do të arrijë më shumë se 800 milionë në 15 vjetët e ardhshëm. Po shpaloset gradualisht piktura e modernizimit të stilit kinez me "begatinë e përbashkët për të gjithë popullin". (Wang Lei/ Artan)