Historia e filmit “Kapedani”
2023-03-08 09:53:55


Data 8 mars, e shënuar në kalendarin botëror, si datë kujtese, që lidhet me lëvizjen e grave për më shumë liri në punë, pagesë, familje  e kudo, na rikujton skenarin e një filmi, ndër më të bukurit e kinemasë shqiptare, që trajton pikërisht paragjykimin e skajshëm gjinor të meshkujve ndaj grave, të tipizuar nga një karakter që veshur me nota komizmi. Filmi ka titullin “Kapedani” dhe ka një histori të vërtetë, një personazh real që fshihet pas tij. 

Filmi “Kapedani” u realiza në vitin 1972. Regjia e filmit i përket regjisorëve Muharrem Fejzo dhe Feim Hoshafi, ndërsa skenari është shkruar nga Skënder Plasari.

Në fshat po komandon një grua dhe xha Sulo i ankohet për këtë shokut të tij, xha Beqos. Kështu fillojnë situatat komike, pasi xha Suloja e ka të vështirë të pranojë ta urdhërojë një grua. Kulmi arrin kur kryetarja e kooperativës gjatë një alarmi natën e cakton të kujdeset për kotecin e pulave. Xha Suloja revoltohet: “Një burrë me goxha mustaqe të merret me pulat!!” Dhe e braktis detyrën... Por të nesërmen, merr vesh se  në fshat i kanë vënë fletërrufe. Ai e heq fleterrufenë dhe kjo bëhet shkak i një konflikti me të madh. Xha Suloja kërkon të drejtën. Vendos t’i drejtohet një ish fshatari që ishte bërë i rëndësishëm në Tiranë, shokut Ropi. Niset. Në Tiranë ka edhe të birin oficer. Rrugës sheh gra shofere, fatorino, mjeke, etj. E sheh veten të rrethuar nga bota e grave, por kjo gjë nuk i pëlqen. Mikun e rëndësishëm e gjen në punë fizike,por ç'të shohë?! Ky funksionar i bindet një gruaje brigadiere! Do që të bisedojë me shokun Ropi, por heq dorë. Fillon të mendohet dhe nis rrugën e kthimit në kooperative me të tjera mendime. Dikush i propozon të presë mustaqet e gjata se ato ja kanë fajin.

Personazhi i Kapedanit është njeriu më i sinqertë dhe i vërtetë i gjithë ngjarjes. Fill pas konstatimit se ekziston një Tiranë “hipermoderne” ai nuk mbyll sytë, nuk thotë asgjë, nuk kupton asgjë, nuk flet me asnjeri dhe kthehet në fshatin e tij me kokën gjysëm ulur. Kapedani skandalizohet aq shumë nga faktet e reja të dijes sa sëmuret në trup e mendje.

Nga ana tjetër, Beqoja, shoku  tij i ngushtë që e shoqëron ngado në aventurat e tij, është një hap para Sulos, por ende i pavendosur për rrugën që duhet të marrë. Vlerëson marrëdhënien me mikun e tij bashkëfshatar, epopetë e së kaluarës, por herë largohet nga frika e pasojave të veprimeve të Sulos, të cilat mund të bien dhe mbi të, e herë afrohet kur ka nevojë për një kapedan, për një udhëheqës të momentit. Beqoja shfaqet më inteligjent sipas konceptit të inteligjencës përfituese/oportuniste, prandaj mbijeton më lehtë, pa vuajtur shtrëngesat shoqërore.

Shtresa shoqërore që ndodhet te Suloja është e destinuar të vdesë, të shuhet ose të reformohet, kurse ajo e Beqos përfaqëson pjesën më të madhe të njerëzve, tej mase realist për t’iu përshtatur situatave sipas një arsyeje dhe mendësie pragmatiste.

Është xha Suloja ai që pëson përsiatjet psikologjike të pushtetit të ri femëror, është ai që sëmuret, neurotiku, i forti, i cili më në fund zbutet dhe nënshtrohet me hir e me pahir pushtetit të femrave, në një realitet të ri ku gratë po luftonin për barazinë gjinore.

Ky film, kaq origjinal, komik dhe realist në të njëjtën kohë, lindi mbi një personazh real, një plak me huqe dhe plot paragjykime për femrat, të cilin skenaristi, Skënder Plasari, e kishte njohur realisht në jetën e tij.  Në kujtimet e jetës së tij, Plasari ka rrëfyer edhe detaje se si erdhi ky personazh, nga Dardha e Korcës, ku e kishte njohur, drejt e në skenarin e tij. Asaj kohe Plasari punonte në Estradën e Tiranës si skenarist dhe shkruante shumë pjese për estradë, monologje, dialogje, grimca humoristike, etj, të cilat pëlqeheshin shumë nga publiku. Në atë kohë erdhi për të punuar në estradë aktori i madh Mihal Popi, i cili i kërkoi Skënderit që të shkruante një skenar për të. Aktori i madh e ngacmonte përditë mbi këtë temë. Mes shumë dyshimesh, hezitimesh dhe refleksionesh, Plasari vendosi të shkruante dicka, pa e ditur se ky do të ishte skenari i filmit më të mirë në karrierën e tij dhe jo vetëm.

Skenaristit i kishte ardhur në mendje një tip që e kishte parë në Dardhë të Korçës. Plaku e kishte emrin xha Nasho dhe ky tipi ndër të tjera kishte alergji nga femrat, nuk i duronte dot. Ishte një burrë simpatik nga mënyra se si i gjykonte gjërat, jetën, fshatin, femrat dhe ngjallte interes si personazh. Madje një herë, ai kishte ardhur edhe në Tiranë, për të takuar skenaristin, si njohje personale dhe i kishte treguar se kishte ardhur të takonte “kryeministrin e bagëtive”, pasi ishte zënë me brigadieren në fshat dhe donte të takohej. Ndërkohë që bisedonin, Xha Nasho kishte parë disa vajza sportiste të veshura me geta dhe i shqetësuar kishte pyetur nëse e di qeveria që këta dalin ashtu.

Në ato vite ziente tema e emancipimit të gruas. Prandaj skenaristi vendosi që plakun nga Dardha, ta bënte personazh në film.  

Pra, personazhi i rrëfyer në film është një personazh i vërtetë, situatat e treguara në film janë reale, ndërsa dialogjet pikë e presje. Pasi u shkrua skenari, i pari që e lexoi ishte aktori Mihal Popi, që e pëlqeu shumë dhe u tregua entuziast për rolin. Por për shkak të moshës dhe pse roli kërkonte shumë energji, u tërhoq duke ia lënë vendin e tij, Nikolin Xhojës, në rolin e xha Beqos.

Sa i takon rolit kryesor, atij të xha Sulos, ky rol iu besua aktorit Albert Vërria, i cili ka krijuar me xha Sulon një nga rolet brilante në karrierën e tij dhe të kinemasë shqiptare njëkohësisht. Ishte vetëm 36 vjeç, në vitin 1972, kur aktori Albert Vërria interpretoi me mjeshtëri këtë personazh, i cili paraqet me detaje në mënyrë groteske, burrin konservator shqiptar.

Në kujtimet e tij aktori i ndjerë Albert Vërria tregonte se rastësia e kishte cuar drejt këtij roli. Asistent regjisori i filmit, Ismail Zhabjaku e kishte takuar në Tiranë rastësisht, i kishte dhënë skenarin dhe i kishte kërkuar të paraqitej të nesërmen për kinoprovë te Kinostudio Shqipëri e Re.

Albert Vërria, e kishte lexuar menjëherë rolin, përjashta, aty ku ndodhej, diku te stolat e parkut Rinia dhe gjithë natës kishte qëndruar aty duke punuar me tekstin. Nuk i bënte fare përshtypje prania e njerëzve që kalonin. Kishte vetëm një qëllim, të fitonte rolin, pavarësisht se vështirësitë ishin të mëdha, pasi xha Sulo, ishte një burrë 70 vjec, ndërsa ai vetë kishte një moshë sa gjysma e tij.

Të nesërmen u paraqit për kinoprovë dhe bashkë me aktorin Nikolin Xhoja, që tashmë ishte zgjedhur për rolin e Xha Beqos, duhej të interpretonin rolin kur dy pleqtë dehen me raki. Një skenë tepër e bukur, me shumë plastikë dhe shumë e vështirë, pasi Albert Vërria nuk e pinte alkolin dhe e kishte shumë të vështirë të bënte një plak të dehur. Por puna e madhe, serioziteti në prezantim dhe dëshira për atë rol, e bënë që të dilte fitimtar e ta rrëmbente rolin e xha Sulos.

Filmi u xhirua në Borsh, Sarandë dhe Tiranë. Në role të tjera interpretojnë Robert Ndrenika, Lazër Filipi, Melpomeni Cobani, etj.

Filmi u shfaq në kinema, duke rrëmbyer një sukses shumë të madh dhe duke u shfaqur me dhjetëra herë. Filmi fokusonte problemet emancipuese të shoqërisë shqiptare, i shërbente kohës dhe krijonte humor. Njërëzit e pëlqyen shumë, ndërsa Kapedani mbeti stereotipi i burrit që nuk i pranon gratë. Ishte filmi I parë në zhanrin e komedisë që u realizua nga Kinostudio dhe për këtë shënon edhe një rekord tjetër.

Neritana Kraja