Tonin Gjinaj: Ndryshimi i çmimit të patentës nevojë e formalizimit të tregut të autoshkollave
2023-03-09 15:46:51

Rreth 300 autoshkollat që operojnë në Shqipëri, do të dyfishojnë tarifën për marrjen e një leje drejtimi automjeti. Ndryshimi i çmimit të patentave vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Shoqata e Autoshkollave, Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës e ka pezulluar këtë marrëveshje përkohësisht, deri në një vendim përfundimtar. Në një intervistë për Radio Ejani sekretari i përgjithshëm i shoqatës kombëtare të autoshkollave Tonin Gjinaj tregon arsyet se pse ky treg duhet të formalizohet dhe cilat kanë qenë vështirësitë që ky sektor ka hasur gjatë këtyre viteve. 

Tonin Gjinaj ne konferencen e autoshkollave (Facebook)

Tonin Gjinaj ne konferencen e autoshkollave (Facebook)

CMG: Ditët e fundit është firmosur një marrveshje për rritjen e çmimit të patentave. Si ka qenë gjendja e autoshkollave vitet e fundit në vendin tonë, dhe cilat janë vështirësitë që ky sektor ka hasur? 

Tonin Gjinaj: Faleminderit për këtë intervistë. Unë do të doja të informoja të gjithë opinionin në Shqipëri, por dhe ata që jetojnë jashtë që po bëhet një reformë e thellë në autoshkolla. Kemi një çmim i cili nuk ka lëvizur pothuajse që nga viti 1996. Shoqata kombëtare e autoshkollave bëri konferencën e parë kombëtare në muajin nëntor, në të cilën u zgjodh grupi i punës për përcaktimin e elementëve të kostos për nxjerrjen e një çmimi për realizimin e programit. Kostoja teknike me inxhinierët përkatës, qoftë dhe me ekonomistë të mirëfilltë është shumë herë më e madhe sesa ne kemi nxjerrë, por duke parë kushtet ekonomike dhe pagën minimale në Shqipëri dhe duke parë dhe shumë elementë të tjerë ne kemi nxjerrë një kosto tepër minimale, e cila do ju vihet në shërbim qytetarëve. Deri tani nuk kemi pasur zbatimin e programit në mënyrë të mirëfilltë, por kemi pasur një program të cunguar, ku ne prekëm fundin dhe nuk kishim mundësi të paguanim taksat, nuk ishim të gatshëm te merrnim mjete të reja, kur nuk jemi të gatshëm të kemi rroga të mira për punëtorët e praktikës apo drejtuesit në këta ausoshkolla. Në këto kushte lindi nevoja që të reformoheshim. Në fakt formalizimin e biznesit ishte mirë ta kishte bërë shteti sepse shteti duhet të jetë dhe albitër në çdo lloj biznesi. Ndërkohë që vendet e rajonit kanë një kosto minimale të çmimit të lejes së drejtimit, kështu që edhe Shqipëria megjithëse është vendi i fundit në rajon do ta ketë këtë mundësi. Nuk duhet të ketë dyndje në këtë periudhë nëpër autoshkolla sepse do ketë një rrijte çmimi sepse edhe ata që do ta marrin patentën më vonë do të kenë shërbim disa herë më të lartë. Unë do të thoja se vendet partnere na rrezikojnë të na prishin marrveshjet, dhe nuk mund të bëjmë ne turizëm patentash në Shqipëri se ata kanë një kosto teknike për lejen e drejtimit dhe nuk mund ta marrë lejen e drejtimit çdokush. 

Grupi i punes gjate firmosjes se marreveshjes (Facebook)

Grupi i punes gjate firmosjes se marreveshjes (Facebook)

CMG: Kur pritet të zbatohet kjo marrëveshje për rritjen e çmimit të patentës?

Tonin Gjinaj: Në datën 27 shkurt ka dalë një urdhër i drejtorit të përgjithshëm, ku thuhet se autoshkollat nuk mund të kryejnë regjistrime pa pasur mandatin e pagesës çdo autoshkolë në dosje, që do të thotë se ky treg po shkon drejt formalizimit. Ky është lajm i mirë sepse nuk është më në duart e sekserëve, çdo lek që do tu merret qytetarëve do shkoi në mandat pagesë. Unë po hartoj një shkeresë për drejtorinë e përgjithshme të shërbimit të transportit rrugor, drejtorisë së përgjithshme të tatimeve, ku lekët e të gjithë kandidatëve në bazë të udhëzimit të ministrisë së energjisë dhe transportit do të bëhen në bankë, dhe banka është ajo që nuk le vend për abuzime, nuk mund të ketë evazion dhe nuk mund të ketë fallsitet. Shoqata kombëtare e autoshkollave ndahet njëherë e përgjithmonë nga korrupsioni dhe sekserët në treg. Patenta është një dokument i rëndësisë tepër të veçantë, ka të bëjë me jetën e njerëzve, ka të bëjë me jetën e drejtuesëve të mjetit. Kështu që ne duhet të kemi një leje drejtimi sa më të fortë, sa më të qëndrueshme që ti qëndrojë kohës dhe vetë rajonit. Në ato vende ku njerëzit shkojnë për të punuar si drejtues mjeti, të shkojnë të aftë dhe të pregatitur dhe ta kryjenë detyrën ashtu siç duhet, duke nderuar veten e tyre por duke nderuar dhe autoshkollat nga duart e të cilave kanë dalë.

Tonin Gjinaj gjate nje emisioni televiziv (Facebook)

Tonin Gjinaj gjate nje emisioni televiziv (Facebook)

CMG: Ju jeni drejtues i njërës prej autoshkollave ku keni gati 23 vite në treg. Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur gjatë këtyre viteve?

Tonin Gjinaj: Vështirësitë kanë qenë sepse tregu ka qenë i pa formalizuar dhe nuk kemi qenë të barabartë përpara ligjit. Dikush e deklaronte patentët duke i marrë qytetarëve reth 30 -35 mijë lek dhe duke e deklaruar në tatime 2 mijë apo 3 mijë lek. Kjo ulja e çmimit dhe madje në deklaratat qesharake 20 mijë lek bashkë me kartonin, pra diçka që me 36 orë teori dhe 34 seanca praktikë është e pamundur të realizohet. Nëse ne do ta realizojmë këtë programin me këtë kosto teknike, dhe nëse nuk do ta realizojmë do ta cungojmë programin ose nëse duan ta përgjysmojnë programin përgjysmojmë dhe ne. Dihet që ne nuk ecim me energji diellore dhe as me ujë, por ne ecim me karburant, ecim me goma, ecim me lubrifikantë ku në ço vend na është dyfishuar çmimi, ndërsa ne jemi po me të njëjtin çmim si në vitin 1996 kur karburanti ishte rreth 60-70 lek për litër.

Tonin Gjinaj me drejtorin e DPRSHRR-se Bledni Gonxhja (Facebook)

Tonin Gjinaj me drejtorin e DPRSHRR-se Bledni Gonxhja (Facebook)

CMG: Çfarë mund të na thoni për dyndjen e qytetaëve nëpër autoshkolla që ta bëjnë sa më shpejt patentën me koston reale që është tani?

Tonin Gjinaj: Dyndja është fiktive, madje elementë të caktuar të drejtorisë rajonale të shërbimit të transportit nëpër rrethe ju kanë shërbyer këtyre autoshkollave të cilët uzurpojnë tregun, duke mbledhur kandidatë më shumë sesa kanë kapacitet, qoftë njerëzore apo dhe kapacitetet e mjeteve. Këto qytetarë duhet të kenë shumë kujdes sepse drejtoria që nxorri urdhërin për të kaluar lekët në bankë që ta formalizojmë këtë. Unë them që qytetarët të mos dynden sepse do të ngelen dhe nuk asimilohen dosjet që ata kanë grumbulluar për gjashtë muaj. Nëse këtyre do tu digjen dosjet, atëhere do të paguajnë lekët në bankë dhe do të paguajnë çmimin e kripur pastaj. Qytetarët duhet të regjistrohen te autoshkollat të cilat po vazhdojnë veprimtarinë normale, ashtu siç po e vazhdoj dhe unë veprimtarinë dhe nuk kam ndonjë dyndje. Unë mund të kem shtuar vetëm 3-4 kursantë më shumë sesa mesatarja në këto momente, por i kam të gjitha kapacitetet dhe në moment që do të vijnë mbi kapacitetin unë nuk do ta ushtroj veprimtarinë. Madje unë si drejtues autoshkolle vetë në këtë momente sapo dola nga klasa me drejtuesin teknik dhe të teorisë, pasi mësimëdhënia në autoshkolën time fillon nga ora 8.45 deri në orën 11.00, dhe nga ora 16.00 deri në orën 19.30. Këto janë të gjitha të afishuara, dhe unë shtova një orë praktikë dhe një orë mësimdhënie teorie, që është kohë më shumë në klasë për tu shërbyer qytetarëve për të mos pasur rrëmujë nëpër klasa, por për të kryer mësimdhënie. 

Tonin Gjinaj (Facebook)

Tonin Gjinaj (Facebook)

CMG: Janë mbi 300 autoshkolla në të gjithë Shqipërinë që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Mendon se të gjitha do ti mbizotrojnë tregut kur çmimi i lejes së drejtimit të rritet?

Tonin Gjinaj: Së pari në bazë të nenit 21 të kodit rrugor drejtoria e përgjithshme e shërbimit të transportit rrugor pika 2 ka të drejtën të mbikqyri aktivitetet dhe të largojnë nga tregu i autoshkollave ata të cilët abuzojnë. Mua për këto nuk më vjen aspak keq sepse ka autoshkolla pa kasë fiskale dhe autoshkolla që qëndrojnë në mënyrë fikive në qarkullim, dhe për këtë është përgjegjësi edhe e DPSHTRR-së e cila në këto momente pasi doli udhëzimi edhe ajo vetë do të korrigjohet për këto probleme dhe do të jetë me task forcën e saj në çdo autoshkollë fiktive. Këto autoshkolla fiktive duhet të mbyllen si dhe të mbajnë përgjegjësi penale për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme dhe prishjes së konkurencës së ndershme dhe kushteve të barabarta ligjore në biznes sepse ata nuk paguajnë as tatime, as taksa dhe sa siguracione në lidhje me kandidatët ose punonjësit që kanë në veprimtarinë e tyre. Gjithashtu mund të ketë dhe autoshkolla që nuk mund ti qëndrojnë tregut sepse janë të pa formalizuara dhe pa drejtor teknik. 

CMG:  Së fundi një mesazh për të gjithë qytetarët.

Tonin Gjinaj: Mesazhi im për qytetarët është që të jenë sa më të qetë dhe të sigurtë. Të vazhdojnë të shkojnë në autoshkolla të cilat ushtrojnë veprimtari sipas ligjit, sipas kodit rrugor dhe udhëzimit të ministrisë së transporteve, të marrin shërbimin e duhur.

Intervistoi: Gazmend Agaj