Ura-Velipoje (Foto Facebook)
Gjatë mbledhjes mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Malit të zi, u nënshkruan marrëveshje në sektorin e energjisë dhe të infrastrukturës. Pas mbledhjes Belinda Balluku, zëvendëskryeministre tha për mediat se bëhet fjalë për tre projekte të rëndësishme.
“Kemi tre projekte të rendësishme të nisura. Projekti i Korridorit Blu siç është projekti i LNG-së, i gazit të lëngshëm. Ajo që ne po bëjmë sot në Shqipëri është pjesa e parë e 33 kilometrave që do të përfshihet në të ardhmen në transmetimin e gazit. Sa i përket zhvillimit hekurudhor, Shqipëria tashmë ka fituar një projekt i cili do të mbështetet nga fondet e Bashkimit Evropian dhe është hekurudha Vorë-Hani i Hotit.”, u shpreh ajo
Me rëndësi është edhe investimi në rrjetin hekurudhor. Balluku dha detaje të punës për projektin e gazit të lëngshëm dhe të ndërtimit të hekurudhës Vorë-Han i Hotit.
“Ne sot po investojmë në një sistem totalisht të ri hekurudhor, të modernizuar ku si vagonët, ashtu edhe mënyra e transmetimit, pra përmes shinave do të jetë e elektrifikuar. Në kufi do të përballemi me një hekurudhë të ndërtuar para viteve ’70”
Të dy vendet, Shqipëria dhe Mali i Zi do të ndërtojnë së bashku Urën mbi Lumin Buna. Ndërkohë Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se projekti mbi Bunë do të kushtojë më shtrenjtë sesa ishte menduar fillimisht, përkatësisht ishte menduar se do të kushtonte 9 milionë euro. Ministrja Balluku jep disa detaje rreth projektit.
Nënshkrimi i marrëveshjeve (Foto Facebook)
“Ura do të jetë 300 metra, e cila është dizenjuar edhe sipas një formati që i përshtatet natyrës së zonës ku lidhet Mali i Zi me Shqipërinë. Menjëherë pasi dy qeveritë vendosin buxhetimin që duhet të jetë 50/50 midis palëve, ne do të nisim nga puna”, u shpreh Balluku
Në dokumentin e publikuar në faqen e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se Shqipëria me Malin e Zi, bien dakord të bashkëfinancojnë ndërtimin e urës. Secila palë do të financojë 50 për qind të ndërtimit, duke përfshirë edhe koston e mbikëqyrjes bashkë me shërbimet e tjera afatgjata.
Kjo urë do të lidhë Ulqinin, komunë në jug të Malit të Zi, me Velipojën në Shqipëri. Aktualisht, distanca mes këtyre dy vendeve është 70 kilometra dhe ndërtimi i urës do ta shkurtojë rrugën në vetëm disa prej tyre. Për zv.kryeministren Balluku marrëveshjet e nënshkruara me Malin e Zi janë të rëndësishme për sigurinë energjetike të rajonit.
Ministrja Balluku dhe homologu malazez( Foto Facebook)
E dyta mbledhje e përbashkët mes qeverisë të Malit të Zi dhe asaj shqiptare prodhoi edhe një sërë marrëveshjesh të tjera. Të dy qeveritë dakordësohen në hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj që do t’i shërbejë edhe rrugës që do të lidhë dy vendet. Përveç marrëveshjes për ndërtimin e urës, janë nënshkruar edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me interes të përbashkët që kanë të bëjnë me: energjinë, peshkimin, mbrojtjen e bimëve, mbrojtjen sociale, sportin, kulturën dhe median, në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë. Në fushën e bujqësisë me rëndësi është menaxhimi i përbashkët i peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna ku Ministrja e Bujqësisë Krifca tha se, marrëveshja ka për qëllim angazhimin e përbashkët të dy vendeve, për të mbështetur dhe zhvilluar burimet e peshkimit, përmes rregulloreve të harmonizuara të peshkimit, masave menaxhuese dhe mbrojtëse të bashkërenduara për peshkun dhe peshkimin.