I dërguari kinez bën thirrje për heqjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Sudanit të Jugut
2023-03-08 16:45:58

Foto nga VCG

I dërguari kinez në Kombet e Bashkuara i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të heqë menjëherë sanksionet ndaj Sudanit të Jugut për të lehtësuar mbrojtjen e civilëve në vend, bën të ditur “Xinhua”.

“Kohët e fundit, ne kemi parë përshkallëzim të dhunës në shumë rajone në Sudanin e Jugut”, -tha Dai Bing, i ngarkuari me punë i misionit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara, në një takim të Këshillit të Sigurimit.

Kina u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre përmes dialogut dhe negociatave, tha ai.

Dai vuri në dukje se vendosja e forcave të sigurisë nga qeveria në korridorin e Nilit ka ndihmuar në stabilizimin e situatave lokale, duke demonstruar plotësisht se siguria e vendit duhet të ruhet nga qeveria.

“Sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj Sudanit të Jugut kanë kufizuar kapacitetin e sigurisë së qeverisë për të mbrojtur civilët dhe duhet të hiqen menjëherë”,- tha Dai.

I dërguari tha se viti 2023 është vendimtar për Sudanin e Jugut pasi vendi zbaton Marrëveshjen e Rigjallëruar dhe avancon tranzicionin politik. Në këtë kohë kritike, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të ushtrojë durim dhe t'i japë më shumë mbështetje dhe inkurajim Sudanit të Jugut për ta ndihmuar atë të kapërcejë vështirësitë në zbatimin e marrëveshjes dhe përgatitjet zgjedhore me veprime të prekshme, tha ai.

Dai vuri në dukje se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut ka dhënë kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në vend. (Elona)