Konteja Yanjin e provincës Henan të Kinës Qendrore është një bazë e rëndësishme për mbjelljen e grurit. Aktualisht, fermerët po përdorin platformat e bujqësisë inteligjente për plehërimin, ujitjen, luftimin e dëmtuesve etj. Pasi përcaktohet plani i plehërimit, mund të plehërohet brenda gjysmë ore rreth 13.3 hektarë tokë.
Foto: VCG
Peng Liangcheng, kryetar i Kooperativës Profesionale të Mbjelljeve Bujqësore "Lianfeng" thotë: “Pasi u krijua platforma e bujqësisë inteligjente me internet 5G, kostoja e menaxhimit të kooperativës u ul ndjeshëm. Nëpërmjet platformës mund të realizohet gjatë gjithë procesit vrojtimi dhe mbrojtja e kulturave bujqësore.”
Kjo platformë e bujqësisë inteligjente me teknologji 5G mund të rregullojë ujitjen dhe plehërimin sipas të dhënave të temperaturës, lagështisë dhe reshjeve. Celulari është bërë një mjet i ri bujqësor, të dhënat e mëdha janë bërë furnizime të reja bujqësore, dhe bujqësia tradicionale është shndërruar nga mbështetja në fuqinë punëtore në mbështetjen në fuqinë kompjuterike.
Më 5 mars, kryeministri i Kinës Li Keqiang vuri në dukje në raportin e punës së qeverisë që, në pesë vjetët e kaluar, u forcua gradualisht aftësia e zhvillimit të drejtuar nga inovacioni dhe norma e kontributit të përparimit shkencor dhe teknologjik e tejkaloi 60 për qind. Vlera e shtuar e sektorëve të rinj, modeleve të reja dhe formave të reja të biznesit zë më shumë se 17 për qind të PBB-së.
Drejtori i Zyrës së UNESCO-s në Kinë Shahbaz Khan vuri në dukje: “Jeta ka ndryshuar shumë, dhe Kina ka bërë përparim të mrekullueshëm. Në Kinë, shumë kompani shfrytëzojnë mirë epërsitë e internetit të gjërave, inteligjencës artificiale dhe të dhënave të mëdha. Pamë gjithashtu se gjatë pandemisë së COVID-19, kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën tonë kur u izoluam nga pjesa tjetër e botës.”
Foto: VCG
Kryeministri kinez vuri në dukje në raportin e punës se Kina do të përshpejtojë transferimin digjital të sektorëve tradicionalë dhe të sipërmarrjeve të mesme e të vogla, do të nxitë përmirësimin e sektorëve tradicionalë dhe do të rritë nivelin e digjitalizimit dhe të gjelbërimit. Ai e vendosi objektivin e PBB-së për vitin 2023 në rreth 5 për qind.
Ekonomisti ukrainas dhe eksperti i tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve Serdechnyi Oleksandr tha: "FMN-ja publikoi ditët e fundit raportin 'Perspektiva ekonomike botërore'. Raporti i FMN-së ngre ndjeshëm parashikimin mbi rritjen e ekonomisë kineze në 5.2 %. Bankat e investimeve, përfshirë 'Morgan Stanley', 'Goldman Sachs', 'Credit Suisse' e UBS, gjithashtu kanë rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës.
José Ricardo, Bashkëkryetar i Organizatës së Drejtuesve të Biznesit të Brazilit në Kinë, theksoi: “Ç'do të thotë objektivi i ri i zhvillimit? Pa dyshim, Kina do të forcojë modelin e zhvillimit inovativ, përfshirës e të vazhdueshëm, për të garantuar rritjen e qëndrueshme ekonomike”.
Foto: VCG
Zhvillimi mbështetet nga inovacioni. Kina po realizon zhvillimin e vet me cilësi të lartë dhe njëkohësisht po i jep botës më shumë mundësi zhvillimi.
Ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare të Landit të Hesenit të Gjermanisë, profesor Michael Borchmann, u shpreh:
Një zëdhënëse e famshme e gjigantit kimik gjerman, Grupit BASF, ka thënë se BASF do të këmbëngulë në zhvillimin në tregun kinez, që është tregu më i madh i produkteve kimike në botë. "Strategjia jonë është do të prodhojmë ku gjenden klientët". Kryetari i bordit i kompanisë gjermane BOSCH, Stefan Hartung, ka thënë:“Kërkesa e tregut kinez duhet përmbushur. Kjo është shumë e rëndësishme. Mund të zgjidhen problemet në vendet e tjera të botës vetëm nëse sigurohet fitore në konkurrencë në tregun kinez.” Besoj se ata kanë të drejtë. (Li Huailiang/Artan)