Ambasadori kinez Zhou Ding viziton Agjencinë Kombëtare të Rinisë të Shqipërisë
2023-03-08 13:17:50

Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi të hënën Agjencinë Kombëtare të Rinisë së Shqipërisë, ku së bashku me ministren shqiptare të Rinisë dhe Fëmijëve Bora Muzhaqi dhe drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Rinisë Kleina Kasanai,  u takua me përfaqësuesit e të rinjve kinezë e shqiptarë, si edhe i dhuroi pajisje zyre inteligjente palës shqiptare.

Ambasadori Zhou tha se miqësia tradicionale ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë është e thellë dhe të dy vendet kanë një histori të gjatë të dërgimit të ndërsjellë të studentëve. Me kalimin e viteve, breza të rinjsh të shquar nga të dyja palët kanë shkuar në vendet e njëri-tjetrit për të studiuar dhe zhvilluar shkëmbime, duke luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen më të mirë të të dy popujve. "Jam i lumtur kur shoh që  më shumë të rinj shqiptarë po studiojnë në Kinë dhe më shumë studentë kinezë zgjedhin të studiojnë gjuhën e kulturën shqipe. Marrëveshja e heqjes së ndërsjellë të vizave Kinë-Shqipëri, që sapo u nënshkrua, u ka dhënë shtysë të fortë shkëmbimeve  të personelit dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet të dy vendeve. Ambasada kineze do të forcojë bashkëpunimin me palën shqiptare, do të thellojë më tej shkëmbimet rinore ndërmjet Kinës e Shqipërisë dhe do të promovojë thellimin e mirëkuptimit, mësimin e ndërsjellë dhe përparimin e përbashkët të të rinjve të të dy vendeve," theksoi ambasadori Zhou.

Nga ana e tyre, ministrja Bora Muzhaqi dhe drejtoresha Kleina Kasanai e falënderuan ambasadën e Kinës për dhurimin e pajisjeve të zyrës. Ato thanë se ky dhurim pasqyron plotësisht miqësinë e popullit kinez dhe do të përmirësojë më tej nivelin e zyrës digjitale të Agjencisë Kombëtare të Rinisë të Shqipërisë e do të promovojë zhvillimin më të mirë e më të shpejtë të çështjeve rinore në Shqipëri. Ato shprehën kënaqësinë e madhe që, së bashku me ambasadorin Zhou, diskutuan me miqtë e rinj nga të dy vendet, duke i ndihmuar ata të kenë komunikim të drejtpërdrejtë, dhe shprehën shpresën që brezat e rinj të të dy palëve do të njohin më mirë historinë dhe kulturën e vendit tjetër, do të japin kontribut për shkëmbimet e bashkëpunimin midis Shqipëri dhe Kinës duke arritur rritjen personale, dhe do të bëhen ambasadorë të shkëmbimeve miqësore ndërmjet dy vendeve. Administrata Kombëtare e Rinisë e Shqipërisë do të bashkëpunojë ngushtë me ambasadën kineze për të organizuar së bashku më shumë aktivitete shkëmbimi me temën e zhvillimit të Kinës dhe rritjes rinore, për të promovuar lidhjet mes popujve të të dy vendeve dhe për të thelluar miqësinë tradicionale mes Shqipërisë dhe Kinës.

Përfaqësuesit e të rinjve të të dy vendeve thanë se aktivitetet e shkëmbimit kanë arritur rezultate të mira në shtimin e mirëkuptimit dhe thellimin e miqësisë dhe ata kanë përfituar shumë. Megjithëse të dy vendet janë larg njëri-tjetrit, popujt e tyre, veçanërisht brezi i ri, janë afër njëri-tjetrit. Ata janë të etur të mësojnë për zakonet,  gjuhën dhe kulturën e vendit tjetër dhe do të forcojnë më tej mësimin e ndërsjellë dhe do të japin kontribut aktiv për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. (Çang Çuo)