Rama: Shqipëria nuk largohet nga Nisma “Bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL”
2023-03-08 10:37:57

Foto nga RTSH

Shqipëria nuk do të largohet nga Nisma “Bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL”, e prezantuar nga Kina në vitin 2012 mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Në konferencën për medien, mbajtur të martën në Berlin, krah kancelarit gjerman Scholz, Rama sqaroi pozicionin e Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit me Kinën.
“Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë publik, madje duke u bërë thirrje edhe vendeve të rajonit për të zgjedhur një alternativë për 5G. Këtë e kemi bërë shumë kohë më parë. Në këtë aspekt, nuk kemi asnjë problem. Po, jemi pjesë e formatit “Bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL”  dhe nuk kemi ndërmend të largohemi. Për hir të së vërtetës, për arsye historike, psikologjike të të dyja palëve, bashkëpunimi ynë është normal”,- tha Rama.
Kryeministri Rama, largimin nga Nisma “Bashkëpunimi Kinë-vendet e EQL” e mendon ide të gabuar, citon “RTSH”.  

“Në botën ku jetojmë, komunikimi, me të gjithë pa përjashtim, pavarësisht se mund të kemi mendime të kundërta, është A-ja”,- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin në kuadër të një vizite zyrtare dyditore. (Elona)