Intervistë me studiuesen Marsela Musabelliu
Raporti i punës së qeverisë kineze gjatë sesionit të parë plenar të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (parlamenti), që nisi punimet të dielën në Pekin me pjesëmarrjen e gati 3 mijë deputetëve nga mbarë vendi. Zhvillimi i sesionit do të vijojë për rreth 8 ditë në punën e të cilit përfshihet raporti i punës së qeverisë, për ekonominë, sigurinë, politikën e jashtme si dhe caktimi dhe zgjedhja e anëtarëve të organeve shtetërore.
Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit ndan për Radio Ejani opinionin e saj për punën e këtij sesioni të legjislaturës më të lartë të Kinës.
CMG: Besoj se në fokusin e punës suaj si studjuese e globalizimit Kina është një pjesë e veprimtarisë. Sesioni i pare plenar i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës që nisi punimet të dielën a po ndiqet nga ju?
Dr.Marsela Musabelliu (Foto CMG)
Dr. Marsela Musabelliu: Po patjetër. Unë e kam ndjekur çdo ditë që prej fillimit të tij dhe kjo është normale sepse jo vetëm ne, por edhe pjesa tjetër e botës dhe shumë gazetarë të huaj tashmë janë në Pekin dhe po raportojnë këtë event të rëndësishëm politik të Kinës. Mund të themi se është eventi më i rëndësishëm i pranverës dhe gjithë vitit 2023.
CMG: Ndalemi tek paraqitja e raportit të punës së qeverisë kineze nga kryeministri Li Keqiang kryesisht për politikën e jashtme. Ai tha se “Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe do të ecë me vendosmëri mbi rrugën e zhvillimit paqësor”. Kreu i qeverisë iu referua dhe bashkëpunimit me vendet e tjera në bazë të Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe zbaton me vendosmëri një strategji të hapur me përfitime të ndërsjella. Si e komentoni pjesën e raportit lidhur me diplomacinë kineze?
Dr. Marsela Musabelliu: Gjatë këtyre ditëve si nga media po ashtu dhe në rrugët e Pekinit është shfaqur fraza “Agjenda e 1.4 miliardëve”. Pra këto dy sesione japin një panoramë gjatë këtyre ditëve të sinjaleve të forta të performances ekonomike dhe politike të Kinës, por dhe objektivat kryesore për sa i përket të ardhmes. Raporti i paraqitur nga kryeministri Li Keqiang është shumë i rëndësishëm sepse zakonisht në dy sesionet ne shohim një raport vjetor, ndërsa kësaj radhe në vitin 2023 dy sesionet nuk janë standarde sepse kanë një domethënie të veçantë. Kësaj radhe prezantohet udhëheqja e re e institucioneve të Kinës dhe kureshtja nga e gjithë bota dhe sigurisht brenda Kinës është e madhe. Ndërkohë këtë radhë është 45 vjetori i reformës së hapjes së Kinës, pra dy sesionet e këtij viti kanë një rëndësi të madhe nga brenda, sepse përsa i përket pjesës ekonomike 45 vjetori i reformës së hapjes dhe nga jashtë kemi këtë vit 1 dekadë të nismës “Një brez, një rrugë”. Është shumë e rëndësishme sepse përveç këtyre të dyjave në këtë pranverë fillon viti i parë që Kina starton plotësisht parimet udhëzuese të Kongresit të 20-të të PKK-së, që u mbajt në tetor të vitit të kaluar dhe të gjithë e dimë rëndësinë e tij.
Foto VCG
CMG: Ishte i rëndësishëm dhe për faktin se pas një periudhe të pandemisë Covid 19 si për të gjitha vendet e botës dhe për Kinën pati një reflektim për vijimin e punës
Dr. Marsela Musabelliu: Unë e ndoqa fjalimin e kryeministrit Li Keqiang, i cili zgjati rreth 55 minuta dhe dua të nënvizoj disa fraza nga ky fjalim, të cilat u përsëritën më shpesh. Në radhë të pare u nis me arritjet e Kinës jo vetëm gjatë vitit që kaloi, por dhe në 5 vitet e kaluara dhe mbi të gjitha është krenaria kombëtare që kryeministri Li Keqiang e cilësoi si arritja e çrrënjosja e varfërisë në vend. Kjo është një arritje jo vetëm ekonomike, por edhe sociale sepse janë nxjerrë nga varfëria 100 milion banorë në 8 vite dhe 832 qarqe të nxjerra nga varfëria. Në këto vite në Kinë është zgjeruar kërkesa e brendëshme dhe konsumatori kinez është rritur me fuqinë e tij blerëse dhe me fuqinë konsumatore. Gjithashtu është promovuar zhvillimi kombëtar dhe është përmirësuar mirëqenia, të theksuara këto në raportin e mbajtur nga kryeministri kinez. Ajo rritje që ne kemi pare në Kinë, nu ka qenë vetëm në shifra, por në mirëqenie dhe në standardet e jetës. Ndërkohë 5 vitet e fundit kanë qenë shumë të rëndësishme sepse vendi ka përballuar sfida të mëdha, ndër të cilat shkalla e inflacionit është mbajtur në norma normale ndërsa pjesa tjetër e botës ka patur problem në këtë drejtim.
CMG: Mbetemi te diplomacia. Si e komentoni raportin e qeverisë kineze në aspektin e politikës së jashtme?
Dr.Marsela Musabelliu: Lidhur me diplomacinë dhe qasjen e Kinës me botën një frazë që u përdor shpesh në raport ishte rruga kineze drejt modernizimit dhe si kjo rrugë mund të impaktojë pjesën tjetër të botës. Kjo rrugë kineze drejt modernizimit përmban filozofinë dhe zhvillimin kinez dhe i paraqitet pjesës tjetër të botës. Me një këndvështrim ndërkombëtar kjo rrugë kineze drejt modernizimit u përmend dhe në deklaratën e ministrit të jashtëm të Kinës.
CMG: Më 7 mars, në konferencën për shtyp në kuadër të dy sesioneve ministri i jashtëm i Kinës Qin Gang u shpreh se “ puna kryesore diplomatike këtë vit do të drejtohet nga diplomacia e kreut të shtetit, veçanërisht në Samitin e krerëve të shteteve Kinë + 5 vendet e Azisë Qendrore dhe Forumin e tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Nismën “Një brez, një rrugë”. Komenti juaj
Dr. Marsela Musabelliu: Nga një këndvështrim ndërkombëtar ministri i jashtëm kinez e dha këtë intervistë në një periudhë që ka deficite të mëdha të paqes, të zhvillimit dhe të qeverisjes globale dhe besimit të ndërsjellë mes kombeve. Vendoset në plan të pare diplomacia e kreut të shtetit sepse edhe gjatë vitit të kaluar kemi pare takime një me një ose takime multilaterale në kuadër të G 20, por dhe vizitat në Indonezi dhe në vendet arabe etj. Diplomacia e kreut të shtetit e nënvizuar nga ministri i jashtëm kinez ka të bëjë me qeverisjen globale, me besimin e ndërsjellë midis palëve si dhe me iniciativat madhore të Kinës siç është “Një brez, një rrugë”. Në këto 10 vite kjo iniciativë globale e Kinës çfarë ka arritur, çfarë do të bëhet më mire dhe cilat janë piketat e saj. Kjo diplomaci tani po lidhet me zinxhirët industrialë globalë, ndërthuret diplomacia me ekonominë dhe përcillen mesazhe për intensifikim bashkëpunimi.
CMG: Cila është risia e dy sesioneve të këtij viti ?
Ministri i jashtëm Qin Gang Foto VCG
Dr, Marsela Musabelliu: Ky vit ka risi të mëdha lidhur me barometrin ekonomik dhe politik. Ne studiuesit e Kinës që nga fillimi i sesionit të pare legjislativ të dielën e deri në datën 13 mars kur mbyllen dhe do të kemi prezantimin e liderëve i shohim deklaratat zyrtare si një dritare e rëndësishme jo vetëm për ne por dhe për vëzhguesit e marrëdhënieve ndërkombëtare sepse shohim kuptimin e thellë të Kinës dhe të politikës së saj në tërësi. Kjo është një rrugë që na tregon se ku po drejtohet Kina jo vetëm vitin e ardhshëm por dhe në 5 deri 10 vitet që vijnë që lidhet me togfjalëshin që përmenda më pare “Agjenda e 1.4 miliardë njerëzve” dhe bota duhet të dijë se ku po shkon politikisht dhe ekonomikisht 1/5 e popullsisë së globit. Legjislatura më e lartë e Kinës e mbledhur këto ditë në Pekin i jep rëndësi përveç se çfarë është bërë me udhëzime përgjatë Kongresit të 20-të të PKK-së, tani të gjitha këto shndërrohen në ligje dhe politika.
Intervistoi Eda Merepeza