Erdogan: Brenda një viti do të ndërtohen 488 mijë shtëpi të reja për të pastrehët e tërmeteve
2023-03-08 10:50:29

Foto nga VCG

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do të rindërtojë rajonin jugor të vendit të tij, të goditur muajin e kaluar nga tërmete të fuqishme që morën jetën e mbi 46.104 personave, citon “RTSH” mediat turke.  

“Sot, derisa lëmë pas javën e katërt nga tërmetet, ne shohim më qartë përmasat e fatkeqësisë që përjetuam dhe ndiejmë dhimbjen e humbjeve tona më thellë”,- tha presidenti Erdogan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca turke. Mbi 13.5 milionë njerëz u prekën nga tërmetet në këto provinca turke, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriperëndimore.

“Qëllimi ynë është që në dy muajt e ardhshëm të fillojmë ndërtimin e 244 mijë ndërtesave dhe 75 mijë shtëpive të fshatit”,- tha presidenti turk, duke shtuar se ndërtimi i 22 mijë prej tyre tashmë ka filluar.

Ai theksoi se brenda një viti gjithsej 488 mijë shtëpi të reja do të ndërtohen për të pastrehët në zonat e goditura nga tërmeti. (Elona)