Kilicdaroglu, kundërshtari i Erdogan në zgjedhjet presidenciale turke
2023-03-08 16:05:09

Foto nga VCG

Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, do të jetë kundërshtari i Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen më 14 maj. Ai u zgjodh si kandidat nga koalicioni opozitar, i përbërë nga gjashtë parti, bën të ditur “RTSH”.

Kilicdaroglu, 74 vjeç, është kryetar i partisë së dytë më të madhe në shtet. Ai shpreson që ta largojë Erdoganin nga posti i presidentit pas më shumë se dy dekadash në pushtet.

“Tryeza jonë është tryezë e paqes. Qëllimi ynë i vetëm është që ta çojmë shtetin në ditët e prosperitetit, paqes dhe gëzimit”,- tha Kilicdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane, gjatë një fjalimi në Ankara.

“Do ta qeverisim Turqinë në bazë të konsultimeve dhe konsensusit”,- theksoi ai.

Sondazhet sugjerojnë se garat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë të ngushta, me bllokun opozitar që është pak në epërsi sesa aleanca qeverisëse.

Blloku opozitar është zotuar se do të heqë dorë nga shumë politika ekonomike të Erdoganit, ato që kanë të bëjnë me të drejtat civile dhe politikat e jashtme.

Shumë po i vlerësojnë zgjedhjet e reja turke si zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të kësaj republike.

Ish-nëpunës civil, Kilicdaroglu mund të përfitojë nga kriza ekonomike shumëvjeçare dhe inflacioni në rritje, por po ashtu edhe nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar, që lanë të vdekur më shumë se 46.000 persona në Turqi dhe nxitën kritika ndaj qeverisjes së vendit. (Elona)