Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 75 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin Akademike dhe Presidente Nderi e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në vitin 2021 është nderuar me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Po ashtu, i janë akorduar çmimet “Leonardo da Vinci”, 2021 dhe “Giacomo Leopardi”, nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe. Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Ambasadore Europiane” për arritje të rëndësishme në fushën e letërsisë. Në të njëjtin vit emërohet Ambasadore për Shqipërinë nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ka botuar 26 libra në gjuhën shqipe, 20 në italisht, 13 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 13 libra të autorëve të ndryshëm, si dhe të gjitha veprat e saj në italisht dhe anglisht. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun,Indi,deri në Kili.
Bëhet fjalë për përmbledhjen e saj të re poetike, me titull: ‘Tu imagen entre mis dedos’, poezi të shkruara fillimisht në gjuhën italiane, por këtë herë të përkthyera në spanjisht dhe anglisht. Poezia e saj është e pastër, e thjeshtë dhe e bukur në sinqeritetin e saj, aq bindëse, saqë prek menjëherë telat e zemrës me një lloj naiviteti pikërisht atë që zotërojnë vetëm fëmijët dhe poetët.
Në një intervistë për Radio Ejani poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti flet rreth poezisë së saj
CMG: Irma si ndiheni që lexuesit e duan kaq shume poezinë tuaj?
Irma Kurti: Natyrisht dëshira e çdo poeti është që të lexohet dhe të vlerësohet nga lexuesi dhe po ashtu për mua është e njëjta gjë. Ndërkohë mund të them që po aq sa kënaqësi kam edhe një ndjenjë përgjegjësie dhe të kem gjithmonë një kontakt të drejtpërdrejtë me ta.
CMG: Ju keni nisur qysh herët të shkruani. Do të donim të ndaleshim tek krijimet tuaja të para, te “shkëndijat e para emocionale”?
Irma Kurti: Kam filluar të shkruaj që në moshë të vogël. Jam rritur në qytetin e bukur të Elbasanit dhe kujtoj që atje prindërit më kanë regjistruar në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit, dhe që aty nisën vargjet e mija të para. Kujtoj si sot që shkonim gati dy herë në javë për të interpretuar. Salla ishte e ftohtë dhe e errët, por kjo nuk na pengonte, aty lindën vargjet e mia të para. Në atë periudhë nuk kishte ndonjë dallim shumë të madh njëra poezi nga tjetra, por ishin të veçanta për moshën. Do të thoja që më pas me kalimin e kohës ky pasion u rrit më tepër dhe më ka sjellë këtu deri më sot.
CMG: Të gjitha librat ia dedikoni prindërve tuaj. Është kjo shprehje e dashurisë suaj për ta, apo më tepër se kaq?
Irma Kurti: Po në fakt dedikimin në të gjithë librat e mi ia drejtoj prindërve. Së pari, kjo është një dashuri e një bije ndaj prindërve të saj dhe së dyti është mirënjohja ime për ta. Ndonëse të dy ata nuk janë kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë forca imë më e madhe si një fuqi për të vijuar rrugëtimin tim. Babai im më ka dhënë një mbështetje shumë të madhe. Kujtoj që ai kur unë nisa të shkruaj vargjet e para për t’i botuar në revistat e para të fëmijëve, babai im ishte ai që vraponte në dyert e redaksive në mënyre që të mi botonin ato. Pra, ka sakrifikuar tepër për mua dhe ndihem dyfish e lumtur për këtë. Ai më ka lënë porosi si detyrë kryesore se përveç të mësoja, duhet të shkruaja poezi. Madje, deri në çastet e fundit të jetës i folëm njëri-tjetrit për magjinë e bukur të poezisë.
CMG: Poezitë tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja, a janë këto arritje që ju i keni synuar ?
Irma Kurti: Mendoj që të jesh e përthyer në gjuhë të tjera natyrisht që është shumë e rëndësishme për çdo poet. Madje do ta cilësoja si nga ato ëndrrat që ka ndodhur por që deri në momentin e fundit ke frikë se nuk do të realizohet. Kjo më jep mua bindjen që poezia vijon të pëlqehet, megjithëse në disa momente ne mendojmë që poezia nuk ka të njejtën rëndësi si dikur, vetëm fakti që përkthehet dhe botohet tregon që ka po të njëjtën rendësi.
CMG: Ndjeshmëria që ju keni në poezi është e dukshme edhe ne tekstet e këngës. Mund të sillni ndonjë kujtim që lidhet me to?
Irma Kurti: Tekstet që kam shkruar në atë kohë, kanë rezistuar dhe janë hite të asaj kohe. Ishin këngë të cilat edhe sot njerezit i duan dhe ruajnë një nostalgji të madhe. Dua të them që jam futur në dyert e “Radio Tiranës” shumë e re dhe dukej shumë e pamundur si fakt, nuk ishte e lehtë që të kaloje sitën përgjedhëse. Kisha një këmbëngulje shumë të madhe, sepse dyert nuk mu hapën lehtësisht, por erdhi një moment që mu hapën. Emri im identifikohej me tekstet e këngëve të cilat edhe sot komentohen me shumë dashuri.
CMG: A ju ka bërë ikja nga Shqipëria edhe më tepër melankolike?
Irma Kurti: Ikja patjetër që mbolli tek unë ndjenja malli, por unë kudo ku shkel jam shqiptare dhe e dua shumë vendin tim. Fakti që kam nënshtetësi italiane nuk është marrë fare në konsideratë sepse unë flas, ndihem dhe shkruaj shumë në gjuhën time të zemrës që është “Shqip”. Unë kam poezi për atdheun, por natyrisht me tone më të buta siç dhe më karakterizon mua natyra ime.
CMG: Së fundi është botuar në Kili përmbledhja juaj me poezi në gjuhën spanjolle dhe angleze titulluar: “Tu imagen entre mis dedos- Your image between my fingers”. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Irma Kurti: Është vërtet kënaqësi, është një nga botimet e fundit. Ka dy javë që është botuar dhe vërtet është pritur mirë. Dëshira e një autori është të përkthehet në shumë gjuhë dhe në aspektin profesional është një arritje shumë e madhe për mua që poezitë e mia të flasin në spanjisht
Intervistoi: Megi Latifi